Ndërlidhjet

Hallet e shqiptarëve në veri të Mitrovicës


Qyteti i Mitrovicës

Qyteti i Mitrovicës

Varfëria prej rreth 60 për qind, që, sipas Bankës Botërore, është e pranishme në Mitrovicë, ndikon edhe në mungesën e sigurisë. Të paktën këtë përshtypje kanë banorët shqiptarë, që jetojnë në pjesën veriore.


Nëse konceptet e tyre për politikë dhe për të ardhmen e vendit ndryshojnë, të paktën një gjë e kanë të përbashkët shqiptarët dhe serbët e veriut të Mitrovicës - varfërinë.

Kjo gjë pohohet nga banorët shqiptarë të Lagjes së Boshnjakëve, lagje kjo e pjesës veriore të qytetit, e banuar me shqiptarë, boshnjakë dhe serbë.

Ragim Azemi, një pensionist shqiptar i kësaj lagjeje, mendon se problemet ndëretnike në veri të Mitrovicës kanë një zgjidhje - punësimi dhe zhvillimi ekonomik.

“Një po ju them, nuk po hyj në baza nacionale, por vetëm në baza ekonomike. Sa i përket çështjes ekonomike, ajo është e dobët për të gjithë, pa marrë parasysh se kush e si, e këtë e dinë politikanët. Çështja ekonomike është nën zero. Pse e them këtë? E them sepse Kombinati Trepça përpara i ka pasur 24 mijë punëtorë, e tani nga ta punojnë vetëm 1200 punëtorë, domethënë punëtoria e Mitrovicës është pa punë. Si s’ka punë - s’ka ekonomi, si s’ka ekonomi - s’ka siguri, si s’ka siguri - s’ka liri”, shprehet Azemi.

Një qytetar tjetër shqiptar i Lagjes së Boshnjakëve, Emir Azemi, thotë se pavarësisht uljes së tensioneve të mëdha që mbretëronin pas 99-ës, shqiptarët ende janë të privuar nga liria e lëvizjes në pjesën veriore, e cila është e banuar me shumicë serbe.

“Më së shumti mungon liria e lëvizjes. Sidoqoftë, ajo tash është në nivel dhe jo siç ka qenë para disa viteve. Por, rinia është e zbehtë, sepse nuk ka perspektivë, sepse në një vend ku nuk ka siguri, ku nuk ka punësim, nuk mund të thuash që je i lirë dhe ke perspektivë, pasi punësimi është mbi gjitha, e punësim nuk ka”, thotë Azemi.

Por, Daut Rrahmani, një banor tjetër shqiptar i pjesës veriore të Mitrovicës, mendon se në vitet e fundit është shënuar një përparim në lirinë e lëvizjes.

”Përpara, më 1999- 2000, në veri nuk ke mundur të shëtisësh fare. Tani mundesh nga pak. Ma merr mendja që do bëhet mirë, duhet jetuar bashkë”, thotë Rrahmani.

Megjithatë, pensionisti Ragim Azemi është skeptik për të ardhmen në Mitrovicë. Ai mendon se nuk janë problemet politike ato që po e ngufasin qytetin, por ato ekonomike.

“Mungon ekonomia, e kur mungon ekonomia, mungojnë të gjitha. Unë i kam 63 vjet dhe 18 vjet kaluan kështu. Nuk jam optimist fare se do të bëhet më mirë, për arsye se Kombinati (Trepça) nuk mund të punojë, ai ka shkuar në mbeturina. Në përgjithësi, 80 për qind e kanë prerë dhe e kanë hedhur në mbeturina të hekurudhës së Shkupit dhe një pjesë për Shqipëri e një për Serbi. Ajo më nuk mund të hyjë në prodhim, se makinat janë hedhur, pa një investim shumë të madh, kombinati do para tepër”, shprehet Azemi.

Ndërkaq, Emir Azemi mendon se, megjithatë, pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve është proces shumë i vështirë, meqë, sipas tij, komuniteti serb në veri vazhdon të jetë i ndikuar nga qarqe të caktuara politike.

“Urrejtja mes dy popujve në veri, siç e dini, është në nivel të lartë, meqë strukturat paralele e kanë zhytur popullin në nacionalizëm të thellë, duke mos lejuar që të bashkohet populli, që populli është në pajtim, si ai serb, si ai shqiptar, që të bashkëpunojnë, që të jetojnë si në të kaluarën, por ata po shtyhen nga një grup i vogël ekstremist që të mos bashkohen, sepse atyre po u konvenon. Por, unë mendoj se në të ardhmen e afërt, duke i parë edhe vetë zgjedhjet e popullit serb në Serbi, mendoj se gjërat do të ndryshojnë dhe populli do të shohë dhe do të drejtohet drejt Evropës”, thotë Azemi.

Ndryshe, shqiptarët që kanë jetuar në pjesë tjera të veriut të Mitrovicës, për shkaqe të sigurisë ende nuk mund të kthehen në pronat e tyre, ndërkaq një numër i tyre tashmë i ka shitur shtëpitë dhe pronat.

Kjo çështje është ngritur nga liderët shqiptarë mitrovicas, të cilët kanë shfaqur shqetësimin se veriu po shpopullohet nga shqiptarët.

Në anën tjetër, serbët në veriun e Kosovës nuk u janë bindur deri më tani institucioneve të Kosovës, duke përqafuar strukturat paralele të Qeverisë serbe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG