Ndërlidhjet

Gjini: Mbetja e UNMIK-ut në Kosovë, kompromis që komplikon gjërat


Ardian Gjini

Ardian Gjini

"Do të ketë komplikim të punës së ICO-s, EULEX-it e institucioneve të Kosovës, nëse kemi një mori institucionesh që nuk u dihet mandati i vërtetë", thotë Ardian Gjini, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gjini, këto ditë po zhvillohen debate se çfarë roli do të ketë UNMIK-u në Kosovë edhe pas 15 qershorit, kur hyn në fuqi Kushtetuta. Në këtë aspekt, sa konsideroni se do të jetë pengesë për funksionimin e Kosovës si shtet, dyfishimi i misioneve ndërkombëtare me UNMIK-un dhe EULEX-in?

ARDIAN GJINI
UNMIK-u është në Kosovë që nëntë vjet. Mund të themi se deri më tash e ka kryer me sukses të konsiderueshëm misionin e vet. Ka pasur të meta, ka pasur vërejtje, siç ka të meta dhe vërejtje në të gjitha institucionet. Mirëpo, nëse do t'i bëhet një analizë pas shumë viteve, do të shihet se prapëseprapë ka pasur efekte pozitive të UNMIK-ut në Kosovë.

Sidoqoftë, mendoj se tani ka ardhur koha që UNMIK-u të shkojë. Kjo ka qenë një pajtueshmëri e jona gjatë bisedimeve që janë zhvilluar në Vjenë dhe më vonë. Parashihet në planin e Ahtisaarit.

Mendoj se do të jetë një komplikim i situatës së mëtutjeshme, komplikim i punës së ICO-së dhe EULEX-it, por po ashtu do të jetë komplikim i punës së institucioneve të Kosovës, nëse do të kemi një mori institucionesh, të cilave nuk u dihet mandati i vërtetë.

Në anën tjetër, do të dihet që prezenca e UNMIK-ut do të jetë më tepër një kompromis, i cili vetëm sa do t'i komplikojë gjërat edhe më tutje.

RADIO EVROPA E LIRË
Shefat e diplomacive nga Rusia, Kina dhe India kërkojnë një rifillim bisedimesh për statusin e Kosovës. Si i shihni ju këto lloj kërkesash?

ARDIAN GJINI
Unë mendoj se është dashur që të gjitha vendet të kyçen gjatë kohës kur janë zhvilluar bisedimet për Kosovën. Kosova e ka shpallur pavarësinë e vet. Ajo pavarësi është njohur nga një numër i konsiderueshëm i vendeve.

Nuk mendoj se është e revokueshme dhe nuk mendoj se kanë mbetur aspekte që do të mund të negocioheshin me Serbinë, përpos njohjes së ndërsjellë, të cilat biseda do të mund të fillonin kur të shfaqet interesimi i ndërsjellë për njohje.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gjini, nëse mund t'u kthehemi edhe aspekteve të brendshme politike - si subjekt opozitar, sa konsideroni se Kosova, qeveria, kanë bërë në shërbim të lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës?

ARDIAN GJINI
Për të qenë i saktë dhe korrekt, duhet të them se Kosova ende nuk i ka të gjitha mundësitë që ta fillojë lobimin, mirëpo po ashtu duhet të them se ato që i ka, nuk po shfrytëzohen deri në maksimum.

Mendoj se kemi një fillim tani të ministrit, zotit Hyseni, që të bëjë diçka në këtë drejtim, mirëpo deri më tani, për këta tre muaj, mendoj se nuk ka pasur agjilitet , nuk ka pasur një plan dhe nuk ka pasur insistim që të bashkërendohen punët dhe të punohet më tepër.

Sidoqoftë, presim që në ditët dhe muajt që vijnë dhe me konstituimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të bëhet pak më tepër.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka dhe një mungesë të njohjes së Kosovës nga vendet fqinje. A jeni të gatshëm si opozitë ta ndihmoni qeverinë në këtë rrafsh politik?

ARDIAN GJINI
Absolutisht. E kemi shprehur edhe përpara, se në cilindo variant të mundshëm, ne do ta ofrojmë veten, do ta ofrojmë edhe subjektin dhe secilin prej nesh veç e veç, që të ndikojmë pozitivisht në njohjen ndërkombëtare të Kosovës, sidomos prej vendeve fqinje; është tejet e rëndësishme – kemi Maqedoninë, Malin e Zi.

Mendoj se ka pasur mesazhe, që ka qenë gati e determinuar se do të interpretohen gabimisht, mesazhet që kanë shkuar prej Kosovës për Maqedoninë. E kemi tërhequr vërejtjen në Kuvend për ato mesazhe.

Mendoj se prapëseprapë do të ndodhë shpejt, për shkak se marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës nuk paradeterminohen prej disa njerëzve, por ato janë marrëdhënie mes dy popujve dhe në atë drejtim do të zhvillohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Partia juaj ka shprehur vërejtje edhe në lidhje me mënyrën e qasjes së qeverisë ndaj çështjes së veriut dhe integrimit të komunitetit serb. Sa ka mundur të bëhet më tepër dhe çka i ka munguar qasjes së qeverisë?

ARDIAN GJINI
Ne e kemi të qartë se gjërat nuk janë të lehta. E kemi të qartë se situata në veri të Kosovës është e komplikuar. E kemi të qartë se shumë institucione dhe vende ndërkombëtare janë të involvuara po ashtu dhe kanë rol në atë zgjidhje.

Por, prapë më duhet të them se sidoqoftë, do të ishte mirë për Kosovën dhe për të gjithë ne, që qeveria të paktën ta kishte pasur një plan, të paktën të kishte synuar. Ne e dimë se askush nuk mund të jetë i përsosur, mirëpo nëse nuk synojmë kah puna, nuk do të arrijmë të jemi as mesatarë.

RADIO EVROPA E LIRË
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që vitin e ardhshëm të mbahen zgjedhjet në të dyja nivelet. Çka nëse kërkesa juaj nuk do të përfillet nga qeveria?

ARDIAN GJINI
Mendoj se po vjen një kohë kur njerëzit që do të jenë të kyçur në marrjen e vendimit për mbajtjen e zgjedhjeve, do ta shohin si prioritet të shpejtë, jo vetëm për shkak të implementimit të planit të Ahtisaarit, i cili është shumë i saktë në këtë drejtim, mirëpo edhe për shkak se qeverisja aktuale po ofron shumë argumente që sa më shpejt në Kosovë duhet të mbahen zgjedhjet.

Kemi pasur mbyllje të debatit në Kuvendin e Kosovës, kemi një manipulim të madh medial që i bëhet Kosovës dhe mendojmë se nuk mund të vazhdohet kësisoj.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni vërejtje në punën e qeverisë, ndërkohë që parashihet të zbatohet edhe plani i Ahtisaarit. Andaj sa mund të ketë, sipas jush, sukses Kosova me një qeverisje të tillë, si po e prezantoni?

ARDIAN GJINI
Ne e kemi dhënë mendimin tonë sa i përket planit të Ahtisaarit. Ne do ta mbështesim implementimin e plotë të tij. Kemi marrë pjesë vetë në ato kohë kur është vendosur. Nuk do të jemi opozitë e qeverisë në aspektin e implementimit të planit të Ahtisaarit.

Sidoqoftë, plani i Ahtisaarit dhe implementimi i tij, nëse e shihni totalin e qeverisjes në Kosovë, nuk përbën as 10 për qind të asaj me çka merret qeveria.

Plani i Ahtisaarit është kompleks, mirëpo ka shumë çështje në Kosovë, shumë tema të qeverisjes, të cilave po ashtu duhet t'u kushtohet vëmendje e madhe dhe ne mendojmë se po punohet në drejtim të gabuar.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG