Ndërlidhjet

Privatizimi nga agjencia vendore



Që nga viti 2003, edhe kur ka filluar procesi i privatizimit, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit ka privatizuar vetëm 360 ndërmarrje shoqërore, ndërkaq afër 100 ndërmarrje tjera janë në proces të privatizimit, kontratat e të cilave do të nënshkruhen deri në fund të muajit qershor.

Kështu thotë Ekrem Tahiri, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, duke shtuar se mandati i kësaj agjencie do të përfundojë në muajin qershor.

“Nga këto kontrata, 337 janë me spin-off të rregullt, kurse 23 me spin-off special. Ndërkaq, në proces të nënshkrimit janë edhe disa kontrata, të cilat AKM-ja është zotuar se do t’i nënshkruajë deri në fund të mandatit të saj, deri në fund të qershorit, kur numri i kontratave do të rritet deri në 450 ndërmarrje”, thotë Tahiri.

Pas shuarjes se Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, privatizimi i ndërmarrjeve do të vazhdojë nga agjencia e re, e quajtur Agjencia Kosovare e Privatizimit. Pikërisht për këtë, edhe Kuvendi i Kosovës, dje, ka miratuar Ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ekrem Tahiri, nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, pohon se kanë mbetur rreth 300 ndërmarrje tjera shoqërore të paprivatizuara, të cilat duhet të privatizohen nga agjencia e ardhshme. Ndërkaq, i paprivatizuar ka mbetur edhe kompleksi metalurgjik “ Trepça”, edhe kompleksi turistik “Brezovica”.

“Sigurisht që agjencia e re do të vendosë se çfarë qasjesh do të ketë dhe si do të veprojë me to. Deri më tash, plani ka qenë që të gjitha ndërmarrjet shoqërore të privatizohen. Por, mënyra se si do të privatizohen ato, do të vendoset nga bordi i agjencisë së ardhshme”, pohon Tahiri.

Por, përveç kësaj, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit nuk ka përfunduar as obligimet për punëtorët e saj, që dalin nga një rregullore e administratës ndërkombëtare, që 20 për qind nga shuma e përgjithshme e shitjes së ndërmarrjeve, t’i takojë punëtorëve.

Ekrem Tahiri pohon se deri më tani agjencia ka shpërndarë vetëm 16 milionë euro, nga 75 milionë euro sa u takojnë punëtorëve.

“Kjo besoj se do të shpërndahet, pasi është një përpjekje për t’u përshpejtuar. Shpresat janë që ndoshta agjencia e re do të gjejë një mënyrë më të mirë, për të shqyrtuar ankesat dhe për të shpejtuar këtë proces”, tha Tahiri.

Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike nuk e kanë vlerësuar si të suksesshëm procesin e deritashëm të privatizimit nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, kështu që, sipas tyre, agjencia e re duhet të ndryshojë mënyrën e procesit të privatizimit.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, pohon se procesi i privatizimit do të jetë i suksesshëm vetëm nëse agjencia e re e ndryshon strategjinë e privatizimit.

“Agjencia e privatizimit duhet të ketë parasysh që mos t’i bëjë gabimet që i ka bërë AKM-ja dhe të fokusohet në rritjen dhe zhvillimin e atyre ndërmarrjeve që kanë mbetur të paprivatizuara, si dhe të ndryshojë strategjinë e privatizimit”, thotë Shahini.

Ndryshe, me përfundimin e misionit të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, do të shuhet edhe Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, çështje kjo që është paraparë me planin e Ahtisaarit. Për këtë, Kuvendi i Kosovës dje ka miratuar Ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Hyrja në fuqi e këtij ligji pason fuqizimin e Kushtetutës më 15 qershor.
XS
SM
MD
LG