Ndërlidhjet

logo-print

Dervishi: Lobimi lindor kundër pavarësisë dhe aleatëve të Kosovës


Teki Dervishi

Teki Dervishi

"Kërkesat për bisedime të reja për Kosovën janë kërkesa megalomane të Rusisë dhe kjo shkon në vazhdën e lobimeve që bën Serbia e "blloku lindor", për t'i shpallur luftë politike Kosovës dhe aleatëve të saj", thotë Teki Dervishi, analist dhe publicist.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dervishi, si e shihni Kosovën sot, tre muaj pas shpalljes së pavarësisë?

TEKI DERVSHI
Shpallja e pavarësisë së Kosovës, për mua personalisht po mendoj, është një akt historik jo vetëm nga aspekti politik, por edhe nga aspekti i përgatitjes së qytetarëve të Kosovës për një datë dhe një ditë, për të cilën kanë luftuar një kohë shumë të gjatë.

Domethënë, vetë ky akt është i mjaftueshëm, edhe nëse gjatë këtyre tre muajve nuk është parë as një ingirencë e vogël e pavarësisë së Kosovës, ose një fuqi minimale që do ta tregonte sovranitetin e këtij shteti.

Por, për ne pavarësia e Kosovës është një akt i kryer. Mjafton që atë e kanë pranuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nëse kështu vazhdon ecuria e ndodhive politike në linjën e relativizimit të pavarësisë së Kosovës nga shumë fuqi ndërkombëtare, atëherë do të ndodhë që Kosova të mësojë ta mbrojë pavarësinë.

Deri tani kemi menduar se pavarësia do të zgjidhë çdo gjë. Tash do të mësohemi ta mbrojmë pavarësinë. Këtë pavarësi askush më nuk do të mund ta relativizojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kina, Rusia dhe India kanë kërkuar bisedime shtesë për çështjen e Kosovës. Si do t’i cilësoni ju këto kërkesa?

TEKI DERVISHI
Këto janë kërkesa megalomane të Rusisë. Ndikimi i saj në shtetin e Kinës dhe të Indisë, do të shkojë në vazhdën e lobimeve që bën Serbia dhe blloku lindor për t’i shpallur luftë politike jo vetëm Kosovës, por edhe aleatëve të saj.

Po shihet se pse nuk na e kanë pranuar pavarësinë disa shtete, të cilat faktikisht nuk kanë asnjë arsye të mos e pranojnë pavarësinë, jo vetëm të Kosovës, por të asnjë shteti tjetër.

Menjëherë kuptojmë se për Kosovën, jashtë kufijve të saj, bëhen edhe disa luftëra diplomatike dhe lus Zotin që të mbesin aty në diplomaci dhe të mos përfundojnë diku tjetër, gjë që ka gjasë shumë të madhe.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbia ka organizuar zgjedhje vendore në Kosovë, me gjithë kundërshtimin e autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare. Si mendoni se do të pasqyrohen këto zgjedhje në funksionimin institucional të Kosovës?

TEKI DERVISHI
As keq, as mirë. Zgjedhjet lokale (serbe) në Kosovë nuk kanë asnjë rëndësi. Ato janë bërë vetëm për një qëllim, që të relativizohet pavarësia e Kosovës, që të tregohet një agresivitet dhe arrogancë e Rusisë faktikisht, e cila shprehet përmes metodave destabilizuese që i bën Serbia në Kosovë.

Kosova do të vazhdojë procesin e vet të mbrojtjes së pavarësisë. Institucionet e Kosovës do të punojnë. Kështu që jashtë zgjedhjeve të 11 majit është diçka më e rëndësishme, është situata status-quo që është në veri të Kosovës dhe në enklava.

Ato si situata të tilla nuk janë bërë për shkak të zgjedhjeve, janë para zgjedhjeve dhe vazhdojnë pas zgjedhjeve. Do të thotë, Kosova ka probleme me situata të pazgjidhura që i zvarrisin Kombet e Bashkuara, nën trysninë shumë të madhe të disa vendeve, të cilat janë kundër zgjidhjes së problemit gjithë-ballkanik, e jo vetëm të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Një çështje tjetër që së fundi është ngritur në nivel më të lartë diskutimesh, është njohja e shtetësisë së Kosovës. Si do ta vlerësoni ju këtë proces?

TEKI DERVISHI
Procesi i njohjes së Kosovës faktikisht është i varur nga problemet që i ceka më lart, që janë të pazgjidhura, me vetë situatën aktuale që është në Kosovë.

Për pengim të pranimit të pavarësisë së Kosovës, tashmë po dihet dhe po shihet haptas, po lobon jo vetëm Serbia, por edhe disa fuqi shumë të mëdha botërore.

Unë mendoj se pavarësia e Kosovës nuk varet prej asaj se sa shtete do ta pranojnë këtë pavarësi. Pavarësia e Kosovës duhet të pranohet pikësëpari prej popullit të Kosovës dhe ky popull e ka pranuar dhe e ka dashur. Dhe, personalisht mendoj se na mjaftojnë vetëm SHBA-të si aleatë të sinqertë.

Proceset do të zgjasin jo vetëm rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës, por për shkak të situatës aktuale në Ballkan, jo në Kosovë. Në Ballkan pritet të zgjidhet jo vetëm problemi shqiptar, por edhe ai serb, boshnjak, maqedonas etj.

RADIO EVROPA E LIRË
Me fuqizimin e Kushtetutës më 15 qershor, pritet të përfundojë edhe procesi i tranzicionit, edhe pse Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara ende nuk kanë arritur marrëveshje mbi përgjegjësitë që do t’i kenë. Cilat mendoni se do të jenë pasojat e këtyre paqartësive?

TEKI DERVISHI
Nuk mund të flasim për një futur. Ato pasojat e paqartësive po shihen tash, në relativizimin e statusit të pavarësisë së Kosovës.

Domethënë, këto paqartësi janë pikërisht ato mosmarrëveshje të fuqive të vendosjes lidhur me çështjen e Kosovës dhe në këto paqartësi nuk lexohet asgjë tjetër, pos përpjekja për ta penguar pranimin e pavarësisë së shtetit të Kosovës.

Pas 15 qershorit, është shumë e rëndësishme që nga këto bisedime të fshehta që bën UNMIK-u me Beogradin, ose fuqitë e vendosjes NATO, OKB etj. të cilat tash bëhen prapa syve të pushtetit të Kosovës, atëherë besoj së pas datës 15 do të fillojë të hapet perdja në skenën e politikës botërore që kanë ndaj Kosovës.

Konform si do të sillen misionet e ardhshme në Kosovë, do të sillet edhe politika kosovare; në mos ajo zyrtare, atëherë do të dalin lëvizje të reja politike që do ta vazhdojnë rrugën e sendërtimit të idesë së pavarësisë së Kosovës.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG