Ndërlidhjet

Invazion i futbollit anglez në Moskë!


Tifozët e ekipit "Chelsea" në Moskë, 19 maj 2008.
Tifozët e ekipit "Chelsea" në Moskë, 19 maj 2008.

Moska po përgatitet për arritjen e mijëra tifozëve në finalen mes ekipeve angleze të Ligës së Kampionëve UEFA, më 21 maj. Autoritetet ruse kanë hequr dorë nga kërkesat për viza për adhuruesit që do vijnë, biletat dhe pasaportat e të cilëve do mjaftojnë për hyrjen e tyre në Rusi.


Avionët e parë me tifozët anglezë kanë filluar të arrijnë në Moskë për të marrë pjesë në finalen angleze të Ligës së Kampionëve të UEFA-s, e cila do të mbahet të mërkurën.

Rreth 50000 adhurues anglezë pritet të shohin ndeshjen e Manchester United kundër ekipit Chelsea në stadiumin Luzhniki të Moskës.

Në Moskë, adhuruesit e futbollit përballen me çmime të larta, mungesë akomodimi nëpër hotele dhe kontroll të rreptë sigurie, për shkak të reputacionit të tyre të dhunshëm, por ata, megjithatë, duhet të ndihen fatlumë - pavarësisht tensioneve diplomatike me Britaninë e Madhe, Rusia ka pranuar të heqë dorë nga kriteret për marrjen e vizave për të gjithë qytetarët britanikë, të cilët kanë në duar biletat për të shikuar lojën.

Peter Trenter është nënkryetar i Grupit Mbështetës për Chelsean, i cili ndihmon tifozët në aranzhimin e udhëtimeve të tyre.

"Mendoj se ky vendim është dashur të merret. Nuk ka pasur gjasë që t'i bëjmë të gjitha ato që është kërkuar për një kohë të shkurtër dhe mendoj se është një vendim i mençur", ka thënë zoti Trenter.

Kjo lojë shënon një sfidë të vërtetë edhe për vetë Rusinë – është ngjarja më e madhe sportive për Moskën që prej se ka qenë nikoqire e Lojërave Olimpike më 1980.

Sipas zëdhënësit të Unionit Rus të Futbollit, Igor Vladimirov, pikërisht kjo është arsyeja që ka nxitur autoritetet në Rusi që tifozëve anglezë t'ua mundësojnë një trajtim të posaçëm..

"Duhet të kuptoni se kjo është hera e parë që një ngjarje e madhe, sikur që është finalja e Ligës së Kampionëve, zhvillohet në Rusi. Prandaj, sportet e të dyja vendeve dhe autoritetet politike, padyshim, janë të vendosura që e gjithë kjo të zhvillohet sa më mirë që të jetë e mundshme, në kuptimin organizativ. Kjo e shpjegon edhe vendimin tonë për të bërë koncesione, e kuptojmë se sa shumë njerëz do të udhëtojnë nga Anglia", thotë zoti Vladimirov.

Autoritetet në Moskë janë zotuar se do t’i përmbushin të gjitha synimet. Ato kanë mobilizuar qindra autobusë me ngjyrë specifike për të transportuar adhuruesit nga aeroporti në stadium dhe janë zotuar se do të angazhojnë përkthyes në gjuhën angleze në gjithë stadiumin, nëpër metro dhe madje edhe në Sheshin e Kuq, i cili ndryshe njihet si qytet i futbollit, ku entuziastët mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre.

Kjo ndeshje zhvillohet në kulmin e marrëdhënieve të ngrira midis Rusisë dhe Britanisë së Madhe dhe shumëkush e ka parë vendimin e Moskës për të hequr dorë nga kriteret për viza, si përpjekje për të zbutur këto marrëdhënie.

Britania e ka zemëruar Rusinë duke refuzuar për të ekstraduar manjatin rus Boris Berezovsky dhe separatistin nga Çeçenia, Akhmed Zakayev. Si kundërpërgjigje, Moska ka hedhur poshtë kërkesat e Britanisë për të ekstraduar Andrei Lugovoi, të dyshuarin kryesor në vrasjen e Aleksander Litvinenkos, ish-pjesëtarin e strukturave ruse të sigurimit, i cili u vra në Londër.

Analisti politik, Yevgeny Volk, nga Fondacioni amerikan "Heritage", e shpjegon prapavijën e vendimit të fundit të Moskës për ndeshjen e së mërkurës.

"Ky është një vendim politik. Mendoj se vjen nga fakti se marrëdhëniet ruso-britanike janë fare në fund dhe kanë goditur nivelin më të ulët dhe kjo natyrisht dëmton jo vetëm ndërlidhjet politike midis dy vendeve, por edhe ato ekonomike. Mendoj se presidenti Medvedev dëshiron të dërgojë një sinjal se Rusia është e gatshme të ndërmarrë disa hapa drejt normalizimit të këtyre marrëdhënieve", thotë zoti Volk.

Dhe, pavarësisht nga motivet prapa këtij gjesti të Rusisë, moskovitët tani po përgatiten për një invazion anglez.

Disa janë krenarë dhe të gëzuar për të qenë nikoqirë të mijëra adhuruesve të futbollit, por të tjerët janë të shqetësuar se kjo ngjarje mund të shndërrohet në një spirale dhune.

Por, autoritetet në Moskë kanë thënë se nuk do të tolerojnë asnjë formë dhune, duke angazhuar më shumë se 2 mijë forca sigurie brenda në stadium dhe 5 mijë forca të tjera kudo në qytet.

Sidoqoftë, përgjithësisht, tifozët anglezë kanë përmirësuar në mënyrë drastike sjelljet e tyre në vitet e fundit, pas fushatës së ashpër të autoriteteve britanike kundër huliganizmit në futboll.
XS
SM
MD
LG