Ndërlidhjet

SHBA-të lejojnë dërgimin e celularëve në Kubë


George W. Bush
George W. Bush

Presidenti Bush tha se amerikanët së shpejti do të mund të shesin celularë në Kubë. Bush tha se kjo mund të rrisë shkallën e lirisë së shprehjes në Kubë.


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush, këtë javë po shënon 106 vjetorin e pavarësisë së Kubës nga Spanja. Ai paralajmëroi se qytetarëve amerikanë së shpejti do të lejohet t'u shesin telefona celularë kubanezëve. Bush tha se shpreson që ky gjest do të përmirësojë komunikimin, por edhe do të rrisë shkallën e lirisë së shprehjes në Kubë.

George Bush u tha qeveritarëve se presidenti i Kubës, Raul Kastro, planifikon reforma, me të cilat do të zgjerojë numrin e pajisjeve moderne që shtetasit mund t'i shfrytëzojnë. Reformat parashohin edhe lirinë e posedimit të telefonave celularë dhe kompjuterëve.

Bush i cilësoi shumë të rëndësishme këto reforma, pasi Raul dhe vëllai i tij, presidenti shumëvjeçar i Kubës Fidel Kastro, e kanë sjellë ekonominë në gjendjen në të cilën qytetarët nuk i kanë këto mundësi.

Liria në shfrytëzimin e teknologjisë moderne, tha Bush, megjithatë, nuk do të ketë kuptim, nëse përdorimi dallon nga vendet tjera. Nëse kubanezëve u lejohet përdorimi i telefonave celularë, atëherë atyre duhet t'u lejohet edhe të flasin lirshëm.

"Tani që njerëzit e Kubës kanë qasje të lirë në kumpjuterë, ata gjithashtu duhet të kenë qasje edhe në internet", tha Bush.

Sipas tij, bota po vështron nga afër se sa janë të vërteta reformat e paralajmëruara nga Raul Kastro.

"Nëse Qeveria në Kubë i ndjek deklaratat publike, duke hapur qasjen në informacion, duke zbatuar reforma kuptimplote ekonomike, duke respektuar liritë politike dhe të drejtat e njeriut, atëherë do të mund të thuhej se kanë filluar ndryshimet. Por, përvoja tregon se ky regjim nuk synon të ndërmarrë hapa të tillë", tha Bush.

Kuba ka qenë cështje e nxehtë, sidomos në fushatën presidenciale. Demokratët, Clinton dhe Obama, vazhdimisht e kanë kritikuar Bushin për qasjen ndaj Kubës. Në një debat, para disa muajsh, Obama detajizoi planet për raportet me Kubën, nëse zgjedhet president.

"Unë do të takoja Raul Kastron pa asnjë parakusht, edhe pse pajtohem me senatoren Klinton se duhen bërë përgatitje. Është shumë e rëndësishme për ne që të përcaktohet një agjendë dhe të drejtat e njeriut duhet të jenë të përfshira. Megjithatë, për Shtetet e Bashkuara është e rëndësishme që të flasin jo vetëm me miqtë, por edhe me armiqtë", tha Obama.

Kandidati republikan John McCain kundërshton këtë qasje.
"Ai, Obama, gjithashtu dëshiron takim pa kushte me Raul Kastron. Ky hap do të dërgonte sinjalin më të keq të mundshëm për diktatorët e Kubës, pra, se nuk ka nevojë të ndërmarrin reforma thelbësore dhe se mjafton vetëm të presin ndryshime në politikën amerikane", tha McCain.

Kuba ishte çështje shumë e rëndësishme gjatë kohës kur Bush ishte rizgjedhur president. Mbetet të shihet nëse e njëjta do të vlejë edhe në garën e sivjeme. Sidoqoftë, në politikën presidenciale amerikane, ajo mbetet një çmim për të cilin ia vlen të luftosh.

XS
SM
MD
LG