Ndërlidhjet

Tri propozime të reja kompromisi për Ligjin për festat


Deputetët e Kuvendit të Kosovës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Një komision ‘ad hoc’, i përbërë nga të gjitha partitë parlamentare, po shqyrton disa rekomandime në lidhje me Ligjin për festat zyrtare në Kosovë. Deputetët kanë kërkuar që 28 Nëntori, pastaj 12 Qershori dhe 6 Marsi, të përcaktohen si festa zyrtare përmes ligjit.

Qeveria, në koordinim me përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare, ka propozuar që këto data të emërohen me emra të rinj dhe të përfshihen vetëm si aneks në Ligjin për festat.

Çështja e festave zyrtare në Republikën e Kosovës mbetet jo vetëm dilemë, por edhe pjesë e konsultave dhe kompromiseve ndërmjet subjekteve politike vendore dhe përfaqësuesve të pranisë ndërkombëtare.

Identiteti i ri i Kosovës si shtet, duke i përjashtuar festat kombëtare të shumicës, sipas një kalendari festiv të prezantuar në Ligjin për festat nga ana e qeverisë, është kundërshtuar nga Kuvendi.

Deputetët kanë kërkuar që ky kalendar t’i përmbajë edhe tri festa tjera, atë të Çlirimit, Ditën e Dëshmorëve dhe 28 Nëntorin. Por, kjo kërkesë e deputetëve, duket se nuk ka një konsensus të plotë me ndërkombëtarët.

Andaj, si zgjidhje alternative është propozuar që disa data historike të Kosovës dhe të shqiptarëve të hyjnë si aneks i ligjit, duke i modifikuar edhe emrat e këtyre festave. Kjo zgjidhje alternative, sqarohet nga deputeti Ibrahim Makolli, nga komisioni ‘ad hoc’ për ligjet e pakos së Ahtisaarit.

“Janë tri propozime që Kuvendi i Kosovës të nxjerrë një deklaratë, e cila do t’i bashkohet, do të jetë aneks i Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, në të cilat janë përmbledhur 6 Marsi, që nuk është menduar të quhet edhe më tutje Dita e Veteranëve ose Dëshmorëve, 12 qershori - dita e lirisë ose dita e falënderimeve, apo dita e paqes, dhe 28 Nëntori si dita e shqiptarëve”,
tha Makolli.

Lidhur me këto propozime, të cilat Kuvendit i kanë ardhur pas konsultimeve me Zyrën e Kryeministrit dhe atë të Presidentit të Kosovës, deputeti Lulëzim Zeneli, po nga komisioni ‘ad hoc’, thotë se i mbetet secilit grup parlamentar që të marrë qëndrim përkatës, qëndrime këto që do të prezantohen në seancën e nesërme plenare.

“Është herët të flitet për një propozim të mundshëm, i cili do të jetë si zgjidhje alternative, në mënyrë që të procedohet dhe ta marrë miratimin në seancë plenare. Mirëpo, po presim; t’i pranojmë së pari propozimet e tilla dhe pastaj mbi ato propozime ne do të diskutojmë dhe marrim qëndrimin përfundimtar. Pretendojmë që tri datat që janë esenciale, duhet të merren dhe adresohen përmes ligjit në Kuvendin e Kosovës”, tha Zeneli.

Propozimi për rimodifikimin dhe riemërimin e festave që në Kosovë janë festuar tradicionalisht, po shqyrtohet sot nga komisioni ‘ad hoc’, i cili në orët e mbrëmjes pritet të dalë me rekomandime për seancën e nesërme të Kuvendit.

Sidoqoftë, është Kuvendi i Kosovës ai i cili në fund do të vendosë nëse do t’i pranojë apo jo rekomandimet alternative për aneksin e ligjit për festat, pasi që si pjesë e Ligjit për festat zyrtare figurojnë vetëm 17 shkurti – Dita e Pavarësisë dhe Dita e Kushtetutës, kurse të nëntë festat tjera zyrtare të Kosovës që figurojnë në këtë ligj, janë festa ndërkombëtare apo fetare.
XS
SM
MD
LG