Ndërlidhjet

"OKB edhe EULEX?"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EXPRESS
Mohimi i datave të shënuara të popullit shqiptar nga ana e Qeverisë së Kosovës janë tendencë për t'u zhvendosur Kosova nga tabani kombëtar. Nuk ka edhe një vend tjetër (ndodh vetëm me ne, në Kosovë), ku institucionet e tij të ndjehen krenarë, pikërisht në momentin kur i braktisin hapur vlerat kombëtare dhe historike të popullit të vet. U hoqën nga kalendari: 28 Nëntori – Dita e Flamurit Kombëtar, festa më e madhe e kombit shqiptar; 5,6,7 Marsi - Epopeja e UÇK-së; 7 marsi - Dita e shkollës së parë shqipe ose siç e quajmë, Dita e Mësuesit; 5 Maji - Dita e dëshmorëve të kombit; lO Qershori - Dita e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, etj. Çka mbeti në kalendarin e festave: festa fetare, ndërkombëtare dhe asgjë nga festat kombëtare shqiptare. Veprimet e një qeverie që heq dorë nga kujtesa e vet kombëtare, nga festat e veta, që gërshetojnë gjërat më të shenjta të kombit të saj, absolutisht e shndërrojnë atë në një qeveri antikombëtare. Andaj edhe veprimet e përmendura janë disa nga dëshmitë e largimit të Qeverisë së Kosovës nga përkatësia kombëtare. E terë kjo në emër të zotimit për të përmbushur Paketën e Ahtisaarit, e cila Kosovën e trajton si vend multietnik, multikulturor, multifetar, multi...

EPOKA E RE
Samiti i vendeve të Evropës Juglindore mund të lavdërohet vetëm me faktin se kishte mbledhur në një vend ministrat e jashtëm, shefat e shteteve apo të qeverive të shumicës së shteteve të këtij rajoni, dhe kjo tashmë paraqet një hap përpara, është konstatuar në një koment të radios gjermane "Dojçe vele", e cila takimin e vlerëson pa rezultate konkrete. “Nuk ka mundur as të pritet që vendet e Ballkanit të marrin një pozicion të përbashkët në lidhje me Kosovën, apo që Greqia dhe Maqedonia përnjëherë ta zgjidhin të ashtuquajturin kontest rreth emrit", është thënë në këtë koment. Megjithatë, ndonëse delegacioni i Serbisë e ka braktisur seancën e së mërkurës në shenjë proteste kundër fjalimit të ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni, autori i komentit ka vlerësuar se përfaqësuesit zyrtarë të Prishtinës dhe Beogradit, për herë të parë janë ulur bashkë në një konferencë rajonale...

KOHA DITORE
Kryeministri Hashim Thaçi është pajtuar me fatin e Kosovës, që për sovranitetin e saj të përkujdesen si Kombet e Bashkuara, ashtu edhe Bashkimi Evropian. Në një prononcim pas takimit të katërt të Grupit Ndërkombëtar Drejtues (GND), i cili u zhvillua të enjten në Prishtinë, Thaçi nuk ka shfaqur kundërshtim për vazhdimin e pranisë së OKB-së në Kosovë, pavarësisht që BE-ja po mundohet ta shmangë një gjë të tillë. Në saje të këtyre përpjekjeve, BE-ja dhe OKB-ja ende nuk kanë arritur të nxjerrin një pajtim për rikonfigurimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë pas 15 qershorit, kur fuqizohet Kushtetuta e Kosovës, me ç'rast sovraniteti mbi Kosovën u atribuohet kosovarëve dhe pranisë ndërkombëtare. "Nuk duhet pretenduar për të ndërtuar mure ndarëse mes Kosovës dhe OKB-së. Pretendimi ynë është i qartë, implementimi i kritereve demokratike", ka thënë kreu i qeverisë, Hashim Thaçi. Thaçi, i cili të enjten u është drejtuar 22 vendeve të GND-së, që llogariten si shtetet "mike të Kosovës", ka bërë thirrje që, me gjithë ngecjen dhe problemet që po përballet zbarkimi i misionit të BE-së, të nxirret një formulë adekuate deri më 15 qershor...

ZËRI
Gati dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve te jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, ende nuk dihet se cila do të jetë formula qeverisëse tash e tutje, apo cili prej dy modeleve të formimit të qeverisë së re të shumicës absolute në Kuvendin e Serbisë do të mbizotërojë. Që prej se u morën vesh rezultatet preliminare të këtyre zgjedhjeve, pak para mesnatës së 11 majit, është ditur që fati i qeverisë së re është në duart e SPS-it (apo të socialistëve të Serbisë, partisë së Sllobodan Millosheviqit), pa të cilin nuk mund të krijohet ekzekutivi i ri i Serbisë. Koalicioni pro-evropian, i prirë nga Boris Tadiq, kryetari i Serbisë dhe lideri i DS-it (Partisë Demokratike), e ka më lehtë të mbërrijë te shumica e kërkuar, sepse është vetëm pak mandate larg kësaj shumice, por edhe këtij grupimi i duhen deputetët socialistë. Në rastin e krahut tjetër politik, të udhëhequr nga SRS-i (radikalët serbë) i Tomisllav Nikoliqit dhe DSS-i i kryeministrit të tashëm, Vojisllav Koshtunica, ndihma e socialistëve është kruciale, pos tjerash, sepse supozohet që nëse këto dy parti nuk hyjnë ne qeverinë e ardhshme të Serbisë, atëherë këto do të përballen me një krizë të madhe të identitetit dhe me shkapërderdhjen e votuesve...

LAJM
Kosova do ta ketë një himn pro-evropian, të ngjashëm me flamurin. Tri propozimet për himnin e Republikës së Kosovës tashmë janë gati dhe shumë shpejt do të procedohen në Kuvend nga Komisioni për simbolet shtetërore. Dy propozime janë me tekst, ndërsa njëri pa të. Propozimi që ka marrë më së shumti vota nga anëtarët e komisionit është pa tekst. Kryetari i Komisionit për përzgjedhjen e simboleve, Hajredin Kuçi, tha të enjten se komisioni tanimë e ka përfunduar punën e tij dhe shumë shpejt do t'i procedojë këto propozime në Kuvend. Kuçi tha se himni do të votohet në Kuvend para 15 qershorit, në mënyrë që kur të hyjë Kushtetuta në fuqi, Kosovën ta gjejë me simbole shtetërore. Ndërsa, i pyetur nëse propozimet për himn mund t'u mos pëlqejnë deputetëve dhe të dalin "probleme" sikur me projektligjin për festat, Kuçi tha se deputetët vendosin vetë...

INFOPRESS
Shefi i misionit të EULEX-it, francezi Iv de Kermabo, mendon se UNMIK-u nuk do të vazhdojë të jetë edhe një kohë të gjatë lojtari kyç në Kosovë. Mirëpo, ai nuk është në gjendje të saktësojë se kur do të jetë dita kur UNMIK-u do t'i paketojë valixhet, edhe pse fillimisht ishte paraparë që kjo ditë të jetë 15 qershori i këtij viti. E gjithë kjo paqartësi rreth të ardhmes së këtyre dy misioneve, njëri në përfundim e tjetri në fillim të mandatit, është krijuar si pasojë e presionit që Rusia po bën tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, i cili do të duhej të jepte shenjë për largimin e UNMIK-ut nga Kosova, duke i hapur rrugë për marrje të përgjegjësive nga institucionet vendore dhe EULEX-i. Në këto nëntë vjet sa UNMIK-u ka administruar Kosovën, është parë qartë se vendi ka ngecur të zhvillohet. Pra, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në vend që të ishte promotor zhvillimi, përkundrazi edhe sot vazhdojmë të përballemi me gjendje ekonomike, thuajse të njëjtë sikur para nëntë vjetëve. Ndërsa tash, kur vendi ka shpallur pavarësinë dhe është njohur nga demokracitë më të fuqishme të botës, sërish pengesë për zhvillimin dhe ecjen para të tij, del të jetë UNMIK-u...

KOSOVA SOT
Turneu i ri diplomatik, në të cilin do të niset delegacioni i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës në qendrat evropiane të vendosjes, duke filluar nga data 23 deri më 27 maj, do të jetë tepër i rëndësishëm për të dëshmuar të arriturat e deritashme pas shpalljes së pavarësisë, për zhvillimet aktuale, por edhe për procesin e afërt të zhvillimeve politike në vend që korrespondojnë me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, përfitimin e shteteve të reja që duhet ta njohin Kosovën dhe lobimin parapërgatitor për konferencën e donatorëve. Fillimisht parlamentarët kosovarë, në një delegacion të kryesuar nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, në përbërje të Naim Malokut dhe të nënkryetarit tjetër nga komuniteti, do të marrin pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Berlin të Gjermanisë, e cila i fillon punimet më 23 maj dhe zgjat deri më datën 27. Sikur që ka mësuar gazeta, pjesa e parë e delegacionit që udhëton për në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, është e përgatitur mirë që të ballafaqohet me një raport që kjo asamble e ka përgatitur për Kosovën dhe i cili pritet të miratohet gjatë zhvillimit të këtij lloj samiti...

BOTA SOT
Zëvendëskryeministri i Qeverisë&ë Kosovës, Ramë Manaj, priti të enjten një delegacion qeveritar nga Hungaria, i cili kryesohej nga zonja Mafiann Berecz, drejtuese e Departamentit në Ministrinë e Jashtme të Hungarisë për Çështje Evropiane. Zonja Berecz, e cila po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë edhe si përfaqësuese e Hungarisë në Grupin Drejtues Ndërkombëtar, shprehu komplimente për punën e Qeverisë dhe të Parlamentit të Kosovës për kompletimin e projektligjeve nga pakoja e Ahtisaarit dhe për mundësitë e implementimit të tyre. Zëvendëskryeministri Manaj ka falënderuar Qeverinë e Hungarisë për interesimin dhe përkrahjen si dhe ka njoftuar për gatishmërinë dhe projektet e Qeverisë që në Kosovë të krijohen shanse për jetë normale dhe integrim të të gjitha komuniteteve. Gjatë takimit është biseduar edhe për bashkëpunimin e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare pas 15 qershorit, kur përfundon tranzicioni dhe kur fuqizohen Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dhe ligjet e miratuara nga pakoja e presidentit Ahtisaari...


XS
SM
MD
LG