Ndërlidhjet

logo-print

"SHPK dinte ç'do të ndodhte në veri pas pavarësisë"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

ZËRI
Kosova, brenda një muaji, bëhet me Shërbimin Inteligjent, gjegjësisht, Agjencinë Kosovare të Sigurisë, siç do të quhet zyrtarisht ky shërbim specifik shtetëror sipas Pakos së Ahtisaarit, përkatësisht aneksit VIII të këtij dokumenti dhe Kushtetutës së Kosovës, që bazohet në këtë dokument. Shumica e punëve tanimë janë kryer, infrastruktura ligjore, përkatësisht Ligji mbi Agjencinë e Sigurisë është gati dhe ditëve të ardhshme pritet të marrë miratimin në Kuvend. Megjithatë, rrallëkush nga ata që janë të angazhuar në këtë projekt pranon të flasë publikisht... "Besojmë se data 15 qershor ta gjejë Kosovën të përgatitur për fillimin e punës së këtij shërbimi, që është i paraparë edhe me Kushtetutën e Kosovës. Të gjitha përgatitjet për këtë janë bërë. Bazën juridike e kemi të gatshme. Tani jemi në fazën e përgatitjeve finale për Ligjin për AKS dhe besojmë se po krijojmë bazën e mirë juridike për ta ndërtuar", thotë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ndër të rrallët që ka pranuar të flasë zyrtarisht për këtë temë. Përveç kësaj, thotë ai, qeveria po bën edhe përgatitjet logjistike, gjetjen e objektit adekuat, ku do të vendosë edhe sigurimin e financimit buxhetor...

KOSOVA SOT
Plot dy muaj pas trazirave në gjykatat e Kosovës në veri të vendit, situata atje nuk ka shënuar asnjë përmirësim. Gjykata Komunale dhe ajo e Qarkut janë në hall të madh. Me gjithë disa përpjekje të Ministrisë së Drejtësisë, rezultatet në terren nuk shihen. Drejtuesit e organeve të judikaturës ankohen më kot, ndërsa UNMIK-u, ICO-ja dhe EULEX-i nuk kanë dhënë ndonjë kontribut, të paktën deri tash. Republika e Kosovës supozohet se duhet ta ushtrojë autoritetin e saj edhe në pjesën veriore. Por, duket se kur kalohet ura e Ibrit, gjërat ndryshojnë thellësisht dhe një realitet tjetër ndeshet me shtetin kosovar. Pas dhunës që la të vdekur një polic të OKB-së, përdorimi i forcës as që imagjinohet për të rikthyer realitetin në veri të Mitrovicës. Ndërkombëtarët nuk duan të rrezikojnë me njerëzit e tyre për të bërë “heroin” për kosovarët. Por, nga ana tjetër, misioni i OKB-së ka edhe më tutje fuqinë vendimmarrëse, ndërsa institucionet tona kanë vetëm çelësat e kashtës. Gjasat janë që situata të mos pësojë asnjë ndryshim deri më 15 qershor, kur ndoshta, mund të ketë një sqarim të pakënaqësive që kanë shpërthyer mes misioneve të huaja...

EPOKA E RE
Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare që u zhvilluan të dielën në Serbi flasin për fitoren e partisë së presidentit pro-perëndimor Boris Tadiq. Por, pavaresisht nga fitorja e demokratëve pro-evropianë, analistët nuk presin ndonjë ndryshim në politikën e Beogradit ndaj Kosovës. Daniel Server, analist politik në Institutin e Paqes në Uashington, mendon që Serbia s'do të heqë dorë nga Kosova. "Nuk mendoj se Serbia do të heqë dorë nga Kosova. Ajo do të mbetet e patundur në qëndrimin e saj. Por, ajo që do të shohim është se në Beograd do të fillojë t'i jepet përparësi rrugës drejt Evropës. Pra, nuk do të ndryshojë politika për Kosovën, por rëndësia që do t'i kushtohet asaj në krahasim me integrimin evropian". Server ka thënë se ende mbetet të shihet gjithashtu politika që do të ndjekë Tadiq në lidhje me serbët e Kosovës, por, a kanë funksionuar nxitjet e ndryshme që i janë ofruar Beogradit nga Evropa? Po, përgjigjet analisti Eduard Xhozef, i Universitetit Xhons Hopkins. Dhe çfarë do të thotë kjo për Kosovën? "Në lidhje me Kosovën, kjo do të thotë që Evropa të mos nxitohet për sa u përket çështjeve që mund të jenë të debatueshme dhe të vështira në Beograd. Pra nuk duhet t'u vihen kushte të rrepta"...

KOHA DITORE
Shërbimi Policor i Kosovës ka pasur informacione paraprake për shumicën e veprimeve të strukturave paralele serbe të sigurisë që ishin planifikuar të ndërmerren pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Gazeta ka arritur të siguronte një dosje, të cilën e posedojnë krerët e SHPK-së, e ku shihen detaje rreth informatave të mbledhura nga hetimet për aktivitetet dhe planet e Ministrisë se Punëve të Brendshme të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës dhe liderëve lokalë serbë. Dosja mbulon periudhën kohore dymujore, duke filluar nga gjysma e muajit shkurt deri në gjysmën e dytë të muajit prill. Informacionet e mbledhura aty, të siguruara nga pjesëtarë të SHPK-së, janë dëshmuar si të sakta pas incidenteve që kanë ndodhur në veri të Kosovës, në shenjë kundërshtimi të pavarësisë së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt. Dosja me disa dhjetëra faqe, përmban informacion për shpërndarje të armëve serbëve në veri të Mitrovicës, ndërsa jep edhe identitetin e personave të involvuar në këtë punë. Edhe planet për djegien e kufijve në veri, ngjarjet që i kanë paraprirë këtij incidenti, përshkruhen në detaje në dosje. Raporti bën fjalë edhe për presionet e pjesëtarëve të identifikuar të MPB-së ndaj policëve serbë të SHPK-së për ndërprerjen e raporteve me komandën rajonale në Mitrovicë. Katër ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në mbrëmjen e 21 shkurtit, dy persona kanë shpërndarë armë për serbët, banorë të lagjes Kodra e Minatorëve në veri të Mitrovicës...

INFOPRESS
Zgjedhjet lokale të Serbisë, në Kosovë, janë një manipulim i thjeshtë me serbët e atjeshëm. Kështu ka deklaruar për Radio B92 nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb, Rada Trajkoviq, duke shtuar se puna e kuvendeve lokale nuk do të ketë asnjë efekt, meqë institucionet e Prishtinës kanë përkrahjen ndërkombëtare. Trajkoviq mendon se e gjitha që ka bërë Koshtunica dhe "blloku popullist" është një manipulim i plotë me serbët e Kosovës. Ajo ka shtuar se as Koshtunica nuk beson se do të mund ta mbajë kapacitetin e plotë të sovranitetit të Serbisë në Kosove, ngase edhe vetë ai e kupton këtë realitet. Trajkoviq ka thënë se as në Graçanicë nuk ekziston tërësia territoriale. "Janë disa atje të cilët do të krijohen si dofarë kryetarë komunash, të cilët nuk do të kenë mekanizma institucionalë që çfarëdo qoftë të funksionojë në dobi të bashkësisë, e cila i ka zgjedhur, për shkak se janë plotësisht jolegjitimë. Nuk kanë infrastrukturë institucionale, madje nuk kemi as ndërtesë në të cilën do të vendoseshin 41 këshilltarë", ka thënë Rada Trajkoviq...

LAJM
Kërkesave insistuese të opozitës për mbajtje të zgjedhjeve, në përputhje të plotë me rekomandimet e Pakos Ahtisaari, përfaqësuesit e institucioneve po u shmangen maksimalisht. Bartësit e pushtetit po përpiqen që çështjen e zgjedhjeve ta shndërrojnë në çështje politike, vendimi për të cilin do të merrej brenda institucioneve. Përfaqësuesit e opozitës e konsiderojnë përpjekje për zvarritjen e kohës së mbajtjes së zgjedhjeve këtë strategji të pushtetmbajtësve. Presidenti Fatmir Sejdiu, në takimin e fundit me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se për këtë çështje do të merret një vendim institucional. Megjithatë, presidenti e ka cilësuar kërkesë legjitime atë të Haradinajt, por edhe të përfaqësuesve të tjerë të opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve, në përputhje me rekomandimet e Pakos Ahtisaari. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë do të merret në përputhje me Kushtetutën. Sipas tij, aktualisht në Kosovë institucionet janë legjitime, ndaj nuk ka nevojë për vërtetim të legjitimitetit të tyre...

BOTA SOT
"Republika e Kosovës është nisur me hapa të shpejtë në rrugën e zhvillimit të saj të përgjithshëm, duke pasur si pikësynim kryesor integrimin në strukturat euroatlantike", tha presidenti i Republikës së Kosovës, dr Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi që pati sot me zonjën Delphine Borione, e ngarkuar me punë ne Ambasadën e Francës në Kosovë. Presidenti Sejdiu shprehu besimin e plotë se vendi ynë do të vazhdojë të forcohet si një shtet demokratik e sovran, ndërsa Franca do ta ndihmojë edhe më tej shtetin tonë në rrugën e progresit dhe të
pranimit sa më të shpejtë edhe nga ato vende qe ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Zonja Borione shprehu përkushtimin e Francës për ta ndihmuar Kosovën në rrugën e vet të zhvillimit të gjithëmbarshëm...

EXPRESS
Partia Socialiste e Serbisë (SPS) ka arritur pozicionin më të rëndësishëm që prej vitit 2000, kur Sllobodan Millosheviqi kapitulloi pas disfatës paraprake në Kosovë. Me të dalë rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit, SPS është bërë faktori vendimtar në formimin e Qeverisë së re. Të dy blloqet, nacionalistët dhe demokratët, do të ishin në pozitë të formonin qeverinë nëse arrijnë pajtimin e socialistëve. SPS zhvilloi takimin e parë zyrtar, të mërkurën, me drejtuesit e DSS dhe NSS nën udhëheqjen e Vojsillav Koshtunicës, në ndërtesën e Qeverisë serbe. Takimi do të vazhdojë edhe të enjten me praninë e SRS-së së Tomislav Nikoliqit. "Negociatat ishin konstruktive dhe do të vazhdojnë edhe nesër", ka thënë udhëheqësi i SPS-së, Ivica Daçiq. Daçiq ka thënë se socialistët dhe DSS kanë pikëpamje të njëjta në çështjet shtetërore dhe kombëtare. "Ky është hapi i parë dhe një marrëveshje bazike në politikën e përbashkët të asaj qeverie”...
XS
SM
MD
LG