Ndërlidhjet

Koalicionet në Serbi, ndryshojnë socialistët


Beograd - Ndërtesa e Kuvendit të Serbisë.

Beograd - Ndërtesa e Kuvendit të Serbisë.

Serbia do të duhet të ketë mazhorancën parlamentare të konstituuar deri në fillim të qershorit. Por, partitë politike ende nuk kanë arritur të merren vesh për koalicionet. Partia Socialiste, pas negociatave intensive me radikalët dhe bllokun popullor, ka bërë hapin e parë drejt demokracisë. Por, analistët mendojnë se kjo parti mund të ndryshojë edhe më shumë.


Partitë politike në Serbi ende nuk kanë arritur të formojnë qeverinë e vendit pas zgjedhjeve të 11 majit. Partia Socialiste e Serbisë është faktori më i rëndësishëm për të ardhmen e vendit, ndonëse ajo ishte hequr nga pushteti tetë vjet më parë, me largimin për në Tribunalin e Hagës së kreut të kësaj partie, Sllobodan Millosheviq.

Partia Socialiste, me 20 vende në Kuvend, është një partner i rëndësishëm edhe për bllokun popullor të kryeministrit Vojisllav Koshtunica, edhe për partinë radikale. Por, formimi i qeverisë së ardhshme është bllokuar pikërisht në kushtet e socialistëve.

Megjithatë, lideri i kësaj partie, Ivica Daçiq, ka thënë për mediat lokale se partia e tij është kundër shfuqizimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, gjë që e kanë paralajmëruar aleatët e kryeministrit Koshtunica dhe radikalët. Daçiq ka thënë për televizionin serb Fox se duhet bërë kujdes, por e ardhmja e Serbisë është si anëtare e Bashkimit Evropian.

“Ne, në aspektin e interesave kombëtare dhe shtetërore, jemi më afër formimit të qeverisë me Koshtunicën dhe radikalët, por si ideologji jemi me Partinë Demokratike”, ka thënë Daçiq.

Paralajmërimi i ardhjes së kreut të Internacionales Socialiste në Serbi dhe disa deklarata nga Brukseli se Partia Socialiste është një parti e pranueshme, kanë bërë që zyrtarët e saj të mos nxitojnë shumë me koalicionet, edhe pse ata kanë paralajmëruar marrëveshje me nacionalistët në nivel lokal.

Analistët mendojnë se socialistët janë duke ndryshuar, por ky ndryshim duhet pranuar me kontroll.

Profesori Bozhidar Jakshiq, nga Instituti për Filozofi dhe Teori Sociale, thotë se socialistët janë bërë partnerë, për shkak se potezat e pastra politike janë të pamundshme për situatën aktuale.

“Mua nuk më befason deklarata e Solanës. Mua më kujtohen deklarata të zyrtarëve perëndimorë se Millosheviqi ka qenë aktor paqeje. Tani do të thonë se socialistët mund të nisen në rrugën demokratike, duke harruar se kjo është një parti social-nacionaliste”, thotë Jakshiq.

Ndërkaq, Dejan Anastasijeviq, nga javorja Vreme dhe Time, thotë se Partia Socialiste e Serbisë është ndryshuar, pasi që disa njerëz që dikur kanë qenë aty, nuk janë më në parti. Por, sipas tij, ende ekziston një rrymë e trashëguar nga Millosheviqi.

“Atyre do t’u duhet të ndryshojnë nëse hyjnë në qeveri. Ata do të duhet të pranojnë të paktën disa rregulla që janë të lidhura me integrimet evropiane. Nëse hyjnë në koalicion me Partinë Demokratike, kjo do të ndodhë dhe nuk do të duhej t’i bënte dëm demokratëve partneriteti me ta, pasi që marrëveshja me Partinë Demokratike të Serbisë do të ishte më e dëmshme”, mendon Anastasijeviq.

Jelena Miliq, nga Qendra për Studime Euroatlantike, thotë se as Partia Socialiste e viteve ’90 nuk ka pasur asgjë të keqe të shkruar. Por, argumentet e tanishme janë shumë të rëndësishme dhe duhet shikuar mirë përse kjo parti pranon ndryshimet.

“Duhet të merret parasysh faktori kohor, sepse kanë kaluar tetë vjet dhe situata është krejtësisht tjetër në Ballkan tani. Dhe, duhet marrë parasysh se Ivica Daçiq është në listën e personave që nuk janë aq të pëlqyer nga Mira Markoviq. Nga ana tjetër, situata në Serbi dhe rezultatet e zgjedhjeve janë aq të papërshtatshme, saqë Partia Demokratike merr një përgjegjësi të madhe për të dërguar Partinë Socialiste në ujërat e politikës legjitime dhe kjo do të jetë një pastrim i biografisë”, thekson Miliq.
XS
SM
MD
LG