Ndërlidhjet

Fushata në Maqedoni filloi me dhunë


Shkup
Shkup

Ministria e Brendshme e Maqedonisë njoftoi se një person është arrestuar për sulmin ndaj kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. Sulmin e kanë dënuar Ambasada e SHBA-ve në Shkup dhe Zyra e BE-së.


Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për arrestimin e një personi nga Tetova, nën dyshimin për pjesëmarrje në sulmin e djeshëm me armë zjarri ndaj kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

“Ministria e Brendshme ka ndërmarrë të gjitha masat e mundshme operative dhe mbrëmë, rreth orës 20 e 30 minuta, në afërsi të një lokaliteti banues në Tetovë, ka arrestuar një person, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në sulmin ndaj Ali Ahmetit, në fshatin Rakovec të Komunës së Bogovinës në Tetovë”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ivo Kotevski.

Bëhet fjalë për Faruk Iljzain nga Reçica e Madhe, i cili nga zyrtarët e policisë po hetohet për këtë incident, motivet e të shtënave mbi automjetet e BDI-së, si dhe për involvimin eventual të personave tjerë.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i ka shpëtuar atentatit, falë veturës së blinduar, me të cilën po udhëtonte.

Ahmeti, përgjegjës për sulmin ka bërë strukturat e sigurimit shtetëror dhe Partinë Demokratike Shqiptare, ndërsa aksionin e policisë për ndriçimin e kësaj ngjarjeje, e komentoi edhe nënkryetari i BDI-së, Rafis Haliti.

“Informatat tona flasin se personi që ka kryer sulmin ndaj Ahmetit, mbrëmë ka qenë në selinë alternative të PDSH-së, ne restorantin Dora. Është e vërtetë se edhe personi i arrestuar është kërcënuar, por autori i vërtetë i sulmit nuk është arrestuar”, ka thënë Haliti.

Sulmi ndaj Ali Ahmetit dhe shtabeve të BDI-së në më shume vendbanime shqiptare ka çuar këtë parti politike që sot të organizojë një protestë në sheshin e Tetovës, me moton “Stop dhunës”. Protesta kaloi e qetë dhe pa incidente.

“Vlerësojmë se është koha e fundit që edhe qytetarët të kyçen në këtë fushatë kundër këtij krimi të organizuar, i cili tenton të fusë gjakderdhjen ndërmjet shqiptarëve”, tha nënkryetari i BDI-së, Rafis Haliti.

Por, Partia Demokratike Shqiptare i ka hedhur poshtë akuzat e partisë së Ahmetit, duke i quajtur skenarë të së kaluarës, ndërsa protestën e sotme e vlerëson si shprehje të frikës nga humbja në zgjedhjet e qershorit.

“Konsiderojmë se aktivitetet e protestave iniciojnë tensione brenda kampusit politik shqiptar dhe nuk janë të nevojshme. Kryerësit e akteve të dhunës i kemi dënuar dhe sipas të dhënave tona, policia po vepron për këto raste. Dëshirojmë që ato sa më shpejt të ndriçohen”,
tha Fexhri Selami, zëdhënës i shtabit zgjedhor të PDSH-së.

Incidentet në fushatën parazgjedhore në Maqedoni dhe sulmi i djeshëm ndaj liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, janë dënuar edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend, të cilët u kanë bërë thirrje partive politike që t'i japin fund dhunës dhe frikësimit të elektoratit për të mos dalë në votime.

Incidentet u dënuan nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe zyra e Bashkimit Evropian në Shkup.

Në reagimin e Ambasadës Amerikane thuhet se “dhuna dhe frikësimi nuk kanë vend në procesin demokratik".

XS
SM
MD
LG