Ndërlidhjet

Kuvendi kërkon që 28 Nëntori të jetë festë shtetërore


Deputetët në Kuvendin e Kosovës

Deputetët në Kuvendin e Kosovës

Asnjë grup parlamentar s'e ka përkrahur propozimin e qeverisë, që në kuadër të festave zyrtare të Kosovës të mos përfshihet 28 Nëntori, Dita e Çlirimit të Kosovës dhe Dita e Dëshmorëve.


Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në parim gjashtë projektligje që burojnë nga plani i Ahtisaarit. Ndër ta edhe projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe atë për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.

Ndonëse është miratuar në parim, grupet parlamentare paralajmëruan qeverinë se projektligji për festat zyrtare në Kosovë nuk do të kalojë nesër në shqyrtimin e dytë, nëse një komision ‘ad hok’, që merret me shqyrtimin e vërejtjeve të deputetëve, nuk përfshin si festa zyrtare edhe Ditën e Çlirimit të Kosovës, Ditën e Dëshmorëve dhe 28 Nëntorin, Festën e Flamurit.

Sponsoruesi i këtij projektligji, ministri Arsim Bajrami, tha se projektligji ndan festat zyrtare të Kosovës dhe ato kombëtare, duke i përcaktuar ato si festa memoriale.

“Ligji, në fakt, parasheh tri lloj ligjesh në Republikën e Kosovës: festat zyrtare, festat kombëtare apo memoriale dhe festat komunale. Ligji liston festat zyrtare duke përfshirë dy datat historike të popullit të Kosovës, datën e 17 Shkurtit, Ditën e Pavarësisë dhe Ditën e Kushtetutës, dhe festat zyrtare ndërkombëtare duke përfshirë edhe festat fetare”, tha Bajrami.

Por, me propozimin e qeverisë, përkatësisht ministrit Bajrami, nuk janë pajtuar asnjë nga grupet parlamentare, madje edhe ato në pushtet. Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Ramë Buja, tha se PDK-ja do ta përkrahë këtë projektligj gjatë seancës së nesërme, kur bëhet shqyrtimi përfundimtar i tij, vetëm nëse ai plotësohet me vërejtjet e grupeve parlamentare.

“Kemi vendosur që ta përkrahim në parim këtë projektligj vetëm me mundësinë që besojmë se është ekzistente që të shtohen, apo të amendamentohet me 3 data, që janë Dita e Flamurit Kombëtar, Dita e Çlirimit dhe Dita e Dëshmorëve, në të kundërtën, ne do të jemi të rezervuar”, tha Buja.

Një qëndrim të ngjashëm ka dhënë edhe deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti, i cili propozoi që Dita e Kushtetutës të hiqet nga kalendari i festave zyrtare.

“Mendoj që Dita e Kushtetutës nuk ka pse të jetë festë, sepse ka pasur këtu kushtetuta edhe më herët të Republikës së Kosovës që janë festuar tradicionalisht, por nuk janë përfshirë. Mendoj se nuk kemi pse ta bëjmë festë nacionale ditën kur është miratuar një kushtetutë, një variant”, theksoi Hamiti.

Një pajtim të plotë me pozitën në këtë pikë, kanë shprehur edhe partitë opozitare. Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, ndonëse e ka përkrahur në parim projektligjin, tha se nesër nuk do të përkrahet miratimi i tij, nëse nuk përfillen vërejtjet e deputetëve.

“Do t’i bashkëngjitëm mendimit se duhet të diskutojmë se a duhet të jetë Dita e Kushtetutës festë kombëtare. Në të njëjtën kohë, mendoj se duhet të shtohen edhe data tjera dhe komenti i fundit është se kur shpallen festat kombëtare, qeveria nuk guxon t’i shpallë ato, por duhet t’i shpallë Kuvendi”,
tha Gjini.

Ndryshe, qeveria ka propozuar që Kosova ti ketë 11 festa zyrtare, përfshirë Ditën e Pavarësisë, atë të Kushtetutës, si dhe festa që përkojnë me Vitin e Ri, 1 Majin, Ditën e Evropës dhe festa fetare. Kështu që nesër ka mbetur që aty të përfshihen dhe festa tjera, siç janë Dita e Çlirimit, Dita e Dëshmorëve dhe 28 nëntori – Dita e Flamurit shqiptar.

Po në seancën e sotme, Kuvendi miratoi edhe projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, projektligjin për azil dhe draft-ligje tjera. Miratimi i këtyre projektligjeve është bërë me procedura të shpejtuara. Në shenjë pakënaqësie me një formë të tillë të punës, grupi parlamentar i AKR-së e ka lëshuar seancën, pasi që këto ligjet u janë shpërndarë deputetëve gjatë ditës së djeshme.

Sidoqoftë, pas miratimit në parim, pritet që nesër Kuvendi t’i miratojë në leximin e dytë këto projektligje. Deri më tash, Kuvendi ka miratuar 19 nga 34 ligjet që burojnë nga plani i Ahtisaarit. Këto projektligje hyjnë në fuqi pasi që të fuqizohet edhe Kushtetuta e Kosovës, më 15 qershor.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG