Ndërlidhjet

Kuvendi ende pa konsensus lidhur me festat zyrtare


Deputetët e Kuvendit të Kosovës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Komisioni ‘ad hoc’ nuk ka arritur konsensus për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për festat zyrtare. Grupet parlamentare nuk kanë ndryshuar qëndrimin lidhur me përfshirjen e 28 Nëntorit, 6 Marsit e 12 Qershorit si festa zyrtare në ligj.


Partitë parlamentare në Kuvendin e Kosovës nuk kanë arritur konsensus lidhur me rekomandimet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare.

Propozimi i fundit i qeverisë dhe grupit për tranzicion që në këtë ligj të mos futen edhe festat kombëtare shqiptare, por ato të përmenden përmes një deklarate apo aneksi të posaçëm të këtij ligji, është kundërshtuar sërish nga grupet parlamentare, kështu që pajtimi i vetëm që është arritur tani, është që diskutimet në këtë pikë të vazhdojnë edhe të premten, para seancës plenare.

Kryetari i komisionit ‘ad hoc’ për ligjet e pakos së Ahtisaarit, Lutfi Haziri, deputet i LDK-së, tha se ka dallim esencial mes kërkesave të Kuvendit dhe propozimit të qeverisë, që festat e 28 Nëntorit, ajo e 6 Marsit dhe 12 Qershori të futën si data në kuadër të Ligjit, siç kërkon Kuvendi, dhe propozimit nga grupi për tranzicion, që këto festa të përmenden në një deklaratë jashtë ligjit, duke u përcaktuar si festa memoriale dhe jo si festa zyrtare.

“Tash jemi duke punuar se a do të jetë pjesë e ligjit, aneks apo deklaratë, përkatësisht se cila është rruga në të cilën do t’i përfshijmë këto data. Këtu qëndron edhe krejt angazhimi ynë. Deri tash nuk kemi arritur të kemi konsensus apo të arrijmë shumicën e domosdoshme për ta gjetur rrugën, në mënyrë që Kuvendi ta ketë të qartë mënyrën e votimit”, tha Haziri.

Edhe grupi më i madh parlamentar, ai i PDK-së, sipas deputetit Fehmi Mujota, nuk e ka zbutur qëndrimin nga mbledhja e fundit e Kuvendit, kur kjo parti politike që drejton me Qeverinë e Kosovës, qe kërcënuar se nuk do ta votojë Ligjin për festat nëse ai nuk i përmban në kalendarin e vet zyrtar edhe festat kombëtare të shumicës.

“Ajo që mund të bëhet brenda ligjeve dhe mbi bazën e asaj se sa mund të ndërhyhet në ligjet e pakos së Ahtisaarit, me siguri që do të jetë vendimi më i drejtë, e ne kemi marrë vendimin më të drejtë që mund të merret në raport me ligjin që është në procedim”,
tha Mujota.

Ndërkohë, opozita e ka bërë të qartë se nuk do t’i mbështesë propozimet që festat, si ajo e Flamurit, e Çlirimit dhe e Dëshmorëve, të mbeten si aneks apo si deklaratë. Ibrahim Makolli, nga AKR-ja, thotë se problemi më nuk është te emërimi i këtyre festave, por te futja e tyre në kuadër të ligjit.

“Përderisa nuk është arritur një konsensus, është shënuar një progres në këtë drejtim, në të vërtetë është pranuar që të tri datat e kërkuara edhe nga Grupi Parlamentar i AKR-së të përfshihen, por është çështja se si të gjendet forma që këto data të vendosen brenda ligjit”, thotë Makolli.

Për mungesën e kompromisit flet edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, i cili thotë se ky ligj duhet të ruajë identitetin e të gjitha nacionaliteteve dhe popullatës shumicë.

“Pozicioni i AAK-së është që të kemi shumë kujdes me festat nacionale; ato janë festa që festohen një kohë shumë të gjatë. Duhet të tentojmë që të gjenden mënyra, që të ruhet dinjiteti e identiteti i të gjitha nacionaliteteve të të gjithë popujve në Kosovë, e paraprakisht i popullatës shumicë”, tha Gjini.

Të tri datat e përmendura aq shumë në Kuvend duhet të futen në ligj, në mënyrë që ai të kalojë në Kuvend, thotë edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDD-së, Lulëzim Zeneli.

“Këto tri data, për të cilat kemi folur mjaft, kemi mbajtur qëndrime pompoze, e qëndrimi i LDD-së është që ato të inkorporohen në ligj, përndryshe nuk do të trajtohen në aspektin meritor ashtu si e meritojnë”, theksoi Zeneli.

Ligji për festat në Kosovë, sipas propozimit të Qeverisë, i cili është hartuar në konsensus edhe me Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe përfaqësitë diplomatike në Prishtinë, përfshin festat zyrtare, ato memoriale dhe festat komunale.

Në festat zyrtare janë futur vetëm 17 Shkurti – Dita e Pavarësisë dhe Dita e Kushtetutës, përderisa në festat memoriale parashihet të hyjnë 28 Nëntori, por me një emërim tjetër dhe jo si Dita e Flamurit, pastaj 6 Marsi si dita e veteranëve apo e kujtimit, si dhe 12 Qershori, por jo si Dita e Çlirimit, por si dita e paqes apo e lirisë, terme këto që janë në përpunim e sipër.

Të gjitha këto çështje pritet që të diskutohen edhe nesër, para seancës plenare të Kuvendit.
XS
SM
MD
LG