Ndërlidhjet

"Dhuna rrezikon të ardhmen evropiane të Maqedonisë"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Seria e sulmeve të armatosura në fushatën parazgjedhore në Maqedoni, që kulmoi të hënën me atentatin kundër liderit të BDI-së, ka shkaktuar brenga tek faktorët ndërkombëtarë, të cilët, të martën, kanë vlerësuar se eskalimi i dhunës rrezikon të ardhmen evropiane të Maqedonisë. Ambasada e SHBA-së, si mike dhe partnere, është shprehur shumë e brengosur për atmosferën aktuale zgjedhore në Maqedoni. "Të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë duhet të jenë të lirë për të participuar në procesin zgjedhor pa frikësime dhe shtypje. Ngjarja shokuese e së hënës në tubimin e Bashkimit Demokratik për Integrim, si dhe sulmet e shumta me granata mbi shtabet zgjedhore të BDI-së dhe aktet e tjera të dhunës, e rrezikojnë këtë të drejtë themelore demokratike", thotë Ambasada e SHBA-së. Ambasada thekson se autoritetet e Maqedonisë duhet t'i mbrojnë të drejtat e qytetarëve të tyre dhe në mënyrë urgjente, të vazhdueshme dhe transparente, të sigurojnë sundim të ligjit. Euro-ambasadori Ervan Fuerre theksoi se këto zgjedhje ndryshojnë nga e kaluara, sepse tani Maqedonia është shtet prej ku pritet që të organizojë zgjedhjet më demokratike deri më tani...

EXPRESS

Liderë serbë të Kosovës paralajmërojnë krijimin e pushtetit lokal në vendbanimet serbe mbi bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit, megjithëse UNMIK-u i ka shpallur ato të pavlefshme. Para se të fillojë ky proces, liderët serbë presin krijimin e Qeverisë në Beograd, si dhe përbërjen e saj. Liderët serbë, sidomos ata të pjesës veriore, preferojnë krijimin e një qeverie serbe nga Partia Radikale (SRS), Partia Demokratike e Vojislav Koshtunicës(DSS)si dhe Partia Socialiste (SPS). Këto parti kanë marrë pjesën dërrmuese të votave të serbëve të Kosovës. Milorad Todoroviq, këshilltar i ministrit serb për Kosovën, ka deklaruar se suksesi në krijimin e organeve komunale serbe varet në masë të madhe nga mbështetja e Qeverisë së Serbisë. "Në mënyrë të tërthortë nga ajo se kush do të formojë qeverinë, radikalët apo ata që në emër të pragmatizmit kanë prioritete tjera", ka thënë Todoroviq. Edhe lideri i moderuar, Oliver Ivanoviq, mendon se duhet të implementohet rezultati nga zgjedhjet lokale, por ky preferon që Qeveria në Beograd të krijohet nga forcat pro-evropiane të udhëhequra nga Boris Tadiq...

ZËRI
"Atje (në Kosovë) kemi mijëra ushtarë dhe menduam se kjo ishte e vetmja zgjidhje", ka sqaruar Kouchner arsyet pse Franca njohu pavarësinë e Kosovës, duke vlerësuar se "kjo nuk është disfatë për Serbinë, por përkundrazi", se Serbia "ka hequr barrën". Misioni i Evropës në Kosovë, EULEX, dhe rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian, do të jenë ndër prioritetet e Francës, kur më 1 korrik të marrë rolin e kryesuesit të BE-së, tha dje ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner. Shefi i diplomacisë franceze, gjatë një konference me gazetarët, lavdëroi rrjedhën e zgjedhjeve në Serbi dhe shtoi se koha deri në fund të vitit është shumë e shkurtër që Serbia të bëhet kandidat për hyrje në BE, por Franca do të punojë në këtë drejtim. "Kredo jonë ka qenë se duhet t'i jepet mbështetje (Serbisë), pavarësisht se nuk ia kemi dalë të merremi vesh rreth Kosovës dhe se ishim të detyruar që arbitrarisht të vëmë pikë në ato negociata, meqë askush ruk dëshironte të negocionte", tha shefi i diplomacisë franceze dhe shtoi: "Nuk deshëm të krijojmë Qipro"...

KOSOVA SOT
Një kamion me ngjyra të kaltra dhe të verdha do të jetë “udhëheqësi” i fushatës propagandistike që nisi dje në kryeqytet, me qëllimin për t’u shpjeguar kosovarëve se çka është EULEX-i dhe ICO-ja, Zyra Ndërkombëtare. Misioni i ri, që pret të fuqizojë veprimin e tij as 15 qershorit, është duke u vërtitur ende në një pasiguri, për shkak të pavendosmërisë së UNMIK-ut për t’u larguar dhe për shkak të mbetjes në fuqi të Rezolutës 1244. Me nisjen e fushatës, ironikisht, duket se gjëja kryesore është ende e pashpjegueshme: çka do të bëjnë EULEX-i dhe ICO-ja pas 15 qershorit? A do të varet vetëm nga BE-ja, apo do të përzihet edhe OKB-ja? Me gjithë debatet që vazhdojnë në Nju Jork, Bruksel, Beograd dhe së fundmi në Prishtinë, prania e misionit evropian, të paktën, pritet të jetë më emancipuese, t’i japë një shtysë zhvillimit të institucioneve, sundimit të rendit dhe ligjit, luftimit të korrupsionit. Shpjegimi që u bëhet qytetarëve përmes një performance, qoftë kjo në formën e një kamioni që bredh anembanë vendit, në formë konferencash, fletushkash që shpërndahen gjithandej, ka gjithsesi rëndësinë e vet periferike. Por, për njerëzit e lodhur nga premtimet, mospuna e institucioneve, ngecja ekonomike, shkelja e ligjit, abuzimi i fondeve publike, kriza në shëndetësi, arsimi jocilësor, s’mund të ngjallin ndonjë entuziazëm të veçantë...

EPOKA E RE
Delegacioni i Parlamentit të Republikës së Kosovës, i prirë nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi, të martën ka filluar vizitën dyditëshe në Lubjanë të Sllovenisë, e cila njëherësh është edhe kryesuese e radhës së BE-së. Kjo vizitë po zhvillohet me ftesë të kryetarit të Parlamentit slloven, France Cukjati, kurse në përbërje të delegacionit janë edhe anëtarët e Kryesisë Xhavit Haliti, Sabri Hamiti, Nexhat Daci dhe Slobodan Petroviq. Në ditën e parë të vizitës, të martën, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka zhvilluar takime me homologun e tij slloven, France Cukjati, dhe me ministrin e Jashtëm slloven, Dmitrij Rupel. Në takimin me homologun e tij, Cukjati ka biseduar për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe politike dhe ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë...

LAJM
Milan Ivanoviq po përgatit mbledhjen e parë konstituive të Kuvendit Komunal të Zveçanit, i dalë nga zgjedhjet lokale serbe, të mbajtura me 11 maj në Kosovë. "Këto ditë e kemi mbledhjen e parë konstituive të Kuvendit Komunal të Zveçanit", thotë për "Lajm" udhëheqësi radikal i serbëve të veriut të Kosovës. Si kryesues i kësaj mbledhjeje të parë, Ivanoviq, nga Partia Radikale Serbe, është në stres se si do shkojë mbledhja, ndërsa nuk e ka fare problem se si vlerësohen zgjedhjet lokale serbe nga UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës. “Tash jemi në konsolidim e sipër të institucioneve që dalin nga zgjedhjet që shteti serb i organizoi më 11 maj. Këto zgjedhje janë legjitime", tha Ivanoviq, duke iu kundërpërgjigjur vendimit të UNMIK-ut, i cili i ka shpallur zgjedhjet serbe të paligjshme. Jo vetëm Komuna e Zveçanit, ku Ivanoviq ka marrë vota për të qenë këshilltar komunal, por edhe në të gjitha komunat, ku janë hapur qendrat e votimit, sipas tij, është duke u punuar për konstituimin e institucioneve të reja. Radikali Ivanoviq nuk do t'i quajë ato as paralele dhe as jolegjitime. "Legjitimitetin e kanë marrë nga populli serb që jeton në Kosove", tha ai...

INFOPRESS
Pikërisht për t'i bindur vendet që ende hezitojnë ta njohin Kosovën, që ta bëjnë këtë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, po qëndron për vizitë në Amerikën Qendrore. Të martën ai ka kërkuar njohje sa më të shpejtë të Kosovës nga Panamaja. Hyseni është takuar me zv/presidentin, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Panamasë, Samuel Leëis Navarro. Gjatë takimit, ai e ka njohur homologun e tij panamez me zhvillimet në Republikën e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë. Ndërkaq, i ka kërkuar atij që në afat sa më të shkurtër Panamaja të shqyrtojë kërkesën për njohje të shtetit të Kosovës, të cilën presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi ua kanë dërguar autoriteteve panameze ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Nga ana e tij, Navarro ka konfirmuar se Qeveria e Panamasë është duke shqyrtuar kërkesën për njohje. Ai ka thënë se vendi i tij është në proces të konsultimeve me vendet e tjera të Amerikës Qendrore, sa i përket njohjes së shtetit të Kosovës...

BOTA SOT
Kjo që po ndodh në Maqedoninë Perëndimore, për t'i ikur konstatimit patetik, më së paku i ngjan një dileriumi në të cilin bie e fundoset skizofrenia e karrierizmit politikanesk. Cilat janë ato pikëpamje politike që si koncepcione ose si platformë qëndrimesh mund t'i dallojnë ndërmjet vete partitë politike shqiptare në Maqedoninë Perëndimore? Në bazë të programeve të ofertuara me platformë (asnjëherë jo aq decide siç bëhet kudo në botën demokratike) konceptet dhe filozofia politike e partive politike shqiptare në Maqedoninë Perëndimore nuk ndryshon prej një partie në një tjetër. Eminentët e këtyre partive ishin së bashku kur nënshkruan "Marrëveshjen e Ohrit" dhe kjo nënkupton që pikërisht kjo marrëveshje (e cila ende nuk është implementuar) duhet të jetë platformë e që të dyja partive. Tjetër punë është nëse ato (partitë politike shqiptare) konsiderojnë se, si e tillë, "Marrëveshja e Ohrit" është tejkaluar si problem, atëherë ku dalin dallimet dhe kontradiktat aq të thella midis partive politike shqiptare në Maqedoninë Perëndimore? Apo këta trima kanë harruar se pushteti në Maqedoni nuk është krejtësisht i maqedonasve sllavë, as krejtësisht jo i shqiptarëve! Nëse opozita lufton për avancimin dhe zgjidhjen e problemeve aktuale që kanë shqiptarët sot në Maqedoninë Perëndimore, atëherë ku e adresojnë ata fajësinë - te shqiptarët, apo te sllavët? Sipas dyluftimeve të armatosura që bëjnë, del se ata nuk kanë problem me sllavët që organizojnë "pushtet mbivotimi", po del se me shumë kanë probleme midis tyre...

XS
SM
MD
LG