Ndërlidhjet

"EULEX s'do të instalohet më 15 qershor"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EXPRESS
Ban Ki Moon mund të jetë në rrëmujë të madhe për praninë e UNMIK-ut, pas 15 qershorit, mirëpo i dërguari i tij, Joachim Ruecker, duket se e ka zgjidhur këtë problem me veten. Gjermani tashmë ka planifikuar ta përfundojë misionin në krye të UNMIK-ut dhe të largohet nga Kosova, në gjysmën e muajit qershor, kane thënë burime ndërkombëtare për Express. Jo shumë gjatë pas tij, pritet të largohen edhe dy zyrtarët e lartë të administratës ndërkombëtare, Larry Rossin dhe Borg Olivier. Burime të gazetës kanë përmendur dy data, 15 dhe 16 qershorin, kur Joachim Ruecker do ta lëshojë postin numër një në misionin e Kombeve të Bashkuara, të cilin e mban që nga 1 shtatori 2006. "Ai nuk e sheh të kuptimtë të mbajë postin e PSSP-së, pasi të ketë hyrë në fuqi Kushtetuta e Kosovës", ka pohuar për Express një zyrtar ndërkombëtar...

KOHA DITORE
Ndonëse ka thënë se misioni i EULEX-it është mision ekskluziv evropian dhe jo i OKB-se, shefi i këtij misioni, Yves de Kermabon, i ka paralajmëruar publikisht të dielën kosovarët se instalimi i këtij misioni në Kosovë nuk do të bëhet më 15 qershor, kur ishte paralajmëruar të ndodhte. Pas hapjes së fushatës "Road Shoë", me moton "Eja në Evropë", të mbajtur të dielën në Klinë, Kermabon nuk ka dhënë ndonjë detaj se kur mund të vendoset misioni i EULEX-it në Kosovë, i cili do të duhej të ishte i pranishëm pas konfigurimit të UNMIK-ut, për të cilin duhet të merret vendim në Këshill të Sigurimit të QKB-së. "Vonesat për vendosjen e misionit kanë karakter politik, por ka edhe pengesa teknike. Mirëpo, misioni i EULEX-it është mision ekskluziv evropian, e jo i OKB-së", ka thënë Kermabon...

ZËRI
Do të shihet së shpejti se çfarë do të sjellë vizita disaditore në Kosove e Iv de Kermabosë, shefit të EULEX-it, misionit që është dashur ta dëshmojë fuqinë e BE-së në forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë, ndërsa, realisht, sidomos javëve të mbrama, ka sipërfaqësuar pafuqinë e Brukselit karshi Nju-Jorkut (OKB-së), dhe pamundësinë për të ecur në drejtimin e përcaktuar nga propozimi i presidentit Ahtisaari. S'ka fjalë, këtu duhet konstatuar qe duke përjashtuar faktorin vendor, kosovar, i cili ka përmbushur të gjitha obligimet e parapara karshi pakos së Ahtisaarit (në periudhën menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës), në anët tjera, kemi ose sulme të pareshtura për ta prishur a zhvlerësuar në plotësi këtë pako (Rusia dhe Serbia), kemi hamendje të mëdha për ta pranuar realitetin në Kosovë (kreu i OKB-së, Departamenti për Operacione Paqeruajtëse, DPKO), ose kemi hezitime të BE-së për t'i bërë realitet dy misionet civile ndërkombëtare, për shkak të mungesës së kooperativitetit nga ana e Nju-Jorkut. Me këtë kombinim të hezitimeve, hamendjeve dhe kundërshtimeve karshi pakos së Ahtisaarit, ajo duket e mëdyshur, e lëkundur, megjithëse, as Kosova dhe as Perëndimi nuk kanë variant apo solucion tjetër, pos të vazhdojnë tutje me procesin e implementimit të këtij modeli...

EPOKA E RE
Kryesuesi i ri i Konferencës së Munihut për Politikat e Sigurisë, Volfgang Ishinger, njëherësh ambasador i Gjermanisë në Britani të Madhe, ka përsëritur qëndrimin se pavarësia e Kosovës nuk ka alternativë. "E konsideroj me të vërtetë, si edhe përpara, të paalternativë pavarësinë e Kosovës, mirëpo një pavarësi të mbikëqyrur. Të gjithë zërat se një lloj pavarësie e tillë do të sjellë pasoja të këqija, u dëshmuan si të gabueshëm", ka thënë Ishinger, në një intervistë për sektorin e kulturës të Radios Gjermane, të shtunën. Më herët, siç ka pohuar vetë Ishinger, kishte shpresuar se në fund mund të arrihej një kompromis ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit...

BOTA SOT
Analisti në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, Janush Bugajski, tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Shkupi paraqet një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike. Ne një tryezë me temën "Siguria e Ballkani pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës", Bugajski tha se përveç mosmarrëveshjeve për emrin, Maqedonia duhet të qartësojë edhe çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën. "Një vendim i rëndësishëm i qeverisë së re maqedonase do të ishte pranimi i menjëhershëm i pavarësisë së Kosovës dhe tërësisë tokësore të Kosovës, duke nënshkruar kështu një marrëveshje të plotë për kufijtë, që do ta vendoste qartazi Maqedoninë në kampin e qëndrueshmërisë së këtij rajoni. Dhe, mendoj se kjo do të çonte një porosi të fuqishme tek Beogradi, se Maqedonia qëndron me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosovën", tha Bugajski...

INFOPRESS
Përderisa Kosova njihet vazhdimisht nga shtetet e ndryshme, nënshkruan marrëveshje, merr pjesë në forume të ndryshme si shtet i pavarur, ëndrra serbe për Kosovën vazhdon të ushqehet nga politika ruse. Kjo e fundit një gjë të tillë e bën jo pse i intereson aq shumë Kosova, apo se i intereson 'motra' e saj, Serbia. Por, gjithçka që bën politika ruse është shikimi i interesave të saj, tendenca për të qenë një superfuqi, siç ishte dikur bashkë me disa shtete qe nuk i ka më në gji, si dhe përpjekja për të treguar se është faktor në politikën botërore. Në këtë kuadër është edhe kërkesa e saj për bisedime të sërishme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Moska zyrtare nëpërmjet ministrit të Jashtëm u ka drejtuar një kërkesë shteteve që e kanë njohur Kosovën deri tani që ta rishikojnë pavarësinë e saj. Një kërkesë të tillë, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, e ka arsyetuar me zgjedhjet serbe që u mbajtën më 11 maj, duke thënë se ato ishin mjaft demokratike dhe një gjë e tillë dëshmon se Serbia është shtet demokratik...

LAJM
Vendosja e misionit të EULEX-it, i paraparë për 15 qershor, do të shtyhet për disa muaj. Dhe, zgjatja e mandatit të UNMIK-ut do të ndikojë në zvarritjen e fazës së tranzicionit në Kosovë, duke prolonguar shumë procese pasuese, siç janë zyrtarizimi i Ministrisë së Jashtme, themelimi i Forcës së Sigurisë i Shërbimit Inteligjent dhe mbajtja e zgjedhjeve. Por, nyja e pazgjidhur mes UNMIK-ut dhe EUELEX-it, sipas politikanëve dhe analistëve vendorë e ndërkombëtarë, nuk do të pengojë hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës më 15 qershor. Naim Maloku, anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, thotë se mandati i UNMIK-ut mund të shtyhet përtej 15 qershorit me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, pas mospajtimeve në Këshillin e Sigurimit për përfundimin e këtij misioni. Kjo, sipas tij, do të mund të realizohej përmes së drejtës së Ki-Moon që të vendosë për shtyrje njëmujore të mandatit nga fondi emergjent. Megjithatë, Maloku nuk pret që kjo të ndikojë në hyrjen në fuqi të Kushtetutës...

KOSOVA SOT
Askush nga zyrtarët nuk ka konfirmuar se cilat do të jenë vendet që do ta njohin shtetin e Kosovës në ditët e ardhshme. Vëzhgues të ndryshëm ndërkombëtarë e vlerësojnë si të rëndësishme njohjen në shifra, pasi, sipas tyre, kjo ndikon mjaft në vendimmarrjen e lartë ndërkombëtare. Një numër i vogël i vendeve anëtare të BE-së nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre në lidhje me njohjen e Kosovës. Madje, edhe disa nga vendet fqinje, përveç sinjaleve pozitive nga prapaskena, ende nuk e kane shprehur qëndrimin e tyre zyrtar për njohjen e shtetit kosovar. Aktualisht, nga vendet anëtare të BE-së, gjashtë prej tyre ende nuk kane marrë vendimin për njohjen e shtetit të Kosovës: Spanja, Greqia, Qiproja, Çekia, Sllovakia dhe Rumania. Ndërkaq, nga vendet e rajonit është Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia që ende nuk kanë marrë vendim. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se lobimi për çështjen e njohjes së pavarësisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke shfaqur besimin se gjërat do të shkojnë në drejtim të përshpejtimit të njohjes së Republikës së Kosovës...

XS
SM
MD
LG