Ndërlidhjet

"Hyseni mban fjalim shtetëror, Tadiq bojkoton samitin"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Boris Tadiq dhe Vuk Jeremiq nuk kanë mundur të bënin ballë, të mërkurën, që të dëgjonin se çka do të thoshte ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, në momentin kur do të merrte fjalën në Samitin e bashkëpunimit të Evropës Juglindore, në Primorie të Bullgarisë. Kryetari i Serbisë, bashkë me delegacionin përcjellës, e ka braktisur këtë samit, në shenjë proteste ndaj trajtimit të Kosovës si shtet, nga ana e nikoqirit dhe të shteteve të tjera pjesëmarrëse. Një ditë më parë, shefi. i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, i kishte vënë veton miratimit të një dokumenti të samitit, ku Kosova gëzonte tretmanin e barabartë me shtetet e rajonit. Mirëpo, tentimi për të parandaluar edhe fjalimin e Hysenit, ka dalë i pasuksesshëm, dhe në shenjë revolte, ekipi i Beogradit ka dalë nga takimi. Ndërkaq, Skënder Hyseni, vetëm pak çaste më vonë, ka shpalosur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim me Serbinë...

ZËRI
Afati i përmendur pak ditë më parë për vendimin që duhet të merret sa i përket organizimit të pranisë ndërkombëtare në Kosovë pas 15 qershorit, kur duhet të hyjë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ka gjasa të respektohet nga Nju-Jorku (OKB-ja) dhe Brukseli (Bashkimi Evropian). Ky afat është fundi i muajit maj, sepse, sipas burimeve diplomatike perëndimore, vetëm në këtë mënyrë mund të krijohen rrethana të volitshme që rrjedhat në Kosovë të marrin, pak a shumë, drejtimin që është planifikuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari. Sipas këtyre burimeve, ne ditët e ardhshme pritet një intensifikim i konsultimeve në BE, për të siguruar që rikonfigurimi i UNMIK-ut, pas 15 qershorit, të ndodhë në atë mënyrë që në substancë të mos ndryshojnë gjërat, apo që ICO-ja dhe EULEX-i t'i marrin përgjegjësitë e duhura në mbikëqyrjen e zbatimit të Pakos së presidentit Ahtisaari, dhe në përkrahjen që duhet dhënë institucioneve të Kosovës, që shoqëria kosovare të jetë stabile dhe e qëndrueshme...

KOSOVA SOT
Grupi Drejtues Ndërkombëtar do të zhvillojë sot takimin e tretë zyrtar, dhe të parin të tillë në Prishtinë. Grupi, i cili përbëhet nga shtete të ndryshme të fuqishme që e kanë njohur ose janë deklaruar se do ta njohin pavarësinë e Kosovës, pritet që të marrë informata të dorës së parë për gjendjen në Kosovë nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Faith, dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. ISG, siç është shkurtesa e këtij grupi, është mekanizmi i cili ka mandatuar Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe shefin e saj Pieter Faith, si mbikëqyrës të implementimit të pakos së Ahtisaarit. Takimi i sotëm pason takimin jozyrtar të këtij grupi me përfaqësim në nivel ambasadash në Kosovë, që qe mbajtur më 7 maj të këtij viti në Prishtinë. Risi në këtë takim është pjesëmarrja edhe e shtatë shteteve të reja, të cilat janë bërë anëtare të grupit. Bullgaria, Estonia, Irlanda, Letonia, Luksemburgu, Holanda, dhe Polonia, janë shtetet e reja pjesëmarrëse në këtë grup...

EPOKA E RE
Eksperti i njohur për Ballkanin dhe drejtori i Projektit të Qendrës për Studime Strategjike Ndërkombëtare në Uashington, Janush Bugajski, ka vlerësuar se me njohjen e pavarësisë së Kosovës, Mali i Zi do të ishte "krah për krah" me emrat e mëdhenj të BE-së dhe NATO-s, që kërkojnë qasje më praktike dhe më reale në stabilizimin e Ballkanit. "Serbia përkohësisht mund ta tërheqë ambasadorin nga Podgorica, por duhet bërë dallimin midis gjërave simbolike, politike dhe praktike. Serbia dhe Mali i Zi gjithmonë do të mbesin fqinj dhe patjetër duhet të punojnë bashkë, për të mirën e rajonit", është shprehur Bugajski për gazetën "Republika" të Podgoricës...

EXPRESS
Edhe pse ende nuk ka mbledhur guxim të japë instruksione për rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe ende nuk ka arritur marrëveshje me BE-në për praninë ndërkombëtare në Kosovë, Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-Moon nuk po rri krejt duarkryq sa i përket Kosovës. Ai ka kohë që është duke kërkuar një PSSP të ri për Misionin e OKB-së në Kosovë, që do ta zëvendësojë Joachim Rueckerin. Ky i fundit ka kontratë me Kombet e Bashkuara deri në fund të qershorit, por sipas burimeve ndërkombëtare, Ruecker planifikon që praktikisht të përfundojë misionin në gjysmën e qershorit, kur të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Në qarqet ndërkombëtare së fundi janë përmendur dy kandidatë të mundshëm për të udhëhequr UNMIK-un gjatë fazës së rikonfigurimit. Nga një listë me disa emra zyrtarësh me karrierë të gjatë në Kombet e Bashkuara, tani thuhet se ka mbetur vetëm italiani Francesco Bastagli...

INFOPRESS
Deri më tani në Kosovë kanë operuar shërbime të ndryshme inteligjente, operimi i të cilave ka qenë ilegal. Tanimë Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar ligjin për themelimin e Agjencionit të Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe me këtë vendim pritet shumë shpejt të ketë shërbimin inteligjent institucional, që punën e tij do ta kryejë mbi bazë legjitime. Me këtë ligj lejohet përdorimi i të gjitha mjeteve të arsyeshme dhe të ligjshme që Kosova të pranojë informatat, t'i analizojë ato dhe t'i shpërndajë në mënyrë të shpejtë dhe të përgjegjshme. Ndryshe, themelimi i një agjencioni të tillë është i paraparë edhe në nenin 129 të Kushtetutës së Kosovës dhe mbikëqyrja e AKI-së kryhet nga komisioni mbikëqyrës parlamentar, mandati i të cilit përshkruhet përmes ligjit për themelimin e këtij agjencioni...

BOTA SOT
Presidenti i Republikës së Kosovës, dr Fatmir Sejdiu, priti në një takim zotin Xhejms Pardju (James Pardeë), zëvendës i ndihmëssekretarit të përgjithshëm të NATO-s dhe drejtor i operacioneve. Presidenti dhe zyrtari i lartë i NATO-s biseduan për gjendjen në Kosovë dhe perspektivën e zhvillimeve të përgjithshme. Presidenti i Kosovës çmoi punën e KFOR-it në Kosovë, ndërsa zoti Xhejms Pardju siguroi për vazhdimësi të punëve të NATO-s rreth sigurisë së Kosovës...

LAJM
Udhëheqësi i misionit evropian, për tri ditë radhazi qëndroi në Kosovë, u takua me qytetarë në Klinë e Prizren, me disa liderë lokalë e përfaqësues të institucioneve të ligjit dhe, nëpërmjet mediave, sinjalizoi se EULEX-i nuk do të mund të zbarkojë në Kosovë në afatin e paraparë, më 15 qershor. Lajmin për shtyrjen e afatit të vendosjes së misionit për shkak të paqartësive ligjore, Yves de Kermabon ua transmetoi "on air" disa qytetarëve, por jo presidentit, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, së paku jo publikisht. Mirëpo, në një formë tjetër, Kermabon i ka informuar liderët se EULEX-i do të vonohet. E ka bërë këtë nëpërmjet emisarëve të caktuar në Prishtinë. "Natyrisht, liderët vendës e dinë se do të vonohet vendosja e EULEX-it, sepse Kermabon ua ka bërë me dije gjatë vizitës. Nuk i ka takuar personalisht, por ua ka transmetuar lajmin nëpërmjet personave të caktuar. Nuk është e thënë që çdo informatë të lansohet nëpërmjet konferencave apo takimeve publike. A duhet që gjithçka të bëhet publike?!", tha për "Lajm", të mërkurën, Victor Reuter, shef i Zyrës për informim publik në Ekipin Planifikues të BE-së (EULEX) në Kosovë...

XS
SM
MD
LG