Ndërlidhjet

Akreditimi i universiteteve private



Sot është dita e fundit për aplikimin e universiteteve private për akreditim. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, thotë se një numër i universiteteve kanë aplikuar, por jo të gjitha institucionet private që veprojnë në Kosovë.

Kriteret për akreditim, ministri Hoxhaj thotë se janë të parapara me Ligjin e Arsimit të Lartë, ligj ky që është miratuar në vitin 2003 në Kuvendin e Kosovës. Përveç kësaj, ai thotë se shumë kritere do të rrjedhin edhe nga Deklarata e Bolonjës, që parasheh se çfarë standardesh dhe çfarë objektivash duhet të ketë arsimi i lartë.

“Për mendimin tonë janë kritere që mund të përmbushen, meqë janë kritere që bartësit e arsimit të lartë i njohin që pesë vjet. Nuk ka ndonjë gjë që është e parashikueshme ose ndonjë befasi. Ajo çka kërkojmë është që procesi t’i përfshijë të gjithë ata që janë të interesuar që të marrin licenca dhe nuk do të ketë licenca të reja, në qoftë se universitetet private nuk janë të akredituara”, thotë Hoxhaj.

Megjithatë, Hoxhaj pohon se Kosova ka nevojë për institucione private dhe për rritje të nivelit të arsimit të lartë në Kosovë, pasi, sipas tij, pjesëmarrja e të rinjve në arsimin e lartë është më e ulëta në Evropë.

Por, në këtë kuadër, ministri Hoxhaj thotë se Kosova ka nevojë që në universitetet e akredituara të ketë cilësi të lartë të arsimit.

“Ne jemi të interesuar që të sigurojmë të drejtën në arsim. Në asnjë formë nuk do të ndodh që dikush të përjashtohet nga e drejta në arsim. I tërë procesi është i rëndësishëm që të rinjtë tanë të marrin arsim sa më cilësor dhe të jenë në gjendje që me arsimin që marrin, të kenë një mirëqenie ekonomike individuale edhe familjare”, shprehet Hoxhaj.

Ndryshe, disa herë deri më tani, ekspertë të arsimit, cilësinë e arsimit e kanë vlerësuar nën nivelin e duhur, për shkak të mosakreditimit të universiteteve private.

Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se cilësia aktuale e arsimit nuk jep ndonjë siguri për një zhvillim të përshpejtuar të Kosovës. Sipas tij, disa universitete private më shumë kanë pasur karakter komercial sesa arsimor.

“Nuk është e kënaqshme dhe është shumë larg standardeve edhe në Universitetin Publik. Por, universitetet private, sipas bindjes sime, më shumë kanë pasur karakter komercial -nuk flas për të gjitha, sigurisht se në mesin e tyre ka përjashtime - dhe për këtë arsye në universitet private, cilësia e arsimit është më e ultë dhe jo në favor të interesave të qytetarëve dhe të interesave të vendit”, tha Hyseni.

Hyseni beson se me akreditimin e institucioneve private të arsimit të lartë, do të përmirësohet edhe cilësia e arsimit.

“Unë shpresoj dhe besoj se do të licencohen ato universitete që kanë cilësi, të garantojnë një qëndrueshmëri në të ardhmen dhe të shtohet konkurrenca”, thotë Hyseni.

Ndryshe, në Kosovë veprojnë 32 universitete private, ndërkaq sa prej tyre do të akreditohen, ende nuk dihet.

Ky proces do të kontrollohet nga Këshilli Britanik për Akreditim, institucion ky që ka akredituar mbi 240 universitete në botë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG