Ndërlidhjet

logo-print

Qytetarët mbrojnë 28 Nëntorin


Prishtinë - Sheshi Nëna Terezë

Prishtinë - Sheshi Nëna Terezë

Shumica e qytetarëve të Kosovës thonë se festa e 28 Nëntorit duhet të futet në Ligjin për Festat Zyrtare të Republikës së Kosovës. Ata thonë se festa e 28 Nëntorit është kremtuar gjithmonë dhe duhet të vazhdojë të kremtohet edhe në të ardhmen.


28 Nëntori, Dita e Flamurit kombëtar shqiptar duhet të futet në projektligjin për festat zyrtare, të cilin Qeveria e ka dërguar në Kuvend për miratim.

Kështu thonë qytetarët e Kosovës, por ka edhe të atillë që thonë se 28 Nëntori është festë e shtetit shqiptar dhe Kosova duhet t’i ketë festat e veta.

Demë Fetaj konsideron se festa e 28 Nëntorit duhet të festohet edhe në Kosovë.

“Patjetër duhet përfshirë, se kjo është një ngjarje shumë e madhe historike e popullit shqiptar. Prandaj, nuk duhet të miratohet asnjë ligj, në qoftë se nuk parashihet 28 Nëntori në ligjin që është në procedurë në Kuvendin e Kosovës".

"Nuk duhet ne ta zhveshim pavarësinë nga të gjitha elementet kombëtare. E zhveshëm nga flamuri, e zhveshëm nga disa të tjera, por tash së paku Dita e Dëshmorëve, Dita e Pavarësisë janë, por duhet të jetë edhe 28 Nëntori. Duket se këta po u bëjnë shumë tolerime organizatave ndërkombëtare, UNMIK-ut dhe BE-së”, u shpreh Fetaj.

28 Nëntori është festë kombëtare dhe gjithmonë duhet të festohet, thotë Ramadan Berisha.

“Natyrisht se 28 Nëntori është festë kombëtare, prandaj gjithsesi duhet të mbetet festë e shqiptarëve në të gjitha territoret. Është një prej festave që më së tepërmi ia vlen të festohet”, thotë Berisha.

Edhe Egzona Hajdari thotë se 28 Nëntori është festuar gjithmonë dhe një gjë e tillë duhet të vazhdohet, edhe pse Kosova është pavarësuar.

“28 Nëntori është festë që duhet të festohet. Edhe pse kanë ndryshuar rrethanat, ka ndryshuar flamuri, ajo duhet të festohet”, shprehet Hajdari.

Gresa Gashi konsideron se vendimi i qeverisë që festa e 28 Nëntorit të mos futet në Ligjin për Festat Zyrtare të Kosovës, është një vendim i shpejtë dhe jo i menduar mirë.

“Është Dita e Flamurit. Flamuri është kombëtar dhe na takon edhe neve. Vendimi i qeverisë është jo i matur”, thotë Gashi.

Edhe Fatime Bublaku mendon ngjashëm.

“Mendoj se duhet të jetë, sepse është festë kombëtare. Nuk e di çka mendojnë ata, por mendoj se edhe në Kosovë duhet të jetë festë 28 Nëntori”, thotë Bublaku.

Por, Mehmetali Azemi thotë se Kosova është shtet dhe duhet t’i festojë vetëm festat e veta, jo edhe të Shqipërisë.

“Nëse 28 Nëntori është festë kombëtare, festë shtetërore e Shqipërisë, atëherë mbetet festë shtetërore e Shqipërisë. Nëse ne jemi shtet, atëherë duhet ta kemi festën tonë”,
thotë Azemi.

Fazli Berisha vlerëson se duhet të gjendet një vend i veçantë në Ligjin për Festat Zyrtare se si të festohet 28 Nëntori.

“Do të duhej të festohej për shkak të shumë rrethanave; siç dihet, shqiptarët për hir të këtij flamuri dhe për ditën e 28 Nëntorit janë persekutuar, ndoshta edhe deri në flijim".

"Do të duhej të festohej, por duhet të gjendet mënyra, sepse nëse ne të gjithë e kemi pranuar pakon e Ahtisaarit, duhet të jemi shumë më realistë, tash në këto momente. Duhet gjetur njëfarë mënyre se si të festohet dhe si të përfshihet në Ligjin për Festat Shtetërore të Kosovës”, thotë Berisha.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG