Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK-u s'e di çfarë roli do ketë pas tranzicionit


Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Mbetja në fuqi e Rezolutës 1244 e ka komplikuar edhe çështjen e tranzicionit nga UNMIK-u te misioni i Bashkimit Evropian, EULEX, që parashihet të shtrihet në Kosovë pas 15 qershorit, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës.



Kalimi i kompetencave nga UNMIK-u te Qeveria e Kosovës dhe tranzicioni nga administrata e Kombeve të Bashkuara te misioni EULEX, nuk janë sqaruar ende.

Ndërsa më 15 qershor pritet të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, autoritetet e UNMIK-ut thonë se ende nuk ka një modifikim të qartë se çfarë roli dhe cilat kompetenca do t’i ketë UNMIK-u pas kësaj date.

Ndërkohë që Qeveria e Kosovës pret që nga 15 qershori të ushtrojë autoritetin e plotë qeverisës, përfshirë edhe kompetencat që deri më tash i ka ushtruar UNMIK-u.

Mbetja në fuqi e Rezolutës 1244 e Këshillit të Sigurimit e mban UNMIK-un në Kosovë.

Zëdhënësi i administratës ndërkombëtare, Alexander Ivanko, thotë se qendrat vendimmarrëse botërore janë duke diskutuar rikonfigurimin e UNMIK-ut pas 15 qershorit.

“Kjo çështje është duke u diskutuar ndërmjet UNMIK-ut, Nju Jorkut, Brukselit dhe kryeqyteteve relevante në këtë proces, por unë nuk mund të them asgjë më shumë, sepse procesi i bisedimeve për rikonfigurimin e UNMIK-ut është në vazhdim e sipër”, thotë zëdhënësi Ivanko.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës beson se pas 15 qershorit, kur do të hyjë në fuqi Kushtetuta, në Kosovë do të ketë një adresë vendimmarrjeje dhe se nuk do të ketë një përzierje kompetencash mes dy misioneve ndërkombëtare dhe qeverisë vendore.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, ajo do të jetë obligative për të gjithë në Kosovë, përfshirë edhe autoritetet e pranisë ndërkombëtare.

“Qeveria e Kosovës ka shprehur qëndrimin e saj se duhet të jetë një qendër e vendosjes ndërkombëtare. Ne duhet të kemi koordinim të plotë. Pas 15 qershorit, sjellja edhe e vendorëve, edhe e ndërkombëtarëve do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

“Ne jemi në fazën e tranzicionit. Besojmë se kjo do të përfundojë me kohë dhe hyrja në fuqi e Kushtetutës nënkupton përfundimin e një faze dhe fillimin e zhvillimit të një shteti të ri e demokratik”, tha Kuçi.

Ndërkohë, në Zyrën Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, e cila ka për mision të mbikëqyrë implementimin e pakos së Ahtisaarit, drejtori i Zyrës për Informim, Andy Mcguffie, thotë se shefi i kësaj zyre, Pieter Faith, do të marrë mbi vete përgjegjësitë e plota me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës.

Ndërsa nuk parasheh se si do të rrjedhë procesi i tranzicionit nga UNMIK-u, Mcguffie thotë se ndërkohë pritet që në Kosovë të shtrijë misionin e vet edhe EULEX-i, ashtu si parashihet në gjithë territorin e Kosovës.

“Vendet e Bashkimit Evropian e kanë bërë të qartë se duan të shohin EULEX-in të vendosur në gjithë territorin e Kosovës”, tha Mcguffie.

Ndërkaq, në lidhje me vendimet e Kombeve të Bashkuara për UNMIK-un, ai tha se kjo çështje nuk mund të komentohet nga Zyra e zotit Pieter Faith.

Bazuar në pakon e Ahtisaarit, si një dokument valid që njihet dhe si marrëveshje gjithëpërfshirëse për statusin e Kosovës, UNMIK-u, që nga 15 qershori, do të duhej të përgatitej që të largohej nga Kosova në tërësi.

Por, Rezoluta 1244 do ta mbajë këtë mision në një formë apo tjetrën në Kosovë.

Andaj, ndërsa qeveria dhe misioni i BE-së e quajnë këtë fazë si tranzicion deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës, në anën tjetër UNMIK-u e quan atë si rikonfigurim të UNMIK-ut, duke e përshtatur këtë mision me realitetin e ri në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG