Ndërlidhjet

Çfarë mendojnë serbët për decentralizimin?


Prishtina
Prishtina

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës konsiderojnë se pjesa teknike e planit të Martti Ahtisaarit paraqet bazë të mirë për përparimin e mëtejmë të procesit të decentralizimit në Kosovë.


Nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb, Rada Trajkoviq, thotë se propozimi i Ahtisaarit është bazë e mirë për mbijetesën funksionale të serbëve në Kosovë.

"Pjesa teknike e planit të Ahtisaarit është bazë e mirë për krijimin e kushteve për një mbijetesë funksionale të serbëve në Kosovë – kuptohet, së bashku me disa mekanizma plotësues, që do të bëjnë të mundur që të kemi një qeverisje lokale, e cila mund të lidhet me nivelin horizontal edhe me pikëpamje etnike, gjë që askush nuk e vë në pyetje. Ky pushtet do të kishte edhe lidhje institucionale me Beogradin", tha Rada Trajkoviq.

Kurse, kryetari i Këshillit Nacional Serb të Mitrovicës së veriut, Nebojsha Joviq, deklaron se për palën serbe është i papranueshëm plani i Ahtisaarit, i cili është edhe bazë për procesin e decentralizimit në Kosovë.

"Kur bëhet fjalë për planin e Ahtisaarit, për serbët është absolutisht i papranueshëm, por nëse ka gjëra pozitive dhe sigurisht se i ka, duhet të ruhet për bisedimet e reja. Dhe, në të ardhmen, me mirëkuptim duhet pranuar cilindo propozim të palës serbe, si dhe cilindo ndryshim të palës shqiptare, pasi që nëse dëshirojmë një zgjidhje që do të jetë funksionale në terren, duhet pasur parasysh propozimet e dy palëve", tha Joviq.

Zonja Trajkoviq thekson se procesi i decentralizimit duhet të përkrahët me faktin se nuk do të behët legalizimi i pastrimit etnik të Kosovës.

"Në të gjitha vendet ku serbët edhe më tej jetojnë, duhet të gjenden modalitetet e vetëqeverisjes, të cilat do të bëjnë të mundur që ata edhe më tej të jetojnë aty",
tha Trajkoviq.

Joviq ka thënë se duhet të kihen parasysh propozimet e Ahtisaarit, pasi që, sipas tij, së shpejti do të fillohet me përafrimin e qëndrimeve dhe se lidhur me statusin e Kosovës do të paraqitet një propozim, gjegjësisht një plan i ri.

"Mendoj se është e patolerueshme që tashmë 3 - 4 muaj të plotë, asgjë nuk është bërë që pak a shumë të përafrohen qëndrimet, që të fillohet me zgjidhjen e problemeve të grumbulluara të komunitetit serb dhe të atij shqiptar. Mendoj se një prej atyre qëndrimeve mund të jenë pjesë të planit të Ahtisaarit ose cilitdo plan. Plani i Ahtisaarit, si i tillë, është absolutisht i papranueshëm, por pjesën më të madhe të këtij plani, gjithsesi duhet vendosur në koncept të një plani të ri, për të cilin jam i sigurt se do të paraqitet së shpejti", tha Joviq.

Ndryshe, ministri i Pushteti Lokal, Sadri Ferati, ka thënë se pavarësisht nga vullneti dhe gatishmëria e institucioneve të Kosovës që të fillohet me realizimin e procesit të decentralizimit, refuzimi i serbëve të Kosovës që të jenë pjesë e këtij procesi, do ta pamundësojë realizimin e tij.

Sidoqoftë, në bazë të planit të Ahtisaarit, parashikohet që në Kosovë të formohen 5 komuna të reja me shumicë serbe, si dhe të zgjerohen kufijtë kadastralë të Komunës së Novobërdës, në të cilën popullata serbe e përbën shumicën.
XS
SM
MD
LG