Ndërlidhjet

Berisha: Pa kredi ndërkombëtare, s’ka zhvillim ekonomik


“Pa kredi ndërkombëtare, qofshin nga institucionet financiare ndërkombëtare, qofshin nga privatistët perëndimorë, nuk mund të paramendoj zhvillim ekonomik”, thotë eksperti i ekonomisë, Skënder Berisha.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, tre muaj pas pavarësisë, sa mendoni se është duke u bërë në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në institucionet financiare ndërkombëtare?

SKËNDER BERISHA
Është e vërtetë që Kosova që tre muaj e ka shpallur pavarësinë e vet, mirëpo problemi i anëtarësimit në OKB dhe në institucionet financiare ndërkombëtare të njohura, sidomos Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, kërkon një procedurë mjaft precize.

Ne, edhe pse e kemi shpallur pavarësinë, ende nuk jemi të pranuar ndërkombëtarisht si shtet i pavarur. Tash duhet të presim shtatorin e këtij viti, kur mbahet kuvendi i përgjithshëm i OKB-së, ku kërkohet një kusht shumë i rëndësishëm që dy të tretat e vendeve anëtare të OKB-së ta pranojnë pavarësinë e Kosovës.

Kështu që kjo procedurë e anëtarësimit në OKB dhe në institucionet financiare ndërkombëtare nuk varet aq shumë edhe nga ne, sa varet edhe prej faktorit ndërkombëtar. Institucionet tona janë duke vepruar në atë drejtim, por i kanë duart e lidhura derisa nuk zgjidhet statusi përfundimtar i Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilët mendoni se janë mekanizmat më të rëndësishëm në të cilët duhet të aplikojë Kosova?

SKËNDER BERISHA
Mekanizmat janë që t’i përshtatemi kritereve dhe standardeve ndërkombëtarisht të pranuara, jo vetëm në aspektin ndërkombëtar, por edhe ndaj bashkësisë ekonomike evropiane, ta kemi një ekonomi stabile – fatkeqësisht ne nuk kemi kurrfarë ekonomie – të luftohen këto dukuritë negative që po na përcjellin, sidomos korrupsioni, padrejtësitë e ndryshme.

Pa i plotësuar këto kritere, vështirë e kemi të kyçemi në mekanizmat e institucioneve financiare, jo vetëm ndërkombëtare, por edhe kombëtare, rajonale dhe private.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të aplikojë Kosova në mekanizmat ndërkombëtarë edhe pa qenë anëtare e OKB-së?

SKËNDER BERISHA

Parimisht, këto institucione financiare ndërkombëtare, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, janë agjenci të specializuara financiare të OKB-së. Rregulli është që vendi së pari të jetë anëtar i OKB-së dhe pastaj të anëtarësohet në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore.

Mirëpo, në disa dispozita kalimtare në rregulloret e punës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore parashihet edhe ndonjë mundësi përjashtmi, që ndonjë vend eventualisht, edhe nëse nuk është anëtar i OKB-së, të anëtarësohet në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore.

Këso vendesh kemi pasur, si Hong Kongun, Tajvanin dhe disa vende të tjera ende të padefinuara ndërkombëtarisht. Kështu që edhe Kosova mund të anëtarësohet në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, edhe pa qenë anëtare e OKB-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Shpesh thuhet se në vend se të kërkojë anëtarësim në OKB, Kosova duhet t’i kthejë sytë nga kryeqytetet nga të cilat rrjedhin paratë, si Brukseli, Nju Jorku apo Gjeneva. A mund t’i sjellë përfitime Kosovës një veprim i tillë?

SKËNDER BERISHA
Një veprim i tillë, në këtë situatë që jemi, është më se i domosdoshëm. T’u drejtohemi këtyre qendrave të njohura financiare në botë për thithjen e kapitalit sidomos privat nga bota e jashtme, për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Vetëm se në këtë drejtim, një element shumë të rëndësishëm dua ta theksoj, se edhe investitorët privatë hezitojnë, janë të rezervuar që të angazhojnë kapitalin e vet në ato vende që nuk janë të definuara, që nuk e kanë statusin e përcaktuar ndërkombëtarisht.

Kështu që në ato raste, investitorët privatë u drejtohen së pari këtyre institucioneve financiare ndërkombëtare, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, kërkojnë informata nga ta se a vlen të investohet në atë vend apo jo. Nga përgjigjja e këtyre institucioneve varet edhe angazhimi i kapitalit privat. Kështu që kjo çështje është pak e komplikuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Marrë parasysh ekonominë e dobët në Kosovë, sa mund të ketë leverdi Kosova nga marrja e kredive apo e borxheve nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe a ka rrezik që Kosova të zhytet në borxhe ndërkombëtare?

SKËNDER BERISHA
Pa kredi ndërkombëtare, qofshin nga institucionet financiare ndërkombëtare, qofshin nga privatistët perëndimorë, nuk mund të paramendoj zhvillim ekonomik. Ne kemi fuqi punëtore, kemi pasuri natyrore, por na mungon kapitali.

Ekziston parimisht ky rrezik jo vetëm në rastin e Kosovës, por në rastin e çdo vendi në botë. Çdo vend në botë duhet të planifikojë se sa mund të futet në borxhe në botën e jashtme. Nëse e tejkalon atë limit të futjes në borxhe ndaj botës së jashtme, atëherë pasojnë elementet negative nga ky borxh i madh ndaj botës së jashtme.

Kështu që në këtë drejtim, Kosova duhet të jetë e matur në marrjen e borxheve nga bota e jashtme, për të mos kaluar limitin e lejuar dhe të futet në borxhe shumë të mëdha.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë kësaj vere pritet të mbahet Konferenca e donatorëve. Sa mendoni se është duke u punuar në përpilimin e projekteve, të cilat do të mund të vjelin para nga kjo konferencë?

SKËNDER BERISHA
Kjo është një konferencë shumë e rëndësishme për Kosovën dhe Kosova në këtë drejtim po punon, edhe Qeveria e Kosovës, edhe Oda Ekonomike e Kosovës, edhe Shoqata e Biznesmenëve të Kosovës, edhe firmat e ndryshme private me projekte.

Por, projektet duhet të jenë të përpunuara shumë mirë, të jenë precize dhe konkrete, nëse mendojmë të shfrytëzojmë donacione nga këto mbledhje. Unë, personalisht, shpresoj dhe besoj se nga kjo Konferencë e donatorëve, Kosova do të ketë përfitime të mëdha.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG