Ndërlidhjet

Largohen nga puna gardianët serbë?


Burgu i Lipjanit
Burgu i Lipjanit

Afati për kthimin në punë të pjesëtarëve të suspenduar serbë të Shërbimit Korrektues të Kosovës ka kaluar të martën, më 20 maj. Ministria e Drejtësisë pohon se këtyre punëtorëve do t’u ndërpritet kontrata, meqë kanë shkelur të gjitha afatet ligjore për kthim në punë.


Mbi 60 punëtorë serbë të Shërbimit Korrektues të Kosovës rrezikojnë të humbasin vendet e tyre të punës, meqë nuk kanë respektuar vendimin e punëdhënësit të tyre, që të kthehen në punë deri sot (20 maj), ose të paktën të ofrojnë arsyet, pse nuk mund të kthehen në punë.

Pjesëtarët serbë të këtij shërbimi, sikurse edhe të Shërbimit Policor braktisën vendet e tyre të punës, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Ata ishin suspenduar me pagesë në një periudhë tremujore.

Komisari i Shërbimit Korrektues, Resmi Hoxha, thotë se afati i fundit për t’u paraqitur në punë në këtë shërbim ka qenë sot (20 maj).

“Nuk kemi as sot (20 maj) ndonjë përgjigje nga ta. Unë kam bërë përpjekje që të shoh se si është situata dhe pse nuk janë kthyer ashtu siç kanë premtuar, sepse bashkë me ta ne kemi biseduar edhe me ministrin e Kthimit dhe ata kanë premtuar se pas zgjedhjeve në Serbi do të kthehen. Mirëpo, unë besoj që nesër ministrja do ta marrë një qëndrim lidhur me këtë, në përputhje me ligjin që ekziston dhe rregullat për punësim në Shërbimin Korrektues të Kosovës”, tha Resmi Hoxha.

Sidoqoftë, nga mbi 80 punëtorë serbë të Shërbimit Korrektues, 20 kanë vendosur që të kthehen në punë, duke mos përfillur kështu thirrjet e Beogradit zyrtar që të bojkotohen institucionet e Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, thotë se shumë shpejt do të hapet konkursi për pranimin për zëvendësimin e 60 punonjësve serbë, që nuk po i kthehen Shërbimit Korrektues.

“Ai konkurs duhet të shpallet dhe do të shpallet. Me mosardhjen e tyre as ditën e djeshme në punë, ata në mënyrë të heshtur janë deklaruar se nuk dëshirojnë të punojnë më në institucionet e Shërbimit Korrektues të Kosovës”, tha Kelmendi.

Zonja Kelmendi thotë se pjesëtarët serbë të Shërbimit Korrektues i kanë shkelur të gjitha aftat ligjore për t’u kthyer në punë.

“Unë mendoj se ata i kanë tejkaluar të gjitha afatet ligjore dhe vetvetiu e kanë humbur vendin e punës me mosardhjen në punë”, shprehet ministrja Kelmendi.

Në anën tjetër, e njëjta situatë paraqitet edhe në Shërbimin Policor të Kosovës. Nga mbi 300 policë serbë që braktisën SHPK-në pas pavarësisë, janë kthyer vetëm dhjetë.

Zëdhënësi Veton Elshani thotë se vendimi se çfarë do të bëhet me ta pritet të merret pas 1 qershorit, kur edhe përfundon periudha e suspendimit.

“Nga momenti që këta janë suspenduar me pagesë, rastin e tyre e ka marrë Inspektorati i Policisë së Kosovës, që vepron nën MPB-në, dhe ka afat deri në tre muaj, që rastet e tyre veç e veç të hetohen e të klasifikohen, dhe neve të na jepet një rekomandim nga ana e Inspektoratit, në mënyrë që zëvendëskomisari të marrë një vendim”, tha Elshani.

Pas shpalljes së pavarësisë, Beogradi zyrtar u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që t’i braktisin të gjitha institucionet e Kosovës. Kjo kërkesë është aplikuar në masë të madhe në sistemin e drejtësisë dhe në polici.

XS
SM
MD
LG