Ndërlidhjet

Shqetësim për presionin e qeverisë ndaj mediave në Kosovë, përveç Këshillit të Pavarur të Mediave, ka shprehur edhe Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës. Derisa qeveria mohon të ketë bërë presion ndaj mediave, gazetarët pohojnë se tërthorazi qeveria e ushtron këtë presion.


Këshilli i Komisionit të Pavarur për Media, kohëve të fundit, ka shprehur brengosje lidhur me presionin që Qeveria e Kosovës ka bërë të mediat.

Ky shqetësim, sipas tyre, ka ardhur pas një kërkese, që më 16 prill, Zyra e Kryeministrit ka lëshuar me shkrim, që tri stacionet televizive dhe katër radiot me frekuencë nacionale të transmetojnë dhe të ritransmetojnë fjalimin e kryeministrit në kohë të caktuar specifike dhe në mënyrë të koordinuar.

Argjentina Grazhdani, nga Këshilli i Komisionit të Pavarur për Media, thotë se toni dhe përmbajtja e kërkesës me instruksione eksplicite mund të interpretohet vetëm si presion nga qeveria ndaj mediave të pavarura transmetuese dhe një shkelje e standardeve fundamentale ndërkombëtare të lirisë së mediave.

"Kërkesa me shkrim që i është dërguar mediave është një lloj presioni, sepse qeveritë nuk mund të kërkojnë nga mediat që në mënyrë të specifikuar t’i transmetojnë deklaratat e tyre. Do të thotë, është parë si një lloj presioni ndaj mediave", tha Grazhdani.

Por, zyrtaret e Qeverisë së Kosovës konsideroje se nuk kanë bërë asnjëherë kurrfarë presioni të mediat.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, vlerëson se ajo që është bërë para pak kohësh ka qenë një gabim teknik nga zyra për informim e qeverisë.

"Ka qenë një lëshim teknik i përgjegjësit, që është pranuar shumë vonë në zyrën për marrëdhënie me publikun. Gjuha e komunikimit të tij, në vend që të thotë ‘ju lus’, ka thënë ‘kërkojmë’. Këtu ka qenë një lëshim i tillë".

“Ne, kryeministri dhe unë personalisht, i kemi ftuar në takim dhe kemi tërhequr vërejtjen. Përndryshe, ne i respektojmë mediat e lira dhe sa më shumë që janë të lira, aq në shkallë më të madhe është e zhvilluar demokracia në vendin tonë", tha Kuçi.

Nga ana tjetër, Bashmir Xhemaj, përfaqësues i Asociacioni të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, thotë se kërkesa e Qeverisë që mediat ta transmetojnë fjalën e kryeministrit në kohë të caktuar, nuk ka qenë një gabim, por, sipas tij, ka qenë e qëllimshme.

"AGPK-ja mendon se kjo nuk ka qenë pa qellim dhe pa dije. Ka qenë një lloj skenari i përgatitur mirë nga Qeveria e Kosovës, për të ushtruar një lloj presioni tek mediat. Në fakt, ka pasur një reagim të mirë të medieve, sepse ka të bëjë me një lloj presioni direkt të Qeverisë së Kosovës ndaj mediave dhe normalisht gjëra të tilla të qeverisë nuk do të duhej të ndodhnin”, tha Xhemaj.

Zyrtarët e Këshillit nga Komisioni i Pavarur për Media konsiderojnë se obligimet e qeverisë në asnjë mënyrë nuk obligojnë mediat që të pranojë instruksionet e saj.

Zonja Grazhdani thotë se nëse zyrtarët e qeverisë e konsiderojnë si gabim, atëherë “ne duhet t’u tregojmë atyre për gabimet që mund të bëjnë”.

"Unë e di që zyra për informim është e re, që shumë lehtë ka mundur ta bëjë këtë gabim, mirëpo detyra jonë është që t’u tregojmë se gabimi është bërë",
tha zonja Grazhdani.

Zyrtarët e Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës thonë se shpesh ndodh që zyrtarë të lartë të qeverisë të bëjnë presion tek gazetarët në mënyrë të tërthortë.

"Në njëfarë forme, Qeveria ushtron një lloj presioni jo të drejtpërdrejtë, por në mënyrë indirekte, qoftë duke i marrë në telefon zyrtarët e lartë gazetarë apo edhe në forma të tjera, ku u bëhet me dije që të mos punohet. Në njëfarë forme kemi një lloj shantazhi dhe AGPK-ja e merr me shqetësim këtë lloj dukurie që ndodh pas formimit të qeverisë së re", tha Xhemaj.

Sidoqoftë, Këshilli i Komisionit të Pavarur për Media i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës dhe qeverisë që tash e tutje t’i respektojnë dhe t’i promovojnë parimet themelore e demokratike të lirisë së shprehjes.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG