Ndërlidhjet

Palma e Artë kthehet në Francë


Regjisori i filmit fitues dhe ekipi i tij marrin Palmën e Artë
Regjisori i filmit fitues dhe ekipi i tij marrin Palmën e Artë

Skenari më i mirë u shpall ai i filmit "Le Silence de Lorna" i vëllezërve Jean-Pierre e Luc Dardenne, dy herë fitues të Palmës së Artë. Filmi sjell dramën e një emigranteje shqiptare në Belgjikë, Lornës. Lorna interpretohej nga aktorja prishtinase Arta Dobroshi, e cila pati dhe debutimin e saj të parë në Kanë.



Tapeti i kuq i fituesve në mbyllje të Festivalit të 61-të të Kanës u mbush me nxënës shkollash. Arsyeja ishte e thjeshtë. Palma e Artë për filmin më të mirë i shkoi filmit francez "Entre les Mures".

Filmi është realizuar me një numër nxënësish, të gjithë aktorë amatorë dhe tregon mjedisin në një shkollë franceze. Filmi përfaqëson larmishmërinë etnike, sociale e kulturore të Francës së sotme.

Palma e Artë kthehet në Francë pas më shumë se dy dekadash.

Kryetari i jurisë, aktori amerikan Sean Penn, tha se çmimi për filmin më të mirë ishte një nga dy çmimet ku juria ishte unike.

Çmimi tjetër që iu dha njëzëri nga gjithë anëtarët e jurisë ishte për aktorin më të mirë. Fitues ishte Benicio del Toro për rolin e Çe Gevarës në filmin epik të titulluar "Çe".

Sandra Corveloni u nderua si aktorja më e mirë e festivalit për rolin në filmin brazilian "Line of Passage".

Por, si në çdo festival, nuk ka munguar dhe "Çmimi i Madh" i festivalit, që i ka shkuar kinemasë italiane, me një film politiko-social. Filmi "Gomorrah" i Mateo Garrones flet për krimin e organizuar në Napoli.

Por, kinemaja italiane nuk u nda me kaq. Filmi "Il Divo", i cili sjell portretin e politikanit veteran, Giulio Andreoti, mori çmimin e jurisë.

Kinemaja turke u largua nga festivali i Kanës me një çmim të rëndësishëm dhe pikërisht me atë të regjisorit më të mirë. Regjisori turk, Nuri Bilge Cylan, ishte paraqitur me filmin "Three Monkeys", një dramë sociale mbi shpërbërjen e një familjeje turke.

Skenari më i mirë u shpall ai i filmit "Le Silence de Lorna" i vëllezërve Jean-Pierre e Luc Dardenne, dy herë fitues të Palmës së Artë.
Filmi sjell dramën e një emigranteje shqiptare në Belgjikë, Lornës.

Lorna interpretohej nga aktorja prishtinase Arta Dobroshi, e cila pati dhe debutimin e saj të parë në Kanë.

Natyrisht, edhe ky edicion i 61-të nuk mund të prishte traditën e çmimeve speciale.

Francezja Catherine Deneuve dhe amerikani Clint Eastwood morën çmimet për aktivitetin jetësor, por edhe për relizimet e tyre më të reja.

Si Deneuve ashtu dhe Eastwood ishin pjesëmarrës dhe në këtë edicion të festivalit.

Por, Eastwood, i cili ishte përfolur si kandidat për Palmën e Artë nuk u paraqit në mbrëmjen finale të ndarjes së çmimeve.

E natyrisht edhe ky edicion i Festivalit të Kanës nuk e prishi traditën për kinemanë rumune. Kjo e fundit u nderua me Plamën e Artë për filmin me metrazh të shkurtër të titulluar "Megatron".

Kjo është palma e dytë radhazi për Rumaninë, pasi fituesi i madh vjet ishte filmi rumun " 4 muaj, 3 javë dhe dy ditë", një dramë sociale në Rumaninë komuniste.

XS
SM
MD
LG