Ndërlidhjet

logo-print

CSM: "Tadiq kërkon koalicion, shpresë e re për Serbinë"



"Christian Science Monitor"

Në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, javën e fundit, është shtruar pyetja nëse ka shpresë për një të ardhme paqësore në Serbi apo nëse historia në ish-Jugosllavi gjithmonë duhet të formësohet me tragjedi.

Në këtë kuadër, për të arritur deri tek një përgjigje, fituesi i zgjedhjeve parlamentare në Serbi, Boris Tadiq, duhet që brenda 90 ditësh të gjejë një partner koalicioni për të formuar qeverinë.

Por, sipas disa diplomatëve dhe analistëve, zgjedhjet kësaj radhe kanë sfiduar atë profilin nëpërmjet të të cilit serbët janë prezantuar si viktima fataliste, jo të gatshme për të hequr dorë nga mitet antike.

Zoti Marshall Harris, ish-ekspert i Departamentit amerikan të Shtetit mbi Ballkanin, ka thënë se "Serbia ka qenë vendi më i pazhvilluar në Ballkan, i cili gjithmonë ka shikuar drejt lindjes".

"Por, këto zgjedhje”, thotë zoti Harris, “mund të dëshmojnë se nuk është edhe aq zi siç duket, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa do të pranojnë se ka ende shpresa".

Fitorja e demokratëve në Serbi, të paktën me votën e popullit, mund të arsyetojë ata në Evropë, të cilët kanë thënë se Beogradi meriton një dietë të qëndrueshme të sigurimeve pozitive dhe karotave, e jo një qëndrim të ashpër dhe shkopinjtë për ta mbajtur Serbinë në izolim deri në dorëzimin e të akuzuarve për krime lufte.

Disa analistë thonë se serbët mund të jenë ndier shumë krenarë për t'u anëtarësuar në institucionet sikur që është Bashkimi Evropian; por, me ekonominë e tyre të lëkundshme, shumë serbë tashmë janë duke shikuar vendet fqinje përreth dhe duke u përballur me realitetin.

Kjo klimë në Serbi mund ta ketë detyruar Tadiqin dhe demokratët që me ashpërsi të kundërshtojnë shtetësinë e Kosovës dhe pavarësinë e saj. Por, në mesin e demokratëve, megjithatë, ekziston një mirëkuptim i pathënë, se Serbia nuk do të hyjë në luftë për të rimarrë Kosovën.

Partia Radikale, ndërkaq, po të fitonte një mbështetje më të fuqishme, mund t’i përkrahë bandat dhe kaosin në rajonin e Mitrovicës.

Në Kosovë po mbretëron një ndjenjë më e lehtësuar në mesin e zyrtarëve perëndimorë, duke e parë si të pamundshëm koalicionin midis forcave radikale, të cilin ata e konsiderojnë si makth. Por, me gjithë lehtësinë që është krijuar, nacionalistët thonë se ata ende mund të fitojnë mbështetjen e shumicës parlamentare për të formuar qeverinë e tyre.

Zoti Tadiq tani përpiqet ta bindë Partinë Socialiste për të hyrë në koalicion me të, partinë e dikurshme të Sllobodan Millosheviqit, por, i këtillë është Ballkani.
XS
SM
MD
LG