Ndërlidhjet

logo-print

"Kuvendi mbron 28 Nëntorin"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOSOVA SOT
“Fshirja” e 28 Nëntorit në një projektligj për festat zyrtare i ka zgjuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët i ishin futur një miratimi rekord të ligjeve, shumicën edhe p ai lexuar fare. Pasi kanë kaluar me votën e tyre pjesën dërrmuese të legjislacionit që “buron” nga pakoja e Ahtisaarit, më në fund janë ndalur pak dhe kanë reflektuar. Disa prej ligjvënësve e kanë provuar në kurrizin e tyre ç’do të thotë të burgosesh për shkak të flamurit kuqezi, për shkak të 28 Nëntorit, për të vetmen arsye se je shqiptar. Për ta, sigurisht, është më e rëndë se për të tjerët, por gjithsesi, për të gjithë duhet të jetë një ndjenjë e fortë kombëtare në një rast të tillë. Në fakt, kështu edhe ka ndodhur me rastin e debatit që shpërtheu dhe në Parlamentin tonë, ku vetë deputetët e partive që janë në koalicion iu kundërvunë Qeverisë që e ka sjellë projektligjin për miratim...Ka qenë e lehtë të merret me mend se çfarë reagimesh mund të provokojë një ligj i tillë skandaloz dhe aq më tepër i promovuar në mënyrë të tillë sikur të ishte duke u propozuar për miratim një ligj për plehrat apo diçka të ngjashme. Kjo është e pafalshme dhe Qeveria, nëse deputetët e kanë seriozisht qëndrimin e tyre, do ta ketë vështirë ta kalojë një draft të tillë...

LAJM
Nëse OKB-ja nuk e merr një vendim për UNMIK-un deri më 15 qershor, atëherë kjo mund t'i krijojë probleme Presidentit të Republikës së Kosovës në ushtrimin e kompetencave ekzekutive që burojnë nga Kushtetuta, si akti më i lartë. Shumë përgjegjësi që aktualisht ushtrohen nga PSSP-ja, si nënshkrimi dhe rikthimi i ligjeve, emërimi dhe shkarkimi i gjyqtarëve e prokurorëve, nënshkrimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe përgjegjësi tjera, do të duhej t'i barteshin "en bloc" presidentit të Republikës pikërisht në ditën e hyrjes në fuqi të Kushtetutës, më 15 qershor. Në të kundërtën, një situate e paqartë mund të shkaktojë "konflikte" dhe "përplasje" ndërmjet presidentit Fatmir Sejdiu dhe shefit të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, rreth ushtrimit të kompetencave ekzekutive, njëri duke u thirrur në Kushtetutën, ndërsa tjetri në Rezolutën 1244. Presidenti Sejdiu është i sigurt se me hyrjen në fuqi të Kushtetutës do të vishet me të gjitha përgjegjësitë që i takojnë si President i Republikës. "Kushtetuta hyn në fuqi më 15 qershor, siç është e paraparë në mandatin transitor dhe unë do t'i ushtroj me përgjegjësi të gjitha përgjegjësitë e parapara me këtë akt", tha presidenti Sejdiu për "Lajm"...

EPOKA E RE
Ministri Jashtëm francez, Bernard Kushner, do të bisedojë sot (e mërkurë) me presidentin e Rusisë, Dmitry Medvedev, dhe me homologun e tij rus, Sergey Lavrov, për situatën në Kosovë, temat e tjera aktuale ndërkombëtare, si dhe për raportet bilaterale në mes të dy shteteve, ka bërë të ditur kabineti i tij. Në një komunikatë për media theksohet se Rusia është partnerja kryesore e Evropës, ndërsa potencohet edhe qëllimi që të merret parasysh varësia e ndërsjellë në të mirë të interesave të përbashkëta. Qëllimi kryesor i vizitës së Kushnerit thuhet të jetë energjetika, por edhe çështjet që kanë të bëjnë me politikën e migrimit si dhe të sigurisë e mbrojtjes. Ndërkaq, sa i përket çështjeve ndërkombëtare, temë e diskutimit, përveç Kosovës, pritet të jenë edhe Lindja e Mesme, Kina dhe Birmania...

EXPRESS
Heqja e 28 Nëntorit nga lista e festave, përveç relevancës në rrafsh simbolik, në fakt është problem i vogël krahasuar me çfarë na pret.
Por, për shkak të domethënieve të mëdha të 28 Nëntorit, kjo nuk do të thotë se nuk ia vlen që tash të kthehemi te profili i politikanëve që e kanë miratuar Ahtisaarin dhe heqjen e çfarëdo elementi kombëtar shqiptar nga të gjitha dokumentet e Kosovës. Në shikim të pare, profili i tyre është ai i patriotëve të padiskutueshëm. Të thuash, ata janë "Patriotë me letra"! Në total, shohim pamjen e një klase politike ku thuajse secili ka sakrifikuar pothuajse gjithçka për Kosovën. Shohim aty po ashtu edhe profesorë e doktorë të urtë që dinë gjithçka nga dijenia, ndërkohë që vazhdimisht vuajnë për atdhe. Shkurt, duket se Kosova nuk ka profil më të lartë patriotik-dijetar, sesa ata që janë të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. Pra, duket se çfarëdo vendimi që sjell kjo Qeveri dhe ky Kuvend, disi e ka të garantuar paraprakisht se do të jetë vendimi i padiskutueshëm patriotik. Por, e pamë para pak ditësh formulimin e guximshëm të zotit Thaçi se "Kosova nuk është shtet i ndërtuar në parime etnike"...

KOHA DITORE
Nëse deputetët u dalin zotë fjalëve të thëna të martën, atëherë Projektligji për festat zyrtare nuk do të aprovohet në variantin siç i është dërguar nga Qeveria. Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ligjvënësit e të dyja blloqeve parlamentare kanë artikuluar qëndrim unik se pa e futur 28 Nëntorin - Ditën e Flamurit Kombëtar, në listën e festave zyrtare, ata nuk do ta votojnë ligjin që i përcakton festat në shtetin e Kosovës. Kthimi prapa i këtij ligji do të paraqiste precedentin e parë të legjislativit të Kosovës karshi miratimit të ligjeve që dalin nga Pakoja e Ahtisaarit. Kuvendi i Kosovës më 15 shkurt ka miratuar një mocion ndërparlamentar, përmes të cilit është paraparë që ligjet e këtij karakteri të miratohen në procedurë të përshpejtuar brenda 48 orëve, të paraqitjes së tyre në Kuvend. Përmes këtij mocioni, deputetët janë zhveshur nga e drejta për të dhënë vërejtje në "ligjet që garantojnë funksionimin normal të shtetit"...

BOTA SOT

Misioni i EULEX-it duket se nuk do të fillojë punën më 15 qershor. Vetë shefi i tij, ish-komandanti i KFOR-it, gjenerali francez në pension, Iv de Kermabo, ka deklaruar se mbase 15 qershori nuk do jetë data e fillimit të misionit të EULEX-it në Kosovë. Kështu, përderisa Bashkimi Evropian përpiqet të qartësojë mosmarrëveshjet me OKB-në për vendosjen e Misionit të EULEX-it në Kosovë, pasi tashmë gjithçka është konfuze nëse ky mekanizëm do të veprojë në Kosovë nga 15 qershori apo jo, përfaqësuesit e shtetit të Kosovës shprehin pakënaqësitë për mosshtrirjen eventuale me kohë të këtij misioni në vendin tonë. Përfaqësuesit e shtetit të Kosovës janë të bindur se pas 15 qershorit pozicioni ndërkombëtar do të jetë i qartë dhe në Kosovë do të ketë një qendër të vendimmarrjes. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se do t'i bëjmë të gjitha përgatitjet që shteti të jetë i plotë dhe funksional. Sipas tij, e gjithë kjo punë është duke u bërë në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Ai shpreh besimin se pas 15 qershorit në vendin tonë do të jetë vetëm një adresë ndërkombëtare, duke mos specifikuar se cila do të jetë ajo, UNMIK-u a EULEX-i...

INFOPRESS
Përderisa komisioni për simbole është ende duke punuar në përzgjedhjen e tri aplikacioneve më të mira në konkursin për himn shtetëror të Kosovës, deputetë të Kuvendit të Kosovës tanimë kanë shfaqur edhe preferencat e tyre rreth himnit të ardhshëm shtetëror. Dilemës nëse ky himn shtetëror duhet të jetë me apo pa tekst, shumica e deputetëve i janë përgjigjur duke thënë se do të ishte një zgjidhje më e mirë nëse himni shtetëror i Kosovës do të kishte edhe tekstin krahas vijës melodike. Ndryshe, në konkursin për himn shtetëror të shpallur kohë më parë nga Kuvendi i Kosovës, lihen të hapura të dyja mundësitë. Kjo nënkupton atë se himni mund të jetë me apo edhe pa tekst, vetëm në vija melodike. Në të njëjtën kohë, në rast se do të vendoset për një himn me tekst, atëherë në kuadër të përmbajtjes tekstuale duhet të inkorporohen patjetër edhe elementet multietnike. Për deputetin Memli Krasniqi nga radhët e PDK-së, himni ka më shume një vlerë simbolike, ndonëse siç është shprehur ai, është një prej simboleve kryesore shtetërore. Sipas tij, do të ishte mirë që himni i Kosovës të jetë me tekst, edhe pse nuk e konsideron si element qenësor...

ZËRI
Kryetari i aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të martën, gjatë një takimi me qytetarë në Mitrovicë, tha se e drejta e tyre si Mitrovicë është vonuar, por do të dalë në dritë, ngase, siç u shpreh, ka shembuj se si e drejta dhe e vërteta kanë mbërritur deri tek njerëzit. Vizita e djeshme e Ramush Haradinajt është e para që bën në Mitrovicë, që nga shpallja e tij si i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, ku në këtë vizitë ai është pritur nga qytetarë të shumtë mitrovicas... “Thonë se e drejta vonon, por del në shesh, dhe mendoj se edhe e drejta juaj si Mitrovicë është vonuar, por ajo do të dalë në shesh”, tha ai, dhe iu premtoi banorëve të Mitrovicës se ai do të bëjë gjithçka që është e mundur për integrimin e qytetit...

XS
SM
MD
LG