Ndërlidhjet

logo-print

DiCarlo: “OKB do të ketë një rol në Kosovë edhe pas 15 qershorit”


Rosemary DiCarlo

Rosemary DiCarlo

Diplomatja amerikane, Rosemary DiCarlo, ka deklaruar në Prishtinë, se edhe pas 15 qershorit, OKB do ketë një rol në Kosovë dhe se qartësimi i këtij roli po diskutohet intensivisht.


“Mendoj se liderët kosovarë e kanë bërë të qartë, madje edhe në deklaratën e tyre të pavarësisë, po ashtu, se Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të luajnë një rol në Kosovë, por se çfarë roli do të jetë ky, kjo çështje është ende duke u diskutuar”, tha DiCarlo, pas takimit të përbashkët me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Zëvendës-ndihmësja e sekretares amerikane për Evropën, Rosemary DiCarlo, ka bërë të ditur se diskutimet për rikonfigurimin e OKB-së janë duke u zhvilluar me intensitet të lartë. Ndërkohë, SHBA-të, sipas DiCarlos, do të vazhdojnë të mbështesin sovranitetin e Kosovës. Ajo ka përmendur mundësinë e përfshirjes së SHBA-ve në misionin e BE-së, të koduar si EULEX.

Zonja DiCarlo ka marrë pjesë në takimin e sotëm të Grupit Drejtues për Kosovën, në të cilin është diskutuar edhe prania ndërkombëtare civile, por pa u arritur ndonjë qartësi se çfarë roli do të kenë misionet ndërkombëtare pas 15 qershorit, kur edhe hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës.

Presidenti Fatmir Sejdiu thotë se do të jenë institucionet e Kosovës ato që do udhëheqin pas kësaj date.

“Natyrisht se do të udhëheqin institucionet e saj, në bashkëpunim me praninë civile ndërkombëtare, që do të jetë një mbështetëse e proceseve tona dhe në veçanti një mbështetëse për implementimin e projektit të Ahtisaarit, për të cilin ne jemi zotuar se do ta bëjmë dhe një mbështetje që ka të bëjë me proceset integruese”, tha Sejdiu.

Në anën tjetër, 15 qershori është mirëpritur nga Grupi Drejtues për Kosovën, i cili, përmes një deklarate për media, ka thekuar se në këtë ditë, autoritetet e Kosovës dhe Përfaqësuesi Ndërkombëtar Civil do të marrin përgjegjësitë e tyre të plota, të përcaktuara në pakon e Ahtisaarit dhe në Kushtetutë.

Ky grup thuhet në deklaratë ka vënë re se përpjekjet për lehtësimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë po vazhdojnë dhe konsideron se Qeveria e Kosovës duhet të përfshihet plotësisht.

Kryeministri Hashim Thaçi, i cili i është drejtuar këtij grupi për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, ka thënë se qartësia e pranisë ndërkombëtare pritet vetëm pas 15 qershorit.

“Më 15 qershor do hyjë në fuqi Kushtetuta; institucionet do t’i marrin kompetencat e veta, do të ushtrojnë autoritetin hap pas hapi në tërë territorin e Kosovës, me mbështetjen civile dhe ushtarake ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, shpreh mirënjohje për punën e OKB-së në Kosovë; do të ndodhë qartësia më 15 qershor dhe do të kemi rikonfigurim të ri, që është i mirëpritur nga institucionet e Kosovës”, tha Thaçi.

Në anën tjetër, kreu i Grupit Drejtues për Kosovën, Peter Faith, ka shfaqur besimin se Zyra Ndërkombëtare Civile do të shtrijë funksionin e saj në tërë territorin e Kosovës. Kjo zyrë qe tërhequr nga veriu i Kosovës pas refuzimit që i është bërë misionit të BE-së nga serbët në atë pjesë.

Faith ka thënë se zyra që ai drejton po ushtron funksionin në veri, por i është shmangur përgjigjes nëse misioni i BE-së është i pranishëm edhe fizikisht në veri të Kosovës.

“Zyra Civile Ndërkombëtare ka mandat që të ndihmojë qeverinë në zbatimin e pakos së Ahtisaarit në krijimin e një shoqërie multietnike në tërë territorin e Kosovës dhe ne po punojmë në këtë kontekst”, tha Faith, i cili ka thënë se të gjitha shtetet anëtare të Grupit Ndërkombëtar Drejtues kanë shprehur përkrahjen e tyre të plotë për pavarësinë e Kosovës.

Ndryshe nga çfarë është thënë më parë nga institucionet e Kosovës, se UNMIK-u do të shuhet pas 15 qershorit, kryeministri Thaçi tha sot se institucionet mirëpresin, siç e quajnë, rikonfigurimin e pranisë ndërkombëtar civile, ashtu siç edhe pretendojnë të kenë raporte të mira me OKB-në.

Grupi Drejtues për Kosovën, i cili mbledh shtetet që kanë njohur Kosovën, ka mbajtur sot takimin e tij të tretë, i cili ishte në nivel të drejtorëve politikë për Ballkanin. Ky grup po zgjerohet me shtimin e shteteve që po e njohin pavarësinë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG