Ndërlidhjet

Sonda Phoenix arriti në Mars

  • RFE /RL

Pamje nga atmosfera festive pas aterimit të anijes Phoenix në Mars.

Pamje nga atmosfera festive pas aterimit të anijes Phoenix në Mars.

Sonda hulumtuese Phoenix e Shteteve të Bashkuara ka ateruar në polin verior të Marsit, për të analizuar shenjat se ky planet ndoshta ka pasur kushte për jetë. Agjencia amerikane e gjithësisë, NASA, thotë se të gjitha instrumentet shkencore në sondë po punojnë dhe se analizat e para do të fillojnë brenda disa ditësh.


Anija kozmike Phoenix, për në Mars ishte nisur para 10 muajsh, ndërsa ulja në sipërfaqen e Marsit u bë mbrëmë.

"27 metra, 20 metra, 15 metra, pritja për ulje…sinjali i uljes është detektuar", tha folësi i agjencisë NASA, derisa sonda po i afrohej zbritjes në Planetin e Kuq.

Kjo shkaktoi shpërthim të gëzimit në ekipin e misionit në selinë e tij në Kaliforni, pasi ka shumë arsye për gëzim.

Së pari, Phoenix-i ateroi në Mars me të gjitha instrumentet shkencore të padëmtuara nga tronditja me rastin e uljes. Kishte shqetësime për këtë çështje, pasi shpejtësia e anijes ishte rritur në më tepër se 20 mijë kilometra në orë, nën ndikimin e tërheqjes së planetit, pastaj shpejtësia në mënyrë dramatike ishte zvogëluar derisa ajo po hynte në atmosferën e Marsit dhe e kishte aktivizuar parashutën.

Në sekondat e fundit të fluturimit, anija ia doli ta zvogëlojë shpejtësinë në vetëm 9 kilometra në orë dhe anija ateroi saktësisht aty ku parashihej: në rajonin e Polit të Veriut, ku shkencëtarët besojnë se ekziston një shtresë e trashë akulli menjëherë pas sipërfaqes së thatë.

Shumë gjatë, shkencëtarët dëshironin të studionin se a ka gjurmë të jetës së mëhershme në mars, prandaj zbritja e suksesshme e sondës paraqet mundësi për t'i realizuar këto synime.

Ja se si e vlerësoi këtë zhvillim, shefi i misionit të agjencisë NASA, Piter Smith:

"Ky është fillimi ynë. Me aterrim tash ne e kemi misionin. Tash varet nga ne që të bëjmë diçka të mrekullueshme", tha zoti Smith dhe shtoi se "ne e shohim Phoenix-in si bazë të hulumtimeve të ardhshme të Marsit".

Shkencëtarët besojnë se rajoni në të cilin ateroi Phoenix-i, ndoshta më herët ka qenë fundi i një oqeani të madh.

Phoenix-i e ka dorën robotike që mund të gërmojë në shtresën e akullit për të marrë mostra. Laboratori miniatural në anije atëherë do t'i shkrijë këto mostra deri në avullim, derisa një mori instrumentesh do të kryejnë analizat kimike të komponentëve.

Asnjë përpjekje e tillë nga Toka deri tash nuk ka qenë aq afër për të mësuar lidhur me mundësinë që të ketë jetë edhe në ndonjë planet tjetër, përveç Tokës.

Në shenjë të këtij suksesi, Phoenix-i ka me vete gjëra që nuk i shërbejnë misionit aktual, por mund t'u shërbejnë gjeneratave të ardhshme. Kjo është një librari me fiksionet shkencore të përmbledhura në një DVD, në të cilën gjenden edhe emrat e afro 250 mijë njerëzve që gjatë shumë viteve kanë promovuar kërkime të gjithësisë.

Kjo DVD do të mbetet si një kujtim njerëzor në Mars, edhe për shumë kohë pasi të përfundojë misioni Phoenix.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG