Ndërlidhjet

Përfitimet nga Konferenca e donatorëve



Konferenca e donatorëve, e cila pritet të mbahet gjatë kësaj vere, shikohet si një mundësi e mirë për zhvillimin afatgjatë ekonomik të shtetit më ri.

Për mbajtjen e kësaj konference, Qeveria e Kosovës tashmë gati ka përfunduar përgatitjet e nevojshme, thotë Bedri Hamza, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave.

Ai pohon se qeveria ka përgatitur një numër të konsiderueshëm të projekteve, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal.

“Synim i yni është që ne, si Kosovë, të përfitojmë më tepër përkrahje direkt buxhetore; donacionet t’i orientojmë në investimet kapitale, në ato pjesë ku më tepër përfitojnë qytetarët e Kosovës dhe normalisht pjesa sa më e vogël të jetë në asistencë teknike”.

“Ne jemi të përgatitur, i kemi projektet konkrete, ka numër të konsiderueshëm të projekteve; shumë prej këtyre projekteve kanë arsyeshmëri të plotë. Ne besojmë që në këtë konferencë të fitojmë një fond, që do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes aktuale në Kosovë”, tha Hamza.

Tërheqja e investimeve do të varet nga projektet që do të ofrohen nga qeveria në konferencë, si dhe mënyra e menaxhimit të tyre, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Nazmi Zeqiri, profesor në Universitetin për Biznes dhe Teknologji, pohon se Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet në projektet që krijojnë mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës dhe assesi në projekte për asistencë teknike.

“Qeveria duhet të ketë parasysh se të gjitha dokumentet e prezantuara, duhet të kenë prioritetet e Kosovës, siç janë papunësia e lartë dhe orientimi i një ekonomie të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik, e assesi asistencë teknike dhe konsulentë ndërkombëtare, ku në shumicën e rasteve paraja, ashtu siç vjen në Kosovë, kthehet mbrapa në vendet e donatorëve“, thotë Zeqiri.

Edhe pse zyrtarë të qeverisë pohojnë se kanë përfunduar shumicën e projekteve, ata deri më tani nuk i kanë bërë publike ato.

Megjithatë, Bedri Hamza tregon prioritetet që do të paraqiten në Konferencën e donatorëve, që, sipas tij, do të mbahet në fund të muajit qershor, apo në fillim të muajit korrik.

“Prej prioriteteve do veçoja investimet në infrastrukturë, infrastrukturën fizike, rrugët, kanalizimin, ujësjellësin; pastaj investimet në arsim, shëndetësi dhe agrobiznes”.

“Këto janë ato top-prioritetet, por ka edhe projekte që shkojnë në mbrojtjen e ambientit, projektet që kanë të bëjnë me ekologjinë dhe shumë projekte të ndryshme. Pra, me numër të madh të projekteve, Kosova konkurron në këtë konferencë të donatorëve”, pohon Hamza.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Bedri Hamza thotë se për realizimin e të gjitha projekteve të përgatitura, nevojiten më shumë se 1.5 miliard dollarë.

“Nevojat e Kosovës janë më të mëdha se 1.5 miliard dollarë, kërkesat e Kosovës janë më të mëdha se 1.5 miliard. Ne do të bëjmë përpjekje që t’i përgatisim dhe t’i arsyetojmë projektet tona, që kjo vlerë të jetë më e lartë se 1.5 miliard dollarë”.

“Mirëpo, kjo varet edhe nga donatorët, sepse ata do të vendosin për fondet e veta, se cila do të jetë lartësia e këtyre donacioneve”, theksoi Hamza.

Ndryshe, data e mbajtjes së Konferencës së donatorëve për Kosovën do të vendoset nga Komisioni Evropian dhe Banka Botërore në koordinim me donatorët.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG