Ndërlidhjet

logo-print

Krasniqi: Në veri të Kosovës do ketë vështirësi


Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi

"Në pjesën veriore do të ketë vështirësi, por ato vështirësi, me kalimin e kohës, do të zgjidhen në favor të tërësisë territoriale të Kosovës", thotë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në intervistë për Radion Evropa e Lirë.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Krasniqi, Rusia, India dhe Kina kanë propozuar bisedime shtesë për Kosovën. A mund të reflektojë negativisht ky propozim te ato vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën?

JAKUP KRASNIQI
Sigurisht që mund të ketë edhe ndikime negative në ndonjë vend të botës, për shkak se këto tri vende janë së paku vende me një fuqi njerëzore.

Është vërtet e pakuptimtë kërkesa sidomos ruse, e cila ka qenë e kyçur gjatë gjithë këtij procesi, duke qenë edhe anëtare e Grupit të Kontaktit, ka marrë pjesë në të gjitha bisedimet që janë zhvilluar në Vjenë në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë dhe, në një mënyrë, ka qenë nënshkruese e shumë dokumenteve.

Ka qenë nënshkruese edhe e deklaratës për mosndryshim të kufijve, për mosbashkëngjitjen e Kosovës ndonjë vendi tjetër dhe ka qenë gjithashtu për atë se nuk do të ketë kthim para vitit 1999.
Kërkesa për bisedime është një shantazh që i bëhet jo vetëm Kosovës, por gjithë botës demokratike.


Ne konsiderojmë se është një shantazh që i bëhet jo vetëm Kosovës, por gjithë botës demokratike. Por, ne jemi të bindur se procesi i Kosovës ka hyrë në fazën finale, Kosova e ka shpallur deklaratën e pavarësisë dhe e kanë njohur 40 vende; e kanë njohur 40 vende që kanë gati 70 për qind të GDP-së kombëtare botërore.

Dhe, sigurisht që vala tjetër e njohjes së Kosovës nga vendet e botës do të vazhdojë dhe është në rrugë të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Një muaj para se të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, nuk ka sqarim të rolit të misioneve ndërkombëtare pas 15 qershorit. Si e shihni qeverisjen pas kësaj date?

JAKUP KRASNIQI
Në fakt, po të analizohet mirë dhe të lexohet dokumenti gjithëpërfshirës i presidentit Ahtisaari dhe tani edhe Kushtetuta e Kosovës, e miratuar më 9 prill, që do të hyjë në fuqi pas 15 qershorit të këtij viti, mendoj se çështjet definohen qartë.

Administratës ndërkombëtare i harxhohet mandati, shumë përgjegjësi kalojnë te institucionet e Kosovës, kurse EULEX-i dhe nëpunësi civil ndërkombëtar merr kompetenca shtesë.

Në një mënyrë, ai është person që e cakton Bashkimi Evropian në bashkëpunim me OKB-në. Dhe, në këtë rast, mendoj se gjërat në letra janë shumë mirë të qartësuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni se do të ketë dualizëm misionesh të BE-së dhe OKB-së?

JAKUP KRASNIQI
Mund të ketë, por unë besoj që BE-ja dhe OKB-ja do ta gjejnë mënyrën më të mirë të kombinimit të përgjegjësive të tyre.

Përndryshe, për institucionet e Kosovës është e qartë se përgjegjësia e tyre është pas 15 qershorit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ky dualizëm pritet të vërehet më shumë në veri të Mitrovicës, ku ende nuk pranohet misioni i BE-së. Si organi më i lartë i shtetit, çfarë do të bëjë Kuvendi që ta kthejë gjendjen normale në veri?

JAKUP KRASNIQI
Të gjitha angazhimet dhe gjithë punën që kemi bërë gjatë këtyre viteve, e sidomos punën që kemi bërë prej 17 shkurtit të këtij viti, e kemi bërë në koordinim me BE-në, SHBA-të, me komunitetin ndërkombëtar.

Ne do t’i koordinojmë punët edhe në atë pjesë të botës. Ne e dimë se do të ketë pengesa edhe për ndonjë kohë, por tërësia territoriale e Kosovës është njohur dhe garantuar edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Prandaj, mendoj se zgjidhjet do të bëhen në koordinim të plotë dhe pa dhimbje, natyrisht në shërbim të proceseve të integrimit të qytetarëve të Kosovës në institucionet e saj.

Sigurisht se në pjesën veriore do të ketë vështirësi, por ato vështirësi, me kalimin e kohës, do të zgjidhen dhe do të zgjidhen në favor të tërësisë territoriale të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Serbi ende nuk është e qartë se kush do të formojë koalicionin qeveritar, ndërkohë që duket se këtë mund ta bëjnë edhe radikalët. Çfarë efekti në Kosovë do të kishte cilado formulë e qeverisjes?

JAKUP KRASNIQI
Po të analizohen mirë deklarimet e politikës serbe për Kosovën, Kosova, më tepër se dy dekada, është problem që ata e shfrytëzojnë për konsum të brendshëm. Natyrisht edhe këto zgjedhje u përdoren nga forcat politike në Serbi për konsumin e brendshëm të tyre.

Në këtë rrafsh, nuk ka dallime mes krahut që po cilësohet si pro-evropian dhe krahut tjetër si pro-rus.

Megjithatë, është në interesin e qytetarëve të Serbisë që ata t’i zgjidhin problemet e tyre edhe politike, edhe ekonomike, edhe sociale që i kanë dhe ata ta ndjekin rrugën e vet të integrimit në botën demokratike.

Kosova tanimë është përcaktuar për rrugën e vet drejt integrimeve në BE dhe në trupat tjerë euroatlantik.

Ndikimet mund të jenë më tepër ndikime që reflektohen te një numër i kufizuar i qytetarëve të Kosovës. Do të thotë, koalicionet mund të ndihmojnë në përshpejtimin e integrimit të qytetarëve serbë të Kosovës në institucionet e Kosovës ose mund ta pengojnë këtë integrim.

Por, refleksione të tjera, Serbia në Kosovë e ka vështirë të bëjë pas shpalljes së pavarësisë së saj.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG