Ndërlidhjet

logo-print

Rreziku nga ngecja në njohje


Flamuri i Republikës së Kosovës

Flamuri i Republikës së Kosovës

Bërja e shtetit funksional të Kosovës ende mund të dështojë, nëse nuk vazhdohet me njohje. Kosova duhet të ketë ‘kumbarët' e saj të fuqishëm, që lobojnë për të edhe tani pas pavarësisë. Janë këto disa thekse nga konferenca mbi sfidat e Kosovës së pas-statusit.



Ngecja në 39 shtete, që për tre muaj kanë njohur Kosovën, sipas diplomatëve nuk është shenjë e mirë për Kosovën.

Kosova, sipas Neithart Hofer Wissing, nga Zyra Ndërkombëtare Civile, shumë shpejt duhet ta rrisë këtë shifër në 50.

“Ne duhet të jemi më aktivë dhe të ndihmojmë Ministrinë e Punëve të Jashtme, që të zhvillojë strategjinë e saj. Një çështje, për shembull, që mund të bëhet, është që Ministria të krijojë një qark të miqve në ambasadat e këtushme, të cilat, siç e kanë ndihmuar Kosovën deri tash, janë të gatshme për të bërë shumë përpjekje”, thotë Wissing, i cili shpreh druajtjen e tij, se nëse ngec edhe ndihma ndërkombëtare, atëherë vihet në rrezik edhe funksionaliteti i shtetit të Kosovës.

“Sa i përket bërjes së Kosovës shtet të pavarur dhe të qëndrueshëm, mund të them se ende nuk kemi arritur të bëjmë vetëm 35 për qind të punës. Ende nuk jemi në krye. Mendoj se ne duhet të ballafaqohemi me këtë dhe duhet të jemi realistë”.

“Ne ende mund të dështojmë. Ka aq shumë pengesa në rrugën përpara dhe nuk kemi vetëm miq te komuniteti ndërkombëtar; duhet t’i bindim ata se çështja juaj duhet të aktualizohet dhe për ta bërë këtë, së pari na duhet Kosova”, thotë Wissing.

Ish-kryediplomati shqiptar, Paskal Milo, thotë se Qeveria e Kosovës, ashtu siç duhet t’i ketë të qarta raportet e saj me vendet fqinje dhe me organizatat ndërkombëtare, duhet të dijë se çfarë roli luan Qeveria amerikane karshi Kosovës dhe njohjes së saj në botë.

Ai thotë se faza e parë e njohjes u përmbyll, edhe koha është për të reflektuar për hapat e mëtejmë.

Ai nënvizon se duhet bërë përpjekje që të arrihet njohja edhe nga disa shtete të BE-së, por edhe nga ato shtetet që kanë premtuar, por nuk e kanë njohur Kosovën.

“Është një çështje për të cilën unë mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të punojë në mënyrë më agresive dhe të bashkëpunojë ngushtë së bashku, që të binden vendet e Konferencës Islamike që ta njohin Kosovën, meqë ata nuk kanë mbajtur premtimin e dhënë në fillim se do ta njohin Kosovën”.

“Tani shtrohet pyetja pse nuk e njohën, çka ndodhi, cilat janë arsyet? Ndoshta arsyet kanë të bëjnë me interferimin e Serbisë apo Rusisë, apo shteteve që janë të afërta me ta, për të ndalë njohjen e këtij shteti. Kjo është çështje e rëndësishme, sepse kjo konferencë përfaqëson mbi 50 shtete, pra 50 vota në asamblenë e OKB-së kur të na duhen nesër”, shprehet ish-ministri shqiptar, Paskal Milo.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, e cila ende është në formim e sipër, aktualisht nuk ka në fokus Konferencën e Vendeve Islamike, por Amerikën Latine.

“Momentalisht, ministri i Jashtëm, zoti Hyseni, është në udhëtim ndërkombëtar; një pjesë të aktiviteteve diplomatike e ka kryer në Vjenë, me ambasadorët e Amerikës Latine. Këto ditët e fundit ka qenë në Panama, ku po lobon për pavarësinë e Kosovës. Jemi të interesuar që t’i intensifikojmë aktivitetet tona”, tha këshilltari i ministrit të Jashtëm, Burim Breznica.

Në konferencën, “Sfidat në Kosovën e pas statusit”, të organizuar nga Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë (UBT), është theksuar se kosovarët në këtë kohë duhet të zbatojnë pakon e Ahtisaarit, sidomos dispozitat që përbëjnë të ashtuquajturin diskriminim pozitiv për minoritetin serb, pavarësisht se sa të dhimbshme mund të jenë ato.

Kjo është thënë se do të rrisë besimin e komunitetit ndërkombëtar te Qeveria e Kosovës.

Ndërkaq, sa i përket diplomacisë së ardhshme kosovare është bërë thirrje që diplomatët dhe ambasadorët të mos emërohen në bazë të përkatësisë politike, por të jenë profesionistë.

Kosovarëve u është sugjeruar që ambasadat e para t’i hapin në ato vende ku rrjedhin paratë, si në Bruksel, Nju Jork e Gjenevë.

“Përdoreni Quint-in. Ju duhet të keni, si të them ‘kumbarë’ të fuqishëm; do t’ju ndihmojnë. Ju lutem rikthehuni në agjendë, ashtu që pas pavarësisë, ata duhet të bëjnë më shumë për ju, kam fjalën për vendet e Quint-it”, tha Wissing.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG