Ndërlidhjet

Serbët e Kosovës të ndarë rreth formulës qeverisëse në Beograd


Prishtina

Prishtina

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës i kanë ftuar partitë politike në Beograd që sa më parë të formojnë qeverinë, në mënyrë që të zgjidhin problemet në Kosovë.


Liderët e serbëve të Kosovës konsiderojnë se është e domosdoshme që sa më parë të formohet Qeveria e re e Serbisë, në mënyrë që të vazhdohet lufta për ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë.

Nebojsha Joviq, nga Këshilli Nacional Serb për veriun e Kosovës, thotë se formimi i shpejtë i qeverisë do të parandalonte forcimin e pavarësisë së Kosovës dhe ngritjen e tensioneve.

“Ata duhet të formojnë qeverinë pa kurrfarë ngritjesh të tensioneve, sepse cilido tension do të reflektohet edhe te serbët në Kosovë. Neve na duhet qeveria sa më parë, sepse më keq se hapi i pagjykuar mirë - mbajtja e zgjedhjeve në kohën kur shqiptarët jo vetëm që shpallen, por edhe krijuan pavarësinë e Kosovës në terren - është zvarritja e formimit të qeverisë së re”, thotë Joviq.

Në anën tjetër, Oliver Ivanoviq kujton se Kosova ka qenë temë e fushatës parazgjedhore në Serbi, por, në kohën kur po zhvillohen bisedimet për qeverinë e ardhshme, kjo çështje lihet anash.

“Menjëherë pas zgjedhjeve, interesimi për këtë temë është shumë më i vogël dhe për këtë arsye, serbët ndihen nga pak të anashkaluar, sepse shihet se për ta nuk mendohet gjithnjë dhe jo aq sa do të duhej. Për këtë arsye, është me rëndësi që menjëherë të formohet qeveria, e cila do të përcaktojë politikën e saj ndaj Kosovës dhe me këtë edhe ndaj serbëve të Kosovës. Dhe, kjo nënkupton se do të fillojë zgjidhjen e problemeve këtu”,
tha Ivanoviq.

Por, cila është ajo qeveri e Beogradit që i përshtatet serbëve të Kosovës? Në këtë çështje serbët janë të ndarë dhe varet se cilin opsion politik e mbështesin. Një palë konsideron se për çështjen e Kosovës më së miri do të angazhoheshin forcat radikale, derisa pala tjetër thekson se udhëheqja demokratike mund të ruajë integritetin e Serbisë.

Për Joviqin, zgjidhja më e mirë do të ishte me radikalët në krye.

“Për mua është më e logjikshme që të qeverisë Partia Radikale, ajo e Koshtunicës, dhe Partia Socialiste, dhe jo vetëm për shkak të pesë parimeve të tyre, por edhe për shkak të angazhimit të tyre gjatë fushatës parazgjedhore dhe para saj. Por, nëse Partia Demokratike e Tadiqit arrin të marrë 126 ose më tepër mandate, le ta formojë qeverinë. Por, nëse këto partitë tjera kanë shumicën, mendoj se askush nuk mund t’i ndalojë”, shprehet Joviq.

Në anën tjetër, Oliver Ivanoviq konsideron se vetëm një qeveri me orientim pro-evropian mund të ndihmojë problemin e Kosovës. Qeveria e re në Beograd, sipas tij, duhet që menjëherë të vendosë marrëdhënie të mira me misionin e OKB-së dhe misionet tjera ndërkombëtare, gjë që nuk ka qenë e mundur deri tash.

“Është shumë logjike që duhet të ketë një qeveri që do ketë marrëdhënie të mira me UNMIK-un, e qeveria e deritashme e Koshtunicës nuk ka pasur këto raporte; në të kundërtën, mendoj se i ka ashpërsuar raportet me komunitetin ndërkombëtar.”

“Duhet të ketë një qeveri pro-evropiane, e cila në anën e saj do të ketë jo vetëm UNMIK-un, por edhe Brukselin, e në të njëjtën kohë të ketë raporte të mira me Moskën dhe Uashingtonin. Një qeveri e tillë mund të bëjë shumë për serbët e Kosovës dhe për zgjidhjen e kësaj situate, sesa disa që do të bllokohen dhe kritikojnë tërë botën dhe që zgjedhin fajin te tjetri”, tha Ivanoviq.

Mbi 50 për qind e serbëve të Kosovës kanë votuar në zgjedhjet parlamentare serbe të mbajtura javën e kaluar edhe në Kosovë, përderisa të njëjtit kanë bojkotuar pothuaj në tërësi zgjedhjet e 17 nëntorit, të organizuara nga institucionet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG