Ndërlidhjet

Prishtina përgatitet të marrë pushtetin e plotë pas 15 qershorit


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka filluar përgatitjet për të marrë nën ushtrimin e saj përgjegjësitë shtetërore që nga 15 qershori, kur hyn në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës.


Ndërsa UNMIK-u, këtë javë, në disa raste e ka përsëritur se ende nuk e di se çfarë roli dhe përgjegjësie do të ketë administrata e OKB-së në Kosovë pas 15 qershorit, kryeministri Hashim Thaçi tha sot se institucionet e Kosovës do të ushtrojnë autoritetin e plotë shtetëror në gjithë territorin e vendit.

Thaçi tha se i tërë procesi i tranzicionit dhe kalimit të kompetencave nga administrata e Kombeve të Bashkuara te institucionet e Kosovës, do të jetë i koordinuar dhe harmonizuar me bashkësinë ndërkombëtare.

“Po i ofrohemi 15 qershorit, kur do të futet në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, kushtetuta e shtetit të Kosovës dhe natyrisht se do të vazhdohet me funksionimin normal dhe efikas të institucioneve të shtetit të Kosovës në gjithë territorin”.

“Gjithë ky proces është bërë në koordinim dhe harmonim të plotë me autoritetet civile dhe ato ushtarake ndërkombëtare”, theksoi Thaçi.

Ndërsa pritjet e institucioneve kosovare janë që funksionimi i Kosovës si shtet të fillojë nga 15 qershori e tutje, kryeministri tha po ashtu se ka shenja pozitive nga vende të ndryshme se duan ta njohin shtetin e Kosovës.

Në këtë plan, ai tha se do të ketë edhe një angazhim shtesë lobimi për njohjen e Republikës së Kosovës.

Thaçi tha se Kosova pret që donatorët ndërkombëtarë ta mbështesin rimëkëmbjen e Kosovës, si shteti më i ri në botë, edhe në Konferencën e donatorëve, që është paralajmëruar të mbahet në muajin korrik.

Ai shprehu besimin e tij se Kosova do të përfitojë mjaft mirë nga kjo konferencë.

“Përgatitjet për Konferencën e donatorëve janë në fazën intensive. Dua të besoj se do të jemi të përgatitur mirë dhe së shpejti do ta kemi një prezantim para mekanizmave përkatës ndërkombëtarë, për t’i prezantuar përgatitjet tona serioze”.

“Do t’i marrim rekomandimet shtesë, vërejtjet dhe sugjerimet, në mënyrë që të jemi të kompletuar dhe jam i sigurt se Kosova do të ketë sukses meritor në Konferencën e donatorëve që do të mbahet në korrik”,
u shpreh Thaçi.

Kryeministri kosovar tha se së shpejti fillon dhe faza implementuese e pakos së Ahtisaarit dhe që nënkupton dhe zbatimin e obligimeve që Kosova i ka marrë si shtet para bashkësisë ndërkombëtare.

Në kuadër të zbatimit të pakos së Ahtisaarit, presidenti Fatmir Sejdiu ka ftuar sot partitë politike që të bisedojnë dhe procesin e ardhshëm zgjedhor dhe sistemin që do të aplikohet.

Pakoja e Ahtisaarit parasheh që brenda nëntë muajve pas hyrjes së saj në fuqi, të mbahen zgjedhje të lira në të dyja nivelet. Por, në këtë pikë ka disa mospajtime te partitë në pushtet dhe opozita, sidomos për zgjedhjet në nivelin qendror.
XS
SM
MD
LG