Ndërlidhjet

Pa votat e opozitës, Kuvendi miraton Ligjin për festat në Kosovë


Pamje nga Kuvendi i Kosovës
Pamje nga Kuvendi i Kosovës

Ligji për festat në Kosovë njeh si festa zyrtare 17 Shkurtin dhe 9 Prillin, derisa festat e kërkuara nga deputetët, janë përfshirë si festa memoriale. 28 Nëntori, që njihej si Dita e Flamurit, është shndërruar në Ditën e Shqiptarëve.


Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash, ka miratuar Ligjin për festat zyrtare. Ligji është miratuar pa votat e opozitës, e cila e ka kundërshtuar formën e kompromisit të paraqitur para Kuvendit nga Komisioni ‘ad hok’.

Sipas versionit të miratuar dhe paraqitur para ligjvënësve nga deputeti i PDK-së, Fehmi Mujota, kryetar i komisionit, Ligji për festat në Kosovë, njeh si festë zyrtare 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë, 9 prillin – Ditën e Kushtetutës si dhe nëntë festa tjera fetare dhe ndërkombëtare.

Në pikën 5.5 të këtij Ligji, si festa memoriale përfshihen, 28 Nëntori – por jo si festa e flamurit, por si festa e shqiptarëve, pastaj 12 qershorin, si festa e paqes dhe jo si Dita e Çlirimit, 6 marsi si ditë të përkujtimit dhe nderit për veteranët dhe jo si dita e dëshmorëve.

Si kompromis, në kuadër të festave memoriale janë përfshirë tash edhe pesë data të komuniteteve, atij boshnjak, ashkali, turk, goran dhe romë. Tash ka mbetur që në konsultim me serbët të përcaktohen edhe festat e këtij komuniteti.

Partia shumicë në Kuvend, PDK-ja e ka konsideruar kompromis të kënaqshëm këtë version. Kështu të paktën ka thënë, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ramë Buja.

“Natyrisht ky kompromis nënkuptoi që të futen festat që janë kërkuar, por me modifikime me emërtime, por megjithatë janë futur në ligj dhe nuk janë me deklarata, prandaj ne e votuam këtë ligj”, tha Buja.

Ndërkohë, opozita e ka kundërshtuar Ligjin në formën se si është miratuar. Deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi tha se ky Ligj nuk përfill interesat e shumicës në Kosovë dhe si i tillë është i papranueshëm.

“Sot është bërë një shkelje e vullnetit politik të popullit të Kosovës sa i përket datave të caktuara, sepse është ndërruar emërtimi i ditëve tona që i kemi të shënuar gjatë historisë. Prandaj, konsideroj se është bërë një shkelje dhe është një vendim që nuk i shkon në favor popullit shqiptar që i ka datat e veta të caktuara”, tha Isufi.

Papajtueshmërinë me miratimin e këtij Ligji në formën se si është miratuar, e ka shprehur dhe LDD-ja. Shefi i Grupit Parlamentar të LDD-së, Lulëzim Zeneli tha se asnjë nga kërkesat e Kuvendit të shprehura në seancën e fundit, nuk është përfillur me këtë ligj.

“Këtu kemi të bëjmë me një politike, e cila ka për bazë kursin ditor, propagandën ditore, dhe se sot kur jemi në këtë fazë, kur nevojitet një politikë e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme është për keqardhje se sot për sot, qeveria e Kosovës, partitë në pushtet, kalkulojnë mbi baza ditore”, theksoi Zeneli.

Ligji ka marrë 46 vota për, 32 kundër dhe 9 abstenime. Ky tekst i miratuar, ishte rezultat i kompromiseve që qeveria e Kosovës i ka bërë me Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe përfaqësitë diplomatike në Prishtinë. Ligji për festat, bën pjesë në kuadrin e ligjeve që dalin nga Plani i Ahtisaarit dhe hyn në fuqi pasi që të fuqizohet dhe Kushtetuta e Kosovës.
XS
SM
MD
LG