Ndërlidhjet

"Negociatat për Kosovën kanë përfunduar përgjithmonë"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
INFOPRESS
Përderisa shteti i Kosovës njihet vazhdimisht nga shtetet e ndryshme të botës, politika ruse tenton që ta rikthejë politikën e vjetër në skenë. Kërkesa e ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, për rishikim të pavarësisë së Kosovës nga shtetet që e kanë njohur deri tani, nga institucionet e Kosovës është konsideruar si e paarsyeshme. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë pas mbledhjes së qeverisë, të enjten, se njohja e pavarësisë së Kosovës po vazhdon me intensitetin e duhur. Ai ka thënë se Rusia nuk ka qasje reale për zhvillimet politike që po ndodhin në Kosovë. "Rusia ende nuk ka një qasje reale për zhvillimet politike që po ndodhin ne Kosovë. Besoj që kjo është një çështje e paarsyeshme në përputhje me kohën që po kërkohet", ka thënë Kuçi. Ai ka thënë se njohja po ecën me intensitet, ndërkaq ka shtuar se Prishtina pret njohjen edhe të vetë Rusisë...

EXPRESS
Kosova dhe shtetet fqinje të saj mund të bisedojnë për çështje të interesit të ndërsjellë, por negociatat për statusin e Kosovës kanë përfunduar përgjithmonë, ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni. Ai është kthyer mbrëmë nga vizita disaditëshe në Amerikën Qendrore, ku ka kërkuar nga përfaqësuesit e shteteve të këtij rajoni njohje sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës. "Negociatat për statusin e Kosovës kanë marrë fund. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Është njohur nga më tepër se 40 shtete. Njohja e shtetit të pavarur të Kosovës po vazhdon", ka thënë Hyseni për Express, të mërkurën, duke komentuar deklaratën e shefit të diplomacisë ruse, Sergey Lavrov, se Rusia, Kina dhe India kërkojnë rifillim të bisedimeve për Kosovën…

LAJM
Kanë kaluar tre muaj dhe zyrtarisht asnjë kompetencë, qoftë ekzekutive apo administrative, nuk është transferuar nga UNMIK-u tek institucionet e Kosovës, ndërkohë që ka mbetur saktësisht edhe një muaj, kur do të duhej të përfundonte procesi transitor. Mbetet pikëpyetje, nëse më 15 qershor hyn në fuqi Plani i Ahtisaarit, e fillon punën EULEX-i dhe të gjitha përgjegjësitë që aktualisht i mban shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, barten "en bloc" tek institucionet e Kosovës. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë më 15 qershor - nëse Këshilli i Sigurimit nuk merr një vendim - kur Kushtetuta hyn në fuqi dhe kur përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës do të provojnë t'i marrin të gjitha përgjegjësitë që burojnë nga ky dokument, por që aktualisht ushtrohen nga Rueckeri. Se a do të ketë përplasje ndërmjet Rueckerit dhe kosovarëve rreth kompetencave dhe çfarë do të ndodhë më 10 qershor, kur Rezolutës 1244 i verifikohet mandati apo shfuqizohet, këto janë pyetje që edhe UNMIK-u çdo ditë ia bën vetvetes, por në të cilat nuk gjen përgjigje. "Tash për tash nuk kam përgjigje në këto pyetje. Presim të shohim se çfarë do të ndodhë edhe një muaj. Momentalisht, po zhvillohen negociata ndërmjet Shtabit Qendror në Nju Jork, Brukselit dhe aktorëve tjerë rreth rikonfigurimit të UNMIK-ut, por ende nuk ka vendim. Na duhen udhëzime të qarta nga Nju Jorku rreth asaj se çfarë do të bëjmë, kur Kushtetuta hyn në fuqi", tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko...

KOHA DITORE

Të gjitha marrëveshjet e shpien SPS-në në pushtet. Partia që dikur udhëhiqej nga diktatori i ndjerë, Slobodan Milosheviq, do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme të Serbisë, cilado që të jetë ajo qeveri. Mirëpo, mbështetur në deklaratat e dhëna në shtypin serb, duket se socialistët do të zgjedhin që të jenë pjesë e qeverisë me radikalët dhe demokratët serbë të Koshtunicës. Kjo do të nënkuptonte që demokratët e rrethuar në një koalicion rreth presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, ndonëse kanë fituar bindshëm numrin më të madh të votave ne zgjedhjet e 11 majit, do të mbeten në opozitë. Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar të enjten se tashmë është arritur një marrëveshje parimore me DSS-në e Koshtunicës dhe me radikalët e Tomislav Nikoliqit për të formuar qeverinë dhe se qeveria do të formohet menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion...

ZËRI

Nuk ka informata që kreu i Kosovës është i përfshirë në bisedimet për ardhmëninë e UNMIK-ut, të cilat gjithsesi do të kenë ndikim në zhvillimet në Kosovë pas 15 qershorit. Faktori vendor, ai kosovar pra, vazhdon të mos jetë i përfshirë në bisedimet që po zhvillohen në Nju-Jork, midis përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe të OKB-së, për mënyrën se si do të funksionojë prania civile ndërkombëtare në Kosovë pas 15 qershorit, datë e cila lidhet me një ngjarje të dorës së parë, në të cilën ka pasur rol shumë të rëndësishëm Prishtina zyrtare: Me përgatitjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Faktori kosovar ka përkrahur, në disa mënyra, skenarin e presidentit Martti Ahtisaari, sipas të cilit, UNMIK-u do të largohej nga Kosova, pas skadimit të periudhës katërmujore transitore...

EPOKA E RE
"Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një shteti të ri demokratik e multi-etnik që respekton të drejtat e të gjitha pakicave, rajoni ynë ka fituar një paqe dhe stabilitet afatgjatë dhe synimi e orientimi i mbarë Ballkanit duhet të jetë integrimi euroatlantik". Kështu ka deklaruar presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, gjatë takimit me liderët e lartë shtetërorë të Izraelit. Presidenti i Shqipërisë ka marrë pjesë në festimin e 60-vjetorit të krijimit të shtetit të Izraelit dhe në Konferencën Presidenciale 2008 me udhëheqës nga mbarë bota për ta shprehur vizionin e tyre për të ardhmen...

BOTA SOT
Fushata "Ejani në Evropë!" me vetë titullin (dhe meqë Kosova ende nuk është integruar në Evropë), nënkupton shpalljen e një kriteri të ri që kërkohet të plotësohet për të marrë vizën e integrimit. Që të mos përsëriten normat e kërkuara dikur nga Kosova për "plotësim standardesh", pra që të mos duket se po vihen standarde mbi standardet e realizuara, tash fushata mban një detyrë të re, "shpjegimin e përgjegjësisë së BE-së për praninë e re të saj në Kosovë". Pikësëpari nuk dihet kujt ka nevojë t'i jepen shpjegime, kur Kosova ka Kushtetutën që është shkruar (dhe aprovuar në Parlament) dhe e cila është përpiluar në baze të kritereve të politikës evropiane që ka për Kosovën, si dhe Pakos së Ahtisaarit. Aprovimi i Kushtetutës dhe vetë Kushtetuta është një platformë politike zyrtare. Është fakt se UNMIK-u ende pa ardhur 15 qershori "merr vendim të prerë” të qëndrojë në Kosovë dhe diskuton modalitetin e "rikonfiguracionit" të veprimtarisë dhe kompetencave të tij në Kosovë (nëpërmjet bisedimeve me Beogradin)...

KOSOVA SOT
Përfaqësues të PDK-së dhe LDK-së kanë vlerësuar si të suksesshëm bashkëpunimin e tyre në bashkëqeverisjen e vendit. Këto dy subjekte, të cilat gjatë mandateve të kaluara të jetës parlamentare kanë qenë kundërshtarë të fuqishëm ndaj njëra-tjetrës, tashmë janë bërë partnerë të fortë në qeverisje. Madje, në mbledhjet e rregullta të Qeverisë qartazi duket se dy partnerët vazhdojnë të thellojnë frymën e tyre të bashkëpunimit, me gjithë disa zëra që dëgjohen nga grupe të ndryshme brenda dy kampeve, të cilat vënë në dilemë bashkëqeverisjen deri në fund të mandatit. Mirëpo, përfaqësues të këtyre dy subjekteve brenda Qeverisë shprehen të kënaqur me frymën e partneritetit të koalicionit. Dy zëvendëskryeministrat e Qeverisë nga të dy krahët, njëri nënkryetar i PDK-së, Hajredin Kuçi, dhe tjetri sekretar i përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj, thonë se bashkëqeverisja është mjaft funksionale...
XS
SM
MD
LG