Ndërlidhjet

"Injorohen datat kombëtare të historisë"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Projektligji më i ri për festat zyrtare në Republikën e Kosovës i propozuar nga Qeveria, në asnjë paragraf dhe në asnjërën nga njëmbëdhjetë festat shtetërore nuk përmend as 28 Nëntorin e as Ditën e Çlirimit... Burime të gazetës të përfshira në ketë proces kanë thënë se mospërfshirja e këtyre festave ne këtë projektligj është bërë për shkak të insistimit nga jashtë, por kjo është mohuar nga lidershipi vendës. "Kosova është shtet, ka festat shtetërore, por respekton edhe festat kombëtare. Ne kemi festën e Republikës, Ditën e shpalljes së pavarësisë dhe festat e tjera të cilat u cekën. Ky është vetëm fillimi", ka thënë kryeministri Hashim Thaçi, duke arsyetuar përjashtimin e këtyre dy festave nga ligji. I pyetur se çfarë do të bëjë ai si kryeministër i Kosovës në Ditën e festës kombëtare - 28 Nëntorin, Thaçi ka thënë se do t'i kryejë obligimet kushtetuese. "Unë personalisht do t'i kryej obligimet e mia kushtetuese si të gjithë bartësit e tjerë të institucioneve të Republikës së Kosovës". Ndërkaq, duke iu përgjigjur pyetjes rreth mundësisë së kthimit të këtij projektligji nga Kuvendi prapë tek Qeveria, pasi që nuk përmban datën kombëtare të 28 Nëntorit, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se Kuvendi nuk merret me këtë çështje. "Ju e dini që ne nuk merremi me këto çështje. Ne merremi me të gjitha kërkesat për ndryshimet që i bën Qeveria e Kosovës dhe një kërkesë të tillë nuk e kemi pasur...", ka thënë Krasniqi...

ZËRI
Samiti mes BE-së dhe SHBA-ve do të zhvillohet më 10 qershor në Slloveni, ka konfirmuar dje presidenca sllovene e BE-së. Pritet që në këtë takim të marrë pjesë edhe kryetari amerikan, Xhorxh Bush, i cili do të shoqërohet nga sekretarja amerikane e shtetit, Kondoliza Rajs. Samiti do të zhvillohet në Bërdo të Kranjit dhe do të jete kjo vizita e dytë e Bushit në këtë qytet, pas takimit të tij të parë që pati me kryetarin e Rusisë, Vladimir Putin, në nëntor të vitit 2001. Samitet e BE-së dhe SHBA-ve mbahen një herë në vit, në mënyrë pasuese në territorin e BE-së dhe atë të SHBA-ve. Samiti i fundit i këtillë u zhvillua në Uashington, në pranverën e vitit të kaluar. Përderisa delegacioni amerikan në samit do të kryesohet nga kryetari Bush, ai i BE-së do të kryesohet nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, kryetar aktual i Këshillit të Evropës, si dhe nga kryetari i Komisionit të Evropës dhe shefi i BE-së për politikë të jashtme, Hoze Manuel Barrozo dhe Havier Solana. Takimi pritet të përqendrohet në çështjet rajonale dhe politike, sigurinë globale, sfidat globale dhe partneritetin transatlantik...

KOSOVA SOT
Ismail Kadare: Më 17 shkurt të vitit 2008, një shtet i ri u shtua në hartën e Evropës: Kosova. Krijimi i një shteti të ri mund të përbënte një lajm të rrallë dikur, por jo në kohën tonë. Pas Luftës së Dytë Botërore pati kaq shumë shpallje shtetesh saqë ngjarja u bë e rëndomtë. Sot ka rreth 200 të tilla. Megjithatë, duhet thënë se në mbrëmjen e 17 shkurtit lajmi i shpalljes së shtetit të Kosovës krijoi kudo në Evropë një elektrizim që kapërcente përmasat e ngjarjes. Shpjegimi duhet kërkuar përtej kushtëzimeve me zanafillë politike, fetare ose gjeostrategjike. Ai ka lidhje me diçka më të thellë, me thelbin e historisë së njerëzimit. Drama e Kosovës me 1999 tregoi se kulti i lirisë, që njerëzimi e kishte krijuar aq mundimshëm gjatë tre mijëvjeçarëve të fundit, ishte pasuruar, më në fund, me një bërthamë të re: mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Për këto të drejta ishte folur edhe më parë, por asnjëherë nuk ishte bërë luftë për to. Dhe aq më pak nuk ishte përfytyruar që, për shkak të tyre të bombardohej një shtet mu në mes të Evropës. Ishte ky moment i madh kur Kosova doli nga radha e rëndomtë e ngjarjeve, për të marrë tiparet e fenomenit. Një shenjë e re u shfaq në histori: mund të bëhet luftë jo veç për interesa pragmatike, për naftë, për porte detare, për gjeopolitikë, por edhe për parime morale...

EPOKA E RE
Ministri i Jashtëm në Qeverinë e Kosovës, Skënder Hyseni, ka thënë se negociatat për statusin politik të Kosovës kanë përfunduar. Ai i ka thënë BBC-së se qeveria është e gatshme të bisedojë me të gjithë fqinjët e saj për çështje të interesit të përbashkët. Sipas mendimit të
tij, Serbia dhe Rusia do të vazhdojnë që t'i pengojnë proceset ne të cilat po kalon Kosova. Hyseni ka thënë se dialogu me komunitetin serb në Kosovë do të jetë i përhershëm për ta avancuar gjendjen dhe pozitën e tyre në shtetin e pavarur të Kosovës, por ka përjashtuar çdo mundësi të rifillimit të bisedimeve për statusin e Kosovës. Ministri i Jashtëm i Kosovës ka thënë se çështja e pranive ndërkombëtare në Kosovë dhe qartësimi i mandateve të tyre u takon institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare qe i kanë mandatuar misionet, OKB-ja dhe BE-ja...

EXPRESS
Presidenti Fatmir Sejdiu ka kërkuar nga kreu i OKB-së, Ban Ki-Moon, që UNMIK-u të bartë përgjegjësitë në duart e institucioneve të Kosovës, me qëllim të kapërcimit të pushtetit të dyfishtë dhe të bashkëpunojë me BE-në për të përfunduar fazën e tranzicionit. "Ne i bëjmë thirrje që të operohet sa më shpejt në përfundim të dilemave që ekzistojnë dhe të jetë e qartë se Kosova ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit të saj, si shtet i pavarur dhe sovran, dhe të mos hezitohet me një operim, të themi të bashkëpunimit, flas edhe me misionin evropian në këtë rast për të kryer transmisionin normal", ka thënë Sejdiu, në një intervistë për BBC. Presidenti Fatmir Sejdiu ka deklaruar se pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re, më 15 qershor, funksionet e shtetit dhe të institucioneve të Kosovës do të shtrihen në të gjithë mandatin e tyre të plotë në integritetin edhe funksional të saj...

INFOPRESS
Analisti britanik, njohësi i mirë i Ballkanit, Tim Judah, vlerësoi në Novi Pazar se çfarëdo qeverie e re në Serbi nuk do të jetë në gjendje për të ndryshuar statusin e Kosovës, por gjendjen në terren do të mund ta përmirësojë vetëm qeveria evropiane në krye me Partinë Demokratike (PD). Duke analizuar pozitën e përfaqësuesve të komuniteteve pakicë nga Sanxhaku lidhur me formimin e qeverisë së re, Judah vlerësoi se çdo gjë është e mundur dhe "çdo gjë varet nga matematika". Sipas vlerësimit të tij, Qeveria e Serbisë, nën udhëheqjen e PD-së dhe përfaqësuesve të pakicave në të, do të shkaktojë reaksione pozitive nga Brukseli...

BOTA SOT
Misioni i BE-së në Kosovë nuk po kalon ashtu siç ishte parashikuar, por pengesat rreth konsolidimit të tij nuk janë as teknike, si ishte komentuar deri tash. Që nga shpallja e pavarësisë janë publikuar një sërë opinionesh rreth përqendrimit të EULEX-it në Kosovë. Krahas kësaj është vlerësuar se një dualizëm i mundshëm UNMIK-EULEX do të shkaktojë më shumë probleme sesa zgjidhje në praninë e ardhme ndërkombëtare në Republikën e Kosovës. Me këtë rast, shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo, ka vlerësuar se një ndër faktorët kyçë të vonesës në vendosjen e misionit evropian në Kosovë është i karakterit politik, pa anashkaluar edhe pengesat teknike. Sipas të gjitha gjasave, OKB-ja, me theks të veçantë Rusia dhe Kina do të ndikojnë në mosfunksionimin e organizatës botërore në rastin e Kosovës. Mirëpo, EULEX si mision evropian nuk dëshiron të marrë instruksione nga OKB-ja edhe pse marrëveshja juridike është sa e mundshme aq edhe e domosdoshme...

LAJM
Njohja e përvojës së punës vetëm për punëtorët e arsimit që kanë punuar në vitet e 90-ta, ka nervozuar zyrtarët e Bashkimit të Pavarur të Sindikatave të Kosovës (BSPK), të cilët janë duke bërë të pamundurën që të mos ketë ndarje në këtë drejtim. Reagimet e para të punëtorëve që nuk janë përfshirë në vendimin e Qeverisë, e kanë shtyrë koordinatorin e BSPK-së, Ukë Bashotën, që të fillojë negociatat me Qeverinë e Kosovës, mirëpo ato kanë përfunduar pa ndonjë rezultat konkret. Bashota thotë se e vlerëson lart vendimin e Qeverisë që njeh përvojën e punës për punëtoret e arsimit, mirëpo, sipas tij, diferencimet janë shumë të dëmshme. "Në këtë kohë kanë punuar shumë punëtorë të 'Trepçës', si dhe organeve tjera, që në asnjë mënyrë nuk është dashur të lihen anash. Për situatën e rëndë të punëtorëve që kanë punuar në atë kohë, ne iu kemi shkruar mbi 30 mijë faqe me kërkesa dhe informacione sindikatave të ndryshme botërore dhe evropiane". Sipas Bashotës, nëse Qeveria nuk do të përmirësojë gabimin e vet, punëtoria e Kosovës nuk do të ndalet duke dalë për të protestuar para institucioneve...


XS
SM
MD
LG