Ndërlidhjet

logo-print

Shqetësime nga çmimet e larta të ushqimit

  • RFE /RL

Në raportin e saj të fundit, Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara (FAO) jep pak shpresa se çmimet e larta të ushqimit mund të kthehen në nivelet e mëparshme.


Organizata FAO thotë se ushqimi nuk është më komoditet i lirë. Çmimet panë rritje dramatike në dy vjetët e shkuar, që vetëm vlerësohen në 1 mijë miliard dollarë vetëm për sivjet.

Kjo më së shumti i ka goditur njerëzit, të cilët edhe ashtu shpenzonin pjesën më të madhe të të ardhurave për ushqim.

FAO thotë se vendet me mungesë ushqimi pritet të shpenzojnë 40% më shumë për importin e ushqimeve sesa vitin e kaluar.

Ndër më të goditurat janë drithërat. Organizata thotë se stoqet janë në nivele kritike të ulëta dhe çdo rënie e papritur e prodhimtarisë mund ta përkeqësojë situatën.

Megjithatë, ka një shpresë për përmirësimin e rendimentit të drithit. Fermerët në mbarë botën kanë reaguar ndaj mundësive financiare të çmimeve të larta, duke mbjellë më shumë sipërfaqe punuese.

Në qoftë se moti nuk do të ndërhyjë, pritet që të korrat në vitin 2008 të jenë 658 milionë tonë.

Ukraina, Rusia dhe ish-vendet e Bashkimit Sovjetik mund të presin rezultate të mira. Por, FAO thotë se kushtet e thata në Iran mund ta ulin rendimentin për 2 milionë tonë, krahasuar me vitin e kaluar.

Reduktim i ngjashëm pritet në Kazakistan. Eksperti i organizatës FAO, Abdolreza Abbassian, në planin afatshkurtër sheh mundësi të mira, por tërheq vërejtjen për një periudhë më të gjatë.

"Duhet të shohim në afat më të gjatë kohor. Çështja kryesore me të cilën tash përballemi është nëse do të jemi në gjendje ta rrisim prodhimtarinë për t'i kënaqur nevojat e shtimit të popullsisë", thotë ai.

Prandaj, Abbassian bën thirrje për inovacione dhe përshtatjen e zinxhirit të ushqimit, me mbështetje të fuqishme të teknologjisë.

"Teknologjia ka bërë mjaft punë në të shkuarën dhe jam i sigurt se do të bëjë edhe në të ardhmen. Te fermerët ekziston një gatishmëri e madhe për t'u përshtatur, si në prodhimin e gjërave, në përshtatjen ndaj konsumatorëve apo mënyrat për ndryshimin e ushqimit", thotë Abbassian.

Eksperti i Organizatës Botërore të Ushqimit pohon se bashkësia ndërkombëtare duhet përsëri ta rishikojë çështjen e etanolit në prodhimin e karburantit dhe të rivlerësojë nëse kjo ofron përfitime të mjaftueshme, për t'u kompensuar me humbjen e ushqimit.
XS
SM
MD
LG