Ndërlidhjet

Vonesa e zbarkimit të EULEX-it përballë situatës në veri


Flamuri i BE-së

Flamuri i BE-së

Vonesa e zbarkimit të plotë të EULEX-it mund të shkaktojë probleme në fushën e sundimit të ligjit, sidomos në veriun e Kosovës, që vazhdon të jetë jashtë kontrollit të institucioneve.



EULEX, misioni që do mbikëqyrë sundimin e rendit dhe të ligjit në Kosovë, nuk do të fillojë punën siç ishte paraparë më 15 qershor.

“Nuk dua të flas për datat, për javët apo muajt, sepse kjo do të ishte spekulim, por të gjithë e dimë se situata në terren nuk është e lehtë. Ne ende po e ndërtojmë misionin, ne po zbarkohemi, por ne nuk do të mund të jemi plotësisht funksionalë më 15 qershor”, thotë zëdhënësi i EULEX-it, Victor Reuter, i cili përmend dy probleme që po shkaktojnë vonesën e fillimit të punës së EULEX-it.

“E para ka të bëjë me kornizën politike ndërkombëtare dhe e dyta ka të bëjë me problemet teknike në terren”, tha Reuter.

Ky fakt ka ngritur shqetësimin te analistët, të cilët mendojnë se mund të shkaktohet vakuum në fushën e drejtësisë dhe policisë, meqë edhe pas 15 qershorit, kur hyn në fuqi Kushtetuta, Qeveria e Kosovës nuk merr të gjitha kompetencat në polici, drejtësi e dogana.

Victor Reuter është optimist se ende ka hapësirë për t’u mos u shkaktuar ky vakuum.

“Nuk mendoj kështu, sepse çdo gjë do të vihet në vend të vet dhe nuk do ketë zbrazëtirë ligjore. Jemi shumë optimistë në zbarkimin sa më të shpejtë”, thotë Reuter.

Druajtja për mungesë të sundimit të ligjit është më e madhe në Mitrovicë. Pjesa veriore e këtij qyteti ka qenë jashtë kontrollit të institucioneve që nga 99-ta. Shpresohej se atje do fillojë të sundojë rendi dhe ligji pas zbarkimit të EULEX-it. Por, janë serbët ata që kundërshtojnë këtë mision.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, thotë se vetëm shuarja e strukturave paralele do t’ia kthejë normalitetin edhe veriut të Kosovës.

“Qëllimi është që ata që janë mbrapa strukturave paralele të sigurisë, të arrestohen, ata që janë përgjegjës për dhunë, reketim dhe forma tjera të presionit. Qëllimi ka qenë që sa më shpejt të vendoset EULEX-i dhe të fillojë të funksionojë rendi dhe ligji. Ky është qëllimi kryesor. Nëse ky zbatohet, gjërat tjera do të jenë më të lehta”, tha Rexhepi, i cili është optimist se, megjithatë, Nju Jorku dhe Brukseli do të gjejnë një gjuhë të përbashkët se kush nga misionet ndërkombëtare do të mbetet në Kosovë pas 15 qershorit.

“Problemet qëndrojnë mes misionit të UNMIK-ut dhe pranisë së ardhshme të ICO/EULEX-it dhe në vonesa për një periudhë disa javëshe nuk do të shkaktojë probleme të mëdha. Me rëndësi është që EULEX-i të vendoset edhe në pjesën veriore dhe ta kryejë misionin e vet”.

“Kështu që unë nuk e marr shumë tragjikisht atë. E marr si një proces që ende duhet t’i harmonizojnë qëndrimet Nju Jorku dhe Brukseli. Mendoj se EULEX-i gradualisht do ta shtrijë pushtetin edhe në veri“, tha Rexhepi.

Ende mbetet e paqartë prania e ardhshme ndërkombëtare. Pa pezullimin e Rezolutës 1244, UNMIK-u nuk mund ta lëshojë Kosovën, kështu që liderët kosovarë kanë filluar të flasin për një rikonfigurim të UNMIK-ut e jo shuarje të tij, siç thuhej më parë.

Sidoqoftë, Grupi Drejtues për Kosovën, në takimin e djeshëm (të së enjtes), ka theksuar se Qeveria e Kosovës, sikurse edhe përfaqësuesi civil ndërkombëtar, do t’i marrin përgjegjësitë më 15 qershor, ashtu edhe siç parashihet me pakon e Ahtisaarit dhe me Kushtetutën e Kosovës. Por, as ky grup nuk ka dhënë sqarime për praninë civile ndërkombëtare pas datës 15 qershor.
XS
SM
MD
LG