Ndërlidhjet

Sa ka hapësirë veprimi për UNMIK-un pas 15 qershorit?


Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Ekspertë juridikë vlerësojnë se nga pikëpamja ligjore, pas datës 15 qershor, UNMIK-u nuk mund të qëndrojë më në Kosovë. Sipas tyre, nëse nuk sqarohet prania ndërkombëtare dhe pas kësaj date, do ketë dy misione në Kosovë.


Njohës të së drejtës kushtetuese konsiderojnë se prania e UNMIK-ut në Kosovë pas datës 15 qershor, është anti-ligjore dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me Rezolutën 1244. Avdullah Robaj thotë se pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, UNMIK-u duhet të largohet nga Kosova.

"Sipas Rezolutës 1244, prezenca e UNMIK-ut në Kosovë është deri në zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Kështu thuhet në mënyrë eksplicite. Zgjidhja e statusit final ka ndodhur, shteti i Kosovës është pranuar nga shtetet më të mëdha dhe fuqitë ndërkombëtare. Tash konsideroj se çdo prezencë e mëtutjeshme vetëm sa e komplikon dhe Kosovën e fut në një qorrsokak ligjor", tha zoti Robaj.

Edhe juristi kosovar, Ilir Dugolli, thotë se me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, më 15 qershor, UNMIK-u nuk ka fare hapësirë veprimi në Kosovë. Ai konsideron se qartësia ligjore nuk do të zgjidhet as pas kësaj date.

"Qartësia ligjore nuk do të jetë as pas 15 qershorit në nivelin që do e dëshironim. Me fjlalë të tjera do të vazhojë të ketë disa shtresa të legjislacionit dhe një prej tyre është ajo e Rezolutës 1244, e cila vazhdon të mbetet në fuqi, e në të cilën do të thirret UNMIK-u dhe prania që do të vazhdojë të qëndrojë këtu - qoftë edhe në madhësi shumë më të vogël dhe jo si bartës i pushtetit, por si një prani që me gjasë do të mbetet", tha Dugolli.

Për Robajn qëndrimi i mëtejmë i administratës së UNMIK-ut në Kosovë do t'i shkaktojë pasoja Kosovës, e cila, sipas tij, nuk do të mund të shndërrohet në një shtet funksional ligjor.

"Nuk do të kemi një funksionim të shtetit ligjor, të sundimit të ligjit, që kërkohet edhe nga vetë autoritetet ndërkombëtare relevante, e gjithashtu edhe nga organet e Kosovës, të cilat veç kanë proklamuar që Kosova do të jëtë një shtet ku do të sundojë ligji, do të jetë një shtet demokratik dhe shtet i së drejtës. Por, unë shoh dobësim të organeve të shtetit dhe të vetë Republikës së Kosovës, e cila është në lindje", tha Robaj.

Zoti Dugolli thotë se do të ishte mirë sikur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së të urdhërojë që UNMIK-u të largohet nga Kosova. Ndryshe, sipas Dugollit, cilido mision ndërkombëtar që do të qëndrojë në Kosovë, duhet ta kuptojë realitetin e ri të krijuar pas 17 shkurtit.

"Kemi njëfarë qasjeje realiste nga ana e UNMIK-ut dhe nga zyrtarët e OKB-së në Nju Jork, duke iu përshtatur rrethanave. Me fjalë të tjera, edhe nëse vazhdojnë të qëndrojnë, do ta kuptojnë se nuk janë autoriteti më i lartë dhe do të mbesin thjesht sa për të pasur një alibi para kritikuesve, para strukturave që janë të fuqishme në Kombet e Bashkuara, si Rusia", tha Dugoli.

Prania e ardhshme civile ndërkombëtare vazhdon të mbetet e paqartë. Se si do të duken misionet ndërkombëtare në Kosovën e pas 15 qershorit, aktualisht nuk japin përgjigje të qartë as institucionet vendëse, por as mekanizmat vendimmarrës ndërkombëtarë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG