Ndërlidhjet

"EULEX në krizë, OKB s'tërhiqet"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Faktorë ndërkombëtarë paralajmërojnë një verë të nxehtë diplomatike, veçanërisht nga 15 qershori, kur pritet të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Sfidat me të cilat ndeshet misioni i EULEX-it në Kosovë do të jetë kryefjalë e takimit të Këshillit të Ministrave te BE-së në Bruksel, i cili të hënën do të diskutojë për zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor. BE-ja është mjaft e shqetësuar për vendosjen e misionit të saj në Kosovë pas 15 qershorit, pasi që ende nuk ka gjetur gjuhë të përbashkët me KB-në. Aktualisht ende nuk ka vendim për largimin e UNMIK-ut, derisa flitet që vendosja e EULEX-it do të shtyhet në raport me afatin e planifikuar në qershor, kanë vlerësuar diplomatë perëndimorë. Pikërisht për këtë, brenda BE-së janë shfaqur shqetësime lidhur me situatën, e cila, sipas vlerësimeve të tyre, mund të jetë mjaft e komplikuar dhe e rrezikshme, për shkak, siç thuhet, të mundësisë së shprehjes së ndonjë pakënaqësie ekstreme, si nga ana e shqiptarëve që kërkojnë largimin e UNMIK-ut, po ashtu edhe të serbëve, që mbështesin Rezolutën 1244...

EXPRESS
Zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës iu kanë përgjigjur të dielën akuzave të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili një ditë më parë e quajti Qeverinë Thaçi si të paaftë dhe të korruptuar. Blerim Latifi, këshilltar politik i kryeministrit Hashim Thaçi, shprehet se e drejta për kritikë është demokratike, por para së gjithash është edhe e drejtë morale, gjë të cilën, sipas Latifit, nuk e ka Ramush Haradinaj. "Nuk mund të kritikosh dikë për korrupsion nëse për tre vjet ke udhëhequr ose kontrolluar një qeveri, e cila tërë kohën ka qenë në top-listat mediale për afera dhe skandale", ka thënë ai për Express. Sipas tij, falë këtyre aferave dhe skandaleve të qeverisë që drejtohej nga AAK-ja, sot Kosova renditet në majat e statistikave botërore të vendeve të korruptuara...

EPOKA E RE
Shpallja e pavarësisë së Kosovës mund të ketë "pasoja të rënda" për Abkhazinë dhe Osetinë Jugore, ka thënë ambasadori i Rusisë në Bashkimin Evropian, Vladimir Chizhov. Në një intervistë për të përditshmen vjeneze "Prese", ai ka thënë se pavarësia e Kosovës mund të ketë pasoja edhe në 200 pjesë të tjera të botës. "Kjo është krizë që vetëm po pret të ndodhë", ka shtuar Chizhov. Diplomati rus, në lidhje me Gjeorgjinë, ka thënë se Moska është dëshmitare se si Gjeorgjia po shton forcat e saj ushtarake dhe policore në pjesë të Abkhazisë. "Rritja e buxhetit ushtarak të Gjeorgjisë mund të përkthehet si përgatitje për luftë. Për këtë Rusia, si ndërmjetëse dhe mbrojtëse e paqes, po rrit kontingjentin e saj", ka shtuar Chizhov...

INFOPRESS
Kosova ka qenë në qendër të vëmendjes në ditën e dytë të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që është duke u zhvilluar në Berlin. Në këtë takim po marrin pjesë parlamentarët e Shqipërisë, ndërkaq për herë të parë po merr pjesë edhe Kosova, e cila përfaqësohet nga delegacioni i Kuvendit të Kosovës, në përbërje të anëtarëve të Kryesisë, Xhavit Haliti, Sabri Hamiti, Naim Maloku dhe Sllobodan Petroviq. Dita e dytë e këtij takimi të AP të NATO-s ka nisur me fjalimin e profesoreshës për politikat evropiane në Universitetin e Birminghamit, Judy Batt. Në fjalimin e saj me titull "Kosova, Serbia, çfarë vjen pas?", Batt ka thënë se problemet e dala me krijimin e shtetit të Kosovës, janë të hapura dhe mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian. Ndërkaq, parlamentari Vitalino Canas ka bërë një prezantim të zhvillimeve të fundit politike në Kosovë. Raportin e tij, Canas e ka përgatitur muajin e kaluar sa ishte në Prishtinë...

KOHA DITORE
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kane kritikuar Qeverinë e Kosovës për lobim të zbehtë ndërkombëtar dhe kanë shprehur pakënaqësi për numrin e deritashëm të shteteve që e kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës, ka transmetuar të dielën KTV-ja. Zëvendësndihmësja e sekretares amerikane të Shtetit, Rosemary DiCarlo, gjatë vizitës së saj në Prishtinë, ditë më parë, nuk ka përshëndetur vetëm arritjet e Qeverisë së Kosovës në zbatimin e planit të Ahtisaarit, por edhe i ka shprehur qëndrimet e SHBA-së lidhur me lobimet, njofton KTV-ja, duke u mbështetur në burime të veta. Burime ndërkombëtare i kanë thënë KTV-së se Qeveria amerikane nuk është e kënaqur me punën e institucioneve kosovare për lobimin dhe fitimin e njohjeve të reja. "Pjesë e planit te përbashkët amerikano-kosovar ishte që deri në shtator të siguroheshin 97 njohje të pavarësisë. Më pas Kosova do të aplikonte për anëtarësim në OKB, kur edhe mblidhet Asambleja e Përgjithshme. Por, ekziston mundësia që plani të dështojë, për shkak të njohjeve të pakta dhe mosefikasitetit të Qeverisë së Kosovës për të lobuar", citon burimi ndërkombëtar fjalët e diplomatëve amerikanë...

LAJM

Pjesëtarët e TMK-së janë duke pritur vendimet politike. Ata presin implementimin e Pakos së Ahtisaarit për të filluar procesin e transformimit nga TMK-ja në FSK. Zyrtarët e TMK-së janë të gatshëm për të filluar këtë proces, por vetëm presin dritën e gjelbër nga institucionet ë Kosovës. Ndërsa zyrtarët qeveritarë thonë se me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës do të fillojë transformimi TMK-FSK. Vlerësimi i ekspertëve ushtarakë është se FSK-ja, edhe pse me kompetenca më të avancuara sesa TMK-ja, prapëseprapë nuk do ta kryejë misionin e ushtrisë. Ajo mund të bëhet e tillë vetëm pas 15 vjetësh...

BOTA SOT
Në Gjenevë janë duke u zhvilluar punimet e sesionit të 61-të të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) dhe në mesin e shumë delegacioneve e përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare po marrin pjesë edhe përfaqësuesit nga Kosova e Shqipëria. Ne këtë forum ndërkombëtar me interes, Kosova po përfaqësohet nga ministri i Shëndetësisë dr Alush Gashi, ndërsa nga Shqipëria z. Nard Ndoka, ministër i Shëndetësisë dhe z. Sejdi Qerimaj, ambasador shqiptar në Kombet e Bashkuara. Me rastin e 60-vjetorit të WHO-së organizohen një sërë aktivitetesh paralele për rolin dhe situatën e shëndetësisë në botë. Lidhur me këtë temë në forumin e sivjetmë (26-28 maj) përveç ministrave dhe përfaqësuesve të vendeve të ndryshme botërore, kryesisht vendeve anëtare të OKB-së, ne mesin e këtyre personaliteteve botërore nga Kosova do të flasë dr Alush Gashi, ministër në Qeverinë e Kosovës...

ZËRI
"Nuk planifikojmë të ndryshojmë qëllimet dhe mandatin e misionit EULEX në Kosovë", ka deklaruar një funksionar i lartë i Presidencës sllovene të BE-së, për të shtuar se EULEX-i do të vazhdojë sistemimin në Kosovë "në përputhje me realitetin politik dhe të sigurisë". Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian do të diskutojë sot në Bruksel çështjet që kanë të bëjnë me vendosjen e misionit të BE-së, EULEX, në Kosovë, njoftojnë agjencitë e huaja të lajmeve. Sipas një njoftimi të Presidencës sllovene të BE-së, kur bëhet fjalë për misionin e BE-së në Kosovë, EULEX-i po përballet me sfidat si në terren në Kosovë, gjithashtu edhe me sfidat në planin ndërkombëtar, gjë që po shkakton sistemim të ngadalësuar nga ai që parashikohej. "Kjo po e ngadalëson vendosjen e misionit, por nuk planifikojmë të ndryshojmë qëllimet dhe mandatin e misionit", ka deklaruar funksionari i lartë i Presidencës sllovene të BE-së, për të shtuar se EULEX-i do të vazhdojë sistemimin në Kosovë "në përputhje me realitetin politik dhe të sigurisë"...




XS
SM
MD
LG