Ndërlidhjet

Vazhdojnë problemet me të zhvendosurit


Harta e Republikës së Kosovës
Harta e Republikës së Kosovës

Përfaqësuesit në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim thonë se pas pavarësisë së Kosovës është rritur interesimi i komunitetit serb që të kthehet në Kosovë. Por, serbët që nuk janë pjesë e institucioneve të Kosovës, thonë të kundërtën. Ata vlerësojnë se pavarësia po i frikëson edhe më shumë serbët për të jetuar në Kosovë.


Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe miratimit të Kushtetutës, interesimi i komunitetit serb për t’u kthyer në Kosovë, është rritur. Kështu vlerësojnë përfaqësuesit e Ministrisë së Komuniteteve dhe Kthimit.

Ismet Hashani, zëvendësministër, konstaton se numri i saktë i të kthyerve nuk dihet, por lëvizjet e fundit të banorëve serbë dhe kontaktet në Ministrinë e Kthimit tregojnë për ndryshim të gjendjes.

“Për shifra konkrete nuk mund të flasim ne këto momente, sepse ju e dini se disa procese politike dinamike që jenë zhvilluar në Kosovë, ndoshta kanë ndikuar në atë që të mos kemi numër të saktë”.

“Mirëpo, mund të them se pas këtyre proceseve, pas shpalljes së pavarësisë dhe akteve juridike siç është Kushtetuta, është më i shprehur procesi i kthimit", tha Hashani.

Por, nga ana tjetër, Oliver Ivanoviq, njëri nga përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, mendon ndryshe. Ai thotë se pavarësia e Kosovës më shumë ka larguar serbët nga Kosova, sesa ka kthyer.

"Është vështirë të thuhet numri i njerëzve, të cilët janë kthyer. Përndryshe, unë nuk jam optimist, sepse pavarësia e Kosovës faktikisht i tremb serbët, i bën edhe më të pasigurt”.

“Kështu që dyshoj se me zgjidhjen e statusit, ai numër do të rritet. Nëse kthehen, kthehen për t'i shitur tokat dhe shtëpitë e tyre. Jam shumë pesimist nëse do të ndodhë ndonjë kthim", tha Ivanovq.

Ivanoviq ka shtuar se është e ngulitur thellë në mendjen e njerëzve që pavarësia është diçka që i frikëson, që i bën edhe më të pasigurt. Sipas tij, institucionet kosovare dhe cilido mision që do të jetë i pranishëm në Kosovë, duhet të bëjnë diçka, që t'u tregojnë serbëve se janë të mirëseardhur dhe të sigurt.

"Serbët vijnë, kthehen, ndërtojnë shtëpi dhe pastaj i shesin, sepse gjendja e përgjithshme është e tillë. Ka shumë krime me motive ndëretnike. EULEX-i duhet të punojë në atë drejtim, ose ndonjë mision tjetër ndërkombëtar që do të merret me atë”.

“Ndjenja e pasigurisë tek serbët është aq e madhe dhe ajo nuk mund të hiqet vetëm me dhënien e deklaratave në televizor apo në media të tjera. Duhet të përmirësohet gjendja në terren, e ajo do të përmirësohet kur të fillojë ndëshkimi i krimeve me motive ndëretnike ndaj serbëve; dhe, ajo do ta përmirësojë besimin e serbëve në deklaratat e ardhshme dhe në institucione", tha Ivanoviq.

Zëvendësministri i Komuniteteve dhe Kthimit, Ismet Hashani, thotë se para pak ditësh ministria, në bashkëpunim me Qeverinë britanike, kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e një projekti, për ndërtimin e 15 shtëpive në fshatin Berkovë, në Komunën e Klinës, kurse nga një shumë e parave të ndara nga buxheti i Kosovës do të ndërtohen edhe 60 shtëpi të tjera në fshatin Llapnasellë.

Por, sipas zotit Hashani, institucionet e Kosovës shprehin shqetësimin e tyre për atë që banorët serbë, të cilëve u janë ndërtuar shtëpitë, pas një kohe i kanë shitur ato.

“Disa shtëpi që janë ndërtuar nga buxhetet e Qeverisë, ka ndodhur që i kanë shitur. Por, qeveria tash është strikte, është e përcaktuar që të vë kritere edhe me organizmat ndërkombëtarë, që njerëzit, që u ndërtohet objekti për banim, të kthehen edhe të jetojnë aty", tha Hashani.

Së fundi, Qeveria e Kosovës ka ndarë një buxhet të veçantë prej 2 milionë eurosh, të cilat do të shfrytëzohen për projekte të ndryshme që do ta rrisin procesin e integrimit të të gjitha komuniteteve në Kosovë.
XS
SM
MD
LG