Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK-u ofron dy opsione për komunat serbe


Harta e Republikës së Kosovës

Harta e Republikës së Kosovës

Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë është duke i shqyrtuar opsionet nëse duhet vazhduar edhe më tej mandatin e përfaqësuesve të emëruar nga shefi i UNMIK-ut, ose të mbajë zgjedhje të reja lokale në komunat e banuara me shumicë serbe.


Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës po presin formimin e kuvendeve lokale, të dala nga zgjedhjet lokale serbe të 11 majit, zgjedhje këto që u shpallën të pavlefshme nga ana e UNMIK-ut.

Përfaqësuesi i Partisë Radikale në Kosovë, Lubomir Kragoviq, ka deklaruar se formimi i komunave të reja do të fillojë brenda disa ditëve.

“Kuvendet komunale në Kosovë do të formohen në afat prej 15 ditësh, siç edhe parashihet në ligjin e Republikës së Serbisë për zgjedhjet komunale. Ndërkaq, formula qeverisëse do të varet nga ata, që do të mund të krijojnë shumicën në kuvende komunale”, tha Kragoviq.

Kandidati për deputet në Kuvendin e Serbisë nga koalicioni “Për Serbinë evropiane”, Oliver Ivanoviq, ka deklaruar se është vështirë të thuhet se kur do të formohen kuvendet komunale.

“Është me rëndësi që për këtë çështje të arrihet marrëveshje me UNMIK-un, sepse mendoj se konfrontimi me UNMIK-un, sa i përket qeverisjes lokale, mund ta dëmtojë vetëm komunitetin serb. Kjo çështje nuk ndjehet shumë në veri, por më vështirë është në komunat që gjenden në jug të lumit Ibër”, thotë Ivanoviq.

Kreu i Asociacionit të Komunave dhe Vendbanimeve Serbe, Marko Jakshiq, thotë se formimi i komunave është i varur nga veprimet e qeverisë qendrore serbe. Ndërkaq, ai ka një përgjigje për kundërshtimin e UNMIK-ut për zgjedhjet lokale.

“Ata, së pari, në bazë të Rezolutës 1244, është dashur të ndalojnë krijimin e shtetit shqiptar në territorin e Kosovës. Po ta kishin bërë këtë, atëherë do të kishin të drejtë legale në qëndrimin kundër zgjedhjeve lokale”, thotë Jakshiq.

Pavarësisht qëndrimit të serbëve, UNMIK-u përsërit se zgjedhjet lokale të 11 majit kanë qenë joligjore dhe rrjedhimisht nuk do të mund të formohen institucionet nga to.

Serbët bojkotuan zgjedhjet e 17 nëntorit, kështu që përfaqësuesve serbë të komunave atje, u është zgjatur mandati nga shefi i UNMIK-ut deri më 15 qershor.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie, nuk e ka të qartë se çfarë do të bëhet pas kësaj date me qeverisjen e pushtetit lokal në veri dhe në komunat tjera të banuara me shumicë serbe.

“Tani për tani, vetëm të emëruarit nga shefi i UNMIK-ut janë përfaqësues legjitimë në komuna dhe kjo është diçka në të cilën UNMIK-u është duke punuar. Dhe, në kohën e duhur do të marrim vendimin se me çfarë hapsh do të shkohet tutje”, tha Rusell Geekie.

Ai thotë se UNMIK-u është duke i shqyrtuar opsionet, nëse duhet vazhduar edhe më tej mandatin të emëruarve nga shefi i UNMIK-ut, ose të mbajë zgjedhje te reja lokale në komunat e banuara me shumicë serbe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG