Ndërlidhjet

Evrovizioni - muzikë dhe politikë


Miliona evropianë do të votojnë nesër mbrëma për këngët e tyre të preferuara, në finalen e garës së 53-të të Evrovizionit. Shqipëria prezantohet në këtë festival me këngëtaren Olta Boka. 16 vjeçarja nga Tirana është pjesëmarrësja më e re e festivalit dhe është kualifikuar për mbrëmjen finale të Evrovizionit, që sivjet mbahet në Beograd.


Evrovizioni është ngritur mbi hirin e Luftës së Dytë Botërore, si përpjekje për të manifestuar unitetin në kontinentin e ndarë. Që nga gara e parë në Zvicër, më 1956, gjithnjë ka ekzistuar frika edhe për përfshirjen e politikës në këtë garë, apo siç njihet në zhargonin e Evrovizionit "votimit fqinjësor".

Është kjo dukuria sipas të cilës Greqia dhe Qipro gjithnjë shkëmbejnë 12 pikët maksimale. Ose, vendet e Ballkanit dhe ato skandinave gjithnjë i japin njëri-tjetrit vlerësimet më të larta. Kjo ndodh për shkak të njohjes së ndërsjellë të traditës muzikore, thonë disa.

Keith Mills, nga bregu perëndimor në Irlandë, është adhurues shumëvjeçar i Evrovizionit dhe thotë se "gjithnjë do të ketë një element të votimit politik dhe të votimit fqinjësor".

"Kjo nuk është diçka e re. Në vitet e '60-a dhe të '70-a ekzistonte një ‘bllok skandinav’ dhe iberik me Spanjën e Portugalinë. Tani gjërat janë më të dukshme sepse janë disa blloqe të reja: ish-vendet e BRSS-së dhe vendet e ish-Jugosllavisë", thotë Mills.

Por, fqinjët jo gjithnjë merren vesh. Në finale të Evrovizionit në Kiev, në vitin 2005, grupi nga Mali i Zi "No Name" duhej të valëviste flamurin e Unionit Serbi - Mal i Zi, por u mbështoll në flamurin malazez, gjë që për shumë serbë ishte fyese. Në manifestimin e mëvonshëm në Beograd, "No name" u detyrua të largohet nga skena pas gjuajtjes me shishe nga turma.

Vitin e kaluar, Izraeli shkaktoi stuhi. Kënga e tyre aludonte në Iranin, luftën bërthamore etj.

Këtë vit, Armenia dhe Azerbajxhani, vende të cilat kanë luftuar për territore në Nagorni Karabak, në vitet e '90-a, i kanë rënë në qafë njëri-tjetrit. Një grup njerëzish nga Azerbajxhani po lobon tek komiteti organizativ i Evrovizionit me arsyetimin se kënga e Armenisë bazohet në këngët popullore të vendit të tyre.

Sidoqoftë, me gjithë kritikat dhe vërejtjet, Evrovizioni është një mundësi e mirë për vendet e vogla, si për të reklamuar kulturën e tyre, ashtu edhe për të tërhequr turistët.

Përfaqësuesja e Moldavisë, Beta Burlaku, e sheh garën si mundësi për të promovuar vendin e saj.

"Këtu nuk është vetëm emri im. Në Evrovizion është një fushatë për vendin tim", thotë Burlaku, duke shpresuar se me këngën e saj do ta bëjë krenare Moldavinë.

XS
SM
MD
LG