Ndërlidhjet

Hasani: Konfuzioni EU-OKB cenon pakon e Ahtisaarit


Ismail Hasani

Ismail Hasani

"Nëse shpërfaqet edhe më tutje kjo përplasje, atëherë mund të ketë pasoja në partneritet me institucionet e Kosovës", thotë analisti Ismail Hasani, për Radion Evropa e Lirë.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Hasani, si i shihni zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke marrë për bazë edhe zgjedhjet serbe, të cilat u zhvilluan në Kosovë?

ISMAIL HASANI
Tani mund të thuhet se zhvillimet politike në Kosovë kanë një trend normal, përkundër shqetësimeve që bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet legale në Kosovë patën ngritur para se ato të ndodhnin.

Domethënë, ishin të pranishme përpjekjet për t'i parandaluar ato, sidomos zgjedhjet lokale. Megjithatë, procesi rrodhi, por nuk ka konsekuenca të padëshirueshme, aq sa njerëzit kanë pasur shqetësimin para se ky proces të ndodhte.

Përndryshe, sa u përket zhvillimeve të përgjithshme politike, mund të thuhet se ka një trend të stagnacionit, në kuptimin pozitiv të fjalës, sa i përket jetës institucionale dhe zhvillimeve politike në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili mendoni se do të jetë ndikimi i këtyre zgjedhjeve në Kosovë?

ISMAIL HASANI
Marrë për bazë jetën institucionale në Kosovë dhe platformën që kanë mekanizmat ndërkombëtarë, që janë të involvuar në zhvillimet politike në Kosovë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, nuk mund të ketë implikime të drejtpërdrejta politike në kuptimin negativ të fjalës.

Mbase, nuk përjashtohet mundësia që qarqe të ndryshme, të mbështetura nga politika të caktuara, segmente të caktuara të politikës agresive që vjen nga Beogradi, mund të inskenojnë situata të ndryshme të përpjekjeve, për të ndërtuar paralelizma në Kosovë.

Por, në mënyrë legale, në mënyrë legjitime, nuk mendoj se do të ketë situata të tilla, që mund të jenë shqetësuese për realitetin në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Veriu i Mitrovicës po vazhdon të mbetet problem për Kosovën. A mendoni se ka angazhim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, që vërtet të zgjidhet kjo çështje?

ISMAIL HASANI
Unë mendoj se institucionet vendore janë të limituara sa i përket integrimit të tërësishëm apo edhe integrimit të pjesshëm të veriut të Kosovës në jetën institucionale në Kosovë.

Jo vetëm para aprovimit të Kushtetutës së Kosovës, por mbase edhe pas aprovimit të Kushtetutës së Kosovës, një situatë të tillë mund të kemi.

Problemi është se ky proces i integrimit të vështirë duhet të kuptohet si proces real. Në këtë kuptim, mendoj se edhe institucionet vendore, edhe faktori ndërkombëtar duhet të bëjë përpjekje që të jetojë me logjikën e blerjes së kohës për integrim të kësaj pjese të Kosovës, e cila de facto është jashtë jetës institucionale në Kosovë.

Por, ne duhet të kemi parasysh se frustrimet që kanë ndodhur pas aktit të shpalljes së pavarësisë në njërën anë dhe, në anën tjetër, veprimi edhe më tutje i këtyre trafikantëve, që bëjnë përpjekje edhe më tutje të jetojnë me ëndrrat e para 17 shkurtit, mbase kanë efektin e vet dhe nuk lënë mundësi që mos të vërehen këto pasoja në lëvizjet e përgjithshme që manifestohen në jetën joinstitucionale në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, pas 15 qershorit pritet një reduktim i UNMIK-ut dhe marrja e detyrave nga EULEX-i, i cili nuk pranohet në veri të Kosovës. Si e parashihni situatën pas kësaj date?

ISMAIL HASANI
E para në çka mendoj se faktori ndërkombëtar do të duhej të llogariste, është një partneritet konfidencial midis EULEX-it dhe OKB-së.

Unë mendoj se edhe më tutje ka përplasje, mund të jetë përplasja jo e drejtpërdrejtë midis EULEX-it dhe OKB-së, përfaqësuesit special në Kosovë, por nëse shpërfaqet edhe më tutje kjo përplasje apo mungesë komunikimi, atëherë mund të ketë pasoja në partneritet me institucionet e Kosovës për ndërtimin e një platforme të përbashkët e që ka për detyrë implementimin e Kushtetutës së Kosovës që nga 16 qershori.

Nëse nuk ndodh kjo, fillimi i implementimit të Kushtetutës së Kosovës që nga 16 qershori, në partneritet midis përfaqësuesit special të OKB-së, EULEX-it e posaçërisht institucioneve të Kosovës, atëherë mund të llogarisim se cenojnë pakon e Ahtisaarit, mbi të cilën është ndërtuar edhe shteti i Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, për 3 muaj, Kosovën e kanë njohur vetëm 40 shtete. Disa zëra ngrenë shqetësimin për faktin se kjo mund të ndikojë negativisht në funksionalizimin e shtetit të Kosovës. Si e shihni ju këtë dinamikë të njohjes?

ISMAIL HASANI
Dyzet shtete nuk janë pak. Nuk janë pak edhe për faktin se një pjesë e konsiderueshme që kanë bërë njohjen imediate të shtetit të pavarur të Kosovës, janë shtete që kanë peshën e vet jo vetëm në diplomaci, por edhe në GDP, në përmasa botërore.

Problemi është i numrave. Nëse operojmë me statistikë, unë mendoj se dinamika në të cilën zhvillohet aktiviteti i lobimit në Kosovë, do përforcime. Mendoj që përforcimi do të duhej të jetë nga veprimi i të ashtuquajturës diplomaci parlamentare.

Është e kotë që një ministër i painstaluar zyrtarisht në dikasterin e vet, me stafin mbështetës që mund ta ketë po ashtu modest, të shëtisë nëpër botë dhe të shkojë nëpër kancelari dhe të depozitojë aplikim në stilin "të lutëm më prano shtet të pavarur", sepse rruga e pranimit dhe e njohjes ndërkombëtare, përkatësisht rruga e lobimit për njohje ndërkombëtare është ndryshe.

Praktikat tregojnë se lobimi bëhet ndryshe dhe në këtë rast mendoj se diplomacia parlamentare do të ishte ndihmesë, po ashtu siç do të ishte ndihmesë edhe lobimi nëpër masa të gjera – shfrytëzimi i shoqërisë civile, shfrytëzimi i intelektualëve, i profesoratit, i njerëzve që kanë lidhje direkte apo indirekte me mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë, gjithnjë në të mirë të çështjes së Kosovës.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG