Ndërlidhjet

Bajraktari: Heqja e 28 Nëntorit krijon atmosferë padurimi


Jusuf Bajraktari
Jusuf Bajraktari

"28 Nëntori është një ditë e veçantë për historinë dhe ndërgjegjen tonë kombëtare. Me 28 Nëntorin janë të lidhura një varg sentimentesh, ngjarjesh të rëndësishme, të ngulitura në vetëdijen e popullit tonë", thotë Jusuf Bajraktari, drejtor i Institutit të Historisë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bajraktari, si e vlerësoni propozimin e qeverisë që të mos përfshihet 28 Nëntori në kalendarin e festave zyrtare, propozim ky që ka ngjallur reagime të shumta?

JUSUF BAJRAKTARI
Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës përgjithësisht, në bazë të dokumentit të Ahtisaarit, janë të obliguara që brenda një periudhe kohore të miratojnë disa ligje, ligje që kanë për qëllim rregullimin e marrëdhënieve në mes të qytetarëve, sjelljen e dinjitetshme të organeve qeveritare në raport me qytetarët dhe po kështu rregullimin apo hapjen e shtigjeve që qytetarët t’i respektojnë institucionet e veta.

Unë besoj që parimi i të gjitha rregullave, kushtetutave, normave, është së pari ky raport. Nisur nga ky parim, miratimi i një ligji ose disa ligjeve, sipas kësaj pakoje, është një qëllim i mirë, një përpjekje solide e institucioneve tona.

Ndërkaq, mund të thuhet se propozimi i projektligjit të Qeverisë së Kosovës për miratim të datave të shënuara të festave shtetërore, siç është parë edhe në debatin e deputetëve të Kosovës, por edhe në reagimin e menjëhershëm të opinionit publik, ka ngjallur një kontarversë, një reagim të ashpër edhe të deputetëve, edhe të opinionit, që, sipas mendimit tim, është shumë i qëlluar.

Pse them se është i qëlluar? Ne jemi shumë të vetëdijshëm si qytetarë, por në këtë rast edhe si përfaqësues i një institucioni me domethënie, që në radhë të parë ka për qëllim valorizimin e vlerave kulturo-historike dhe fisnikërimin e respektimin e ndjenjave kombëtare në këtë rast, të mbarë popullit të Kosovës, se institucionet qeveritare duhet të kenë parasysh që me veprimet e tyre të zgjedhin momentet e duhura për hapjen e diskutimeve për çështje të ndjeshme.

Në këtë rast, është krejtësisht normale shënimi i datave të veçanta, por, siç është parë, reagimi konsiston me 3-4 momente që janë të vlefshme për historinë e Kosovës, për kulturën, traditën dhe për respektin në mes të popullatës kosovare në radhë të parë, sikurse edhe një garanci për krijimin e raporteve të mira edhe me fqinjët.

28 Nëntori është një ditë shumë e veçantë për historinë dhe ndërgjegjen tonë kombëtare, me 28 Nëntorin janë të lidhura një varg sentimentesh, ngjarjesh të rëndësishme, që janë të ngulitura në vetëdijen e popullit tonë. Dhe, për këtë arsye, lënia anash e kësaj date të rëndësishme bie në kundërshtim me interesat vitale të popullit të Kosovës.

Në këtë mënyrë, në vend që të krijojmë mundësi për ambientimin apo mirëkuptimin në mes të komuniteteve të ndryshme, krijojmë një shkas për t’i përçarë njerëzit, për t’i ndarë njerëzit e pakënaqur dhe për të qenë një atmosferë e padurueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Fill pas propozimit të qeverisë, ka pasuar reagime të ndryshme, të cilat kanë kritikuar hapin e qeverisë, duke thënë madje se kjo është ikje nga vetvetja dhe shkombëtarizim. Çfarë mendoni ju?

JUSUF BAJRAKTARI

Unë nuk dua të kaloj në pozicione ekstreme të vlerësimeve. Pavarësisht qëllimit të mirë që kanë pasur për miratimin e këtij ligji, kjo shihet që nuk ia kanë qëlluar këtë radhë.

Prandaj, është ky si projekt dhe unë kujtoj që qeveria do të duhej të përmirësojë këtë dhe të mos shkojë në krijimin e një atmosfere disonante në mes të institucioneve dhe popullatës, sepse është kundërproduktive, është kundër interesave vitale edhe të misionit ndërkombëtar, është edhe kundër një klime të bashkëpunimit, të integrimeve evropiane etj.

Pra, Kosova ka fituar se ka qenë e përcaktuar për një çështje vitale, për liri e pavarësi dhe është përputhur me fondamentin e të drejtave njerëzore dhe lirive qytetare të botës dhe me interesat e shteteve demokratike. Për këtë arsye, çdo hap që duhet të merret nga institucionet tona, duhet të jetë në harmoni me këtë pikëpamje.
Nuk ka gjasa absolutisht, as me një ligj, as me shumë ligje, që të mund të bëhet shkombëtarizimi i popullit të Kosovës.

Nuk ka gjasa absolutisht, as me një ligj, as me shumë ligje, që të mund të bëhet shkombëtarizimi i popullit të Kosovës. Kosova ka një traditë, domethënë është një çerdhe e ndjenjës së lirisë dhe pavarësisë kombëtare, e përpjekjeve, lëvizjeve të shumëmotshme të këtij populli për liri e pavarësi.

Nuk mund të diskutohet kjo punë, por mund të thuhet së paku se ishte një akt i papëlqyeshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, nga pikëpamja historike, lindja e shteteve të reja a nënkupton edhe heqje dorë nga traditat e një kombi?

JUSUF BAJRAKTARI
Unë do të thosha që çdo akt i shpalljes së një shteti të pavarur është rezultat i përpjekjeve të popullit dhe vullnetit të atij populli. Pikërisht mbi këto postulate është mbështetur edhe akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk do të thotë në asnjë mënyrë mohim i së drejtës së dikujt tjetër apo pavarësia e Kosovës është bërë për inat të dikujt apo për qejf të dikujt. Domethënë, kjo është një rezultat i një dëshire të kamotshme, i një vlere të çmueshme të popullit të Kosovës dhe përpjekjeve të atij populli.

Në këtë rast, nuk mund të konsiderohen në asnjë mënyrë miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe i akteve të tjera ligjore si hapa drejt largimit të traditës sonë kombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Marrë parasysh pakon e Ahtisaarit dhe dispozitat e saj, që nga shpallja e pavarësisë sa janë shkaktuar përplasje mes identitetit kombëtar dhe atij shtetëror në Kosovë?

JUSUF BAJRAKTARI
Unë besoj së këto do të duhej të shikoheshin me një sens, me një realizëm të veçantë. Është çështje mirë e njohur botërisht, se pakoja e Ahtisaarit nuk është një vullnet i popullatës shumicë, as i minoriteteve të Kosovës. Siç dihet, pakoja e Ahtisaarit ka lënë të pakënaqur në të gjitha anët, në një mënyrë.

Mirëpo, gjatë sendërtimit të pakos së Ahtisaarit, aty ka mjaft hapësirë. Përfaqësuesit e zgjedhur kanë për obligim të bëjnë vlerësimin dhe aplikimin e atyre normave që shtojnë vullnetin ndaj respektit të shtetit të ri, shtojnë potencialet, shtojnë fuqitë krijuese, shtojnë përkushtimin. Nuk do të duhej të preken, sepse ka edhe akte, apo thënë më mirë, vlera që mund të irritojnë dikë.

Unë kujtoj se pikërisht institucionet, me një program të caktuar, duhet të zgjedhin momentet që janë të dobishme, që integrojnë njerëzit, që ofrojnë qytetarët. Qeveria e Kosovës dhe institucionet bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për integrimin e popullatës serbe në proceset demokratike në shtetin e ri të Kosovës.

Nuk mund të bëjnë hapin e kundërt në drejtim të mohimit të të drejtave të shumicës dërrmuese – shqiptare në këtë rast. Për këtë arsye, unë kujtoj që Qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të interesohen, t’u binë atyre pikave që integrojnë, që shtojnë vullnetin e popullit, sepse ka shumë akte, shumë gjëra që janë bërë ndoshta edhe për hir të asaj vlerës së çmueshme, interesit të jashtëzakonshëm për pavarësinë e Kosovës.

Tashmë duhet të seleksionohen sferat dhe të bëhen përpjekje që ato zgjidhje e propozim-ligje të jenë drejtpërdrejt në interesin e qytetarëve të Kosovës, në interesin e shumicës, siç është çështja e zhvillimit ekonomik, çështja e transparencës, çështja e krijimit të shtetit ligjor, çështja e rregullimit të marrëdhënieve, efikasitetit të institucioneve.

Mirëpo, nuk mund të barazohet në këtë rast miratimi i një ligji për festat e të lihen anash çështje kapitale sikurse është 28 Nëntori, Dita e Çlirimit të Kosovës, sepse kjo drejtpërdrejt bie në kundërshtim me interesat e shumicës absolute të popullit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG