Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK: Strukturat nga zgjedhjet lokale të 11 majit - inekzistente


Administrata e UNMIK-ut në Kosovë nuk do t’i përfillë organet serbe që do të dalin nga zgjedhjet e 11 majit, të organizuara nga Serbia.


Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk do të bashkëpunojë me strukturat komunale serbe, të dala nga zgjedhjet e 11 majit, pasi që këto struktura i cilëson si ilegale.

Kështu tha sot zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko. Ai tha po ashtu se UNMIK-u do të vazhdojë bashkëpunimin me përfaqësuesit e emëruar serbë nga shefi i UNMIK-ut, nëpër komunat ku ky komunitet përbën shumicën.

Ivanko tha se për UNMIK-un, të gjitha strukturat që dalin nga zgjedhjet lokale serbe të 11 majit janë inekzistente dhe nuk do të përfillen, por do të trajtohen si ilegale.

“Ne do të flasim vetëm me përfaqësuesit serbë të emëruar nga shefi i UNMIK-ut në pesë komunat me shumicë serbe, ngase vetëm ata do të konsiderohen si përfaqësues legjitimë”, tha Ivanko.

Ai sqaroi se këta përfaqësues të emëruar kanë mandat deri më 18 qershor. Ndërkohë që ai tha se Joachim Ruecker mund t’i emërojë përfaqësuesit tjerë për një periudhë tjetër kohore deri në mbajtjen e zgjedhjeve nën organizimin e UNMIK-ut.

Në vazhdim, Ivanko ritheksoi ofertën që administrata e Kombeve të Bashkuara i pati ofruar Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, por e cila ishte refuzuar nga Serbia.

“Ne i patëm ofruar zgjidhje ministrit serb Samarxhiq, sipas së cilës, UNMIK-u do të organizonte zgjedhje në pesë komunat me shumicë serbe, në mënyrë që të dalin përfaqësuesit legjitimë serbë, që do të përfaqësonin interesat e këtij komuniteti, por ministri Samarxhiq as që është përgjigjur në këtë ofertë”, theksoi Ivanko.

Andaj, organizimi i zgjedhjeve ilegale nga ana e Serbisë, sipas tij, ishte një harxhim parash dhe asgjë më shumë.

“Serbia ka shpenzuar shumë para për të bërë diçka që është ilegale dhe nuk mendoj se ia vlen që një vend të shpenzojë para në diçka që është ilegale dhe që nuk përkon me obligimet ndërkombëtare të këtij vendi”, tha zëdhënësi Ivanko.

Përndryshe, Ivanko tha se UNMIK-u pret që të bashkëpunojë me Beogradin, pavarësisht se cilat parti politike atje ndërtojnë qeverinë e ardhshme. Ai tha se Kombet e Bashkuara në vazhdimësi kanë qenë përkrahëse të raporteve të mira me Serbinë.

Ndërkaq, lidhur me mandatin dhe rolin e UNMIK-ut pas 15 qershorit, kur në Kosovë hyn në fuqi Kushtetuta dhe kur mund të pritet të fillojë edhe misioni i EULEX-it, Ivanko edhe sot përsëriti se kjo çështje po diskutohet nga Kombet e Bashkuara, BE-ja dhe kryeqytetet relevante, për të qartësuar rolin e UNMIK-ut.

Deri në përfundimin e këtyre diskutimeve, ai tha se askush nuk mund ta dijë se çfarë roli do të kenë Kombet e Bashkuara në Kosovë pas 15 qershorit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG