Ndërlidhjet

logo-print

Kërkesat për rifillim bisedimesh për statusin - joracionale


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Institucionet e Kosovës thonë se nuk ka kurrfarë baze për vazhdimin e bisedimeve për statusin, ngase pavarësia e Kosovës është çështje e kryer.


Prishtina zyrtare e konsideron si joracionale kërkesën e ministrave të Jashtëm të Rusisë, Kinës dhe Indisë, për rifillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës.

Qeveria dhe deputetët kosovarë konsiderojnë se pavarësia është një kapitull i mbyllur, që është pasuar edhe me njohjen e Kosovës nga vendet më të fuqishme botërore.

Ndërkohë që serbët e Kosovës mbështesin idetë që vijnë nga Moska dhe aleatët e saj.

Mirëpo, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se Moska në vazhdimësi ka luajtur një rol jo të drejtë në raport me Kosovën dhe aspiratat e shumicës për liri e pavarësi. Kurse kërkesa për rifillim bisedimesh, sipas tij, nuk është aspak racionale.

“Rusia nuk ka një qasje ende reale për zhvillimet politike që po ndodhin në Kosovë. Besoj që kjo është një çështje iracionale në përputhje me kohën që po kërkohet. Ky vendim tanimë ka marrë rrjedhën e vet dhe Kosova pret njohje tjera, përfshirë edhe nga vetë Rusia dhe mendoj se kjo do të ndodhë”, ka thënë Hajredin Kuçi.

Shefat e diplomacive nga Rusia, Kina dhe India kanë kërkuar që për statusin e Kosovës të hapet një proces i ri bisedimesh që do të zhvillohej nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara dhe që do të prodhonte një zgjidhje që do të ishte në harmoni me të Drejtën Ndërkombëtare.

Por, kërkesa e Rusisë dhe aleatëve për rifillimin e negociatave për statusin e Kosovës, vlerësohet se nuk përkon me kohën dhe momentin edhe nga ana e deputetëve kosovarë.

Ibrahim Makolli, deputet opozitar nga AKR-ja, thotë se asnjë përpjekje për ta kthyer procesin prapa nuk do të ketë sukses.

“Shteti i Kosovës tashmë është një akt i kryer, është pranuar nga një numër i shteteve më të fuqishme ndërkombëtare dhe çdo përpjekje për ta kthyer këtë proces prapa, natyrisht që nuk do të ketë rezultate. Për më tepër, kjo flet edhe për mungesën e sinqeritetit, por edhe mungesën e politikave progresive nga ana e Rusisë”,
tha Makolli.

Në anën tjetër, serbët e Kosovës e mbështesin nismën ruse. Nebojsha Joviq, një përfaqësues serb nga Mitrovica, thotë se vazhdimi i bisedimeve do të mund të sillte një zgjedhje të drejtë për Kosovën.

“Serbia, Rusia dhe të gjitha vendet që respektojnë të Drejtën Ndërkombëtare, vazhdimisht kanë shumë iniciativa që të niset diçka edhe nga pika zero dhe që të arrihet diçka jo vetëm që Serbia të fitojë, por që krejt Evropa dhe bota të mos humbin”, tha Joviq.

Sidoqoftë, institucionet e Kosovës, këto ditë, parashohin të fillojnë edhe një fazë të re lobimi në mbështetje të pavarësisë së Kosovës.

Po ashtu, krerët e këtyre institucioneve thonë se nga 15 qershori, Kosova do të funksionojë si shtet, duke i marrë mbi vete edhe përgjegjësitë që i ka ushtruar këto nëntë vjet administrata e Kombeve të Bashkuara.

Ndryshe, Kosovën e kanë njohur deri më tash 40 vende, prej tyre 19 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe 7 vende nga Grupi i vendeve më të industrializuara, G-8.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG