Ndërlidhjet

Kush do të mbikëqyrë procesin e privatizimit?



Mandati i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit do të përfundojë në muajin qershor, ndërkaq procesi i privatizimit do të mbikëqyret nga një agjenci e re, e quajtur Agjencia Kosovare e Privatizimit. Kjo çështje parashihet edhe me Ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i cili është në procedurat përfundimtare të miratimit në Kuvendin e Kosovës.

Anëtarë të bordit të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit dhe ekspertë të ekonomisë nuk shohin ndonjë ndryshim të madh në procesin e privatizimit edhe pas formimit të agjencisë se re.

Haxhi Arifi, anëtar i Bordit të AKM-së, thotë se Agjencia Kosovare e Mirëbesimit duhet që deri në fund të muajit qershor t’i dorëzojë përgjegjësitë në agjencinë e re.

“Nëse arrihet që në bazë të rregullave të bëhet pranim-dorëzimi, atëherë 30 qershori duhet të jetë data e përfundimit që kompetencat të kalojnë tek vendorët”, thotë Arifi.

Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, edhe pse thotë se ky ligj është shumë i rëndësishëm për ekonominë kosovare, ai shpreh dyshimin se ky ligj nuk është studiuar në mënyrë të mirëfilltë që t’i përshtatet gjendjes ekonomike në vend.

“Çfarëdo ligji që miratohet lidhur me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, ose Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i cili do të jetë në të ardhmen, në qoftë se nuk do të ketë një monitorim të mirëfilltë dhe nëse nuk do të ketë ngritje të përgjegjësisë në zbatimin e tij, atëherë është e kotë të bëhet çmos”, shprehet Gërxhaliu.

Funksionimi i këtij ligji apo zgjidhja e problemeve që kanë të bëjnë me çështjet e privatizimit, shumë më tepër kanë të bëjnë me Qeverinë e Kosovës, thotë Gërxhaliu, duke shtuar se ligji nuk mund t’i zgjidhë problemet e grumbulluara në procesin e privatizimit. Dhe, për këtë, ai thotë se në këtë drejtim qeveria duhet të ketë më tepër kompetenca.

“Deri më tani jemi dëshmitarë të asaj se në procesin e privatizimit, Kosova më tepër ka humbur, sesa që ka fituar, me vetë faktin se bartës kryesor i përgjegjësisë për një krizë sociale në Kosovë është mu ky proces i privatizimit, ku më tepër njerëzit kanë humbur vende të punës, 20 përqindëshi nuk është diskutuar fare, apo nuk është paguar. E tëra kjo obligon Qeverinë dhe Parlamentin që të bëjnë më tepër, në rend të parë të fuqizohet përgjegjësia dhe më vonë të bëjnë zbatueshmërinë e ligjeve”,
thotë Gërxhaliu.

Ndryshe, sipas pakos së Ahtisaarit, vetëm ndërmarrjet publike do të kalojnë në kompetencë të institucioneve të Republikës së Kosovës, ndërsa ato shoqërore do të privatizohen dhe menaxhohen nga agjencia e re.

Lidhur me këtë, Safet Gërxhaliu thotë: “Esenca është që të gjendet moduli, apo një rrugë që do të funksionalizojë dhe nga ky proces i privatizimit të përfitojë Kosova në procesin e zhvillimit ekonomik. Nëse që në start vendoset që këto kompani duhet të jenë me këtë pako, atëherë ky është fillimi i dështimit që në start”, thekson Gërxhaliu.

Sidoqoftë, bordi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit ka marrë vendim që të mos shpallen më valë të reja të privatizimit. AKM-ja tashmë është e koncentruar në nënshkrimin e kontratave të valëve të mëhershme të ndërmarrjeve të privatizuara.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG