Ndërlidhjet

Sa do të mund të zbatohen ligjet e pakos së Ahtisaarit?


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës po vazhdon të miratojë ligjet që dalin nga pakoja e Ahtisaarit. Deri më tash janë miratuar 25 ligje, ndërsa numri i përgjithshëm i ligjeve që do të miratohen, është 34. Deputetët e Kuvendit të Kosovës thonë se pas miratimit të ligjeve, sfida më e madhe për institucionet e Kosovës do të jetë zbatueshmëria e tyre.


Ligjvënësit kosovarë thonë se miratimi i ligjeve që dalin nga plani i Ahtisaarit, do të përfundojë shumë shpejt. Janë 34 ligje të këtij plani që duhet miratuar, përderisa deri tani Kuvendi ua ka dhënë dritën jeshile 25 prej tyre.

Koordinatori për miratimin e ligjeve të pakos së Ahtisaarit, Skënder Durmishi, thotë se të gjitha ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës, do të hyjnë në fuqi pas 15 qershorit, atëherë kur hyn në fuqi edhe Kushtetuta e Kosovës.

“Deri tash, gjithsejtë janë miratuar 25 ligje nga pakoja e presidentit Ahtisaari. Në dy seancat e fundit janë miratuar edhe Ligji për festat zyrtare të Republikës së Kosovës, Ligji për arsimin e komunave të Republikës se Kosovës, Ligji për agjencinë e inteligjencies, Ligji për agjencinë kosovare të privatizimit dhe Ligji për kontrollimin e kufirit shtetëror dhe ai për azil".

“Më herët janë miratuar edhe 19 ligje shumë me rendësi, sepse rregullojë fusha me prioritet absolut për funksionalitetin e shteti të ri të Kosovës, siç janë çështjet e Ministrisë së Jashtme të Forcës së Sigurisë, të Shërbimit Policor, të pushtetit lokal dhe të komuniteteve, çështjet e ekonomisë e financave dhe të gjyqeve e prokurorisë", tha Durmishi.

Ai theksoi se shumë shpejt do të miratohen edhe Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato komunale, si dhe ai për Bankën Qendrore të Kosovës.

"Janë 22 ligje që kërkohen drejtpërdrejt në bazë të zotit Ahtisaari, si dhe 12 të tjera që ndonëse nuk janë në pako, por janë relevantë të veçantë për statusin e Kosovës, përkatësisht për funksionalitetin e shtetit të Kosovës", tha Durmishi.

Nga ana tjetër, Ismet Beqiri, deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se tash për tash moszbatueshmëria e ligjeve ndodh për shkak se shumë ligje që janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës, nuk janë të nënshkruara nga presidenti i Kosovës, gjë që, sipas tij, pritet të bëhet pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës.

Veç kësaj, deputeti Beqiri, nga LDK-ja, thotë se pengesë tjetër në moszbatimin e ligjeve do të jetë edhe mosbashkëpunimi i komunitetit serb me institucionet e Kosovës.

“Është e qartë se fillimisht ato do të duhej të nënshkruheshin, të hyjnë në fuqi, e pastaj të shohim sa do të jetë i vështirë implementimi i tyre në terren. Padyshim që disa prej tyre do të kenë vështirësi në zbatimin e tyre, aq më tepër kur shihet një lloj rezistence, pikërisht e atyre ligjeve që kanë të bëjnë me identifikimin e qartë, ose shprehjen e identitetit shtetëror të Kosovës”.

“Nuk po pranohen ende nga një pjesë e komuniteti serb, aq më tepër kur kemi të bëjmë me tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Kosovës",
tha Beqiri.

Sipas Beqirit, institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare duhet të bëjnë më shumë për zbatueshmërinë e ligjeve.

"Ne duhet të jemi realistë dhe të vlerësojmë në mënyrë reale. Nuk duhet të pretendojmë, të mendojmë se vërtet do të kemi situatë të lehtë në implementimin e këtyre ligjeve”.

“Megjithatë, ne duhet të bëjmë përpjekje si shtet, normalisht duhet të kërkojmë edhe një vendosmëri edhe të faktorit ndërkombëtar, të atyre që ende janë prezentë dhe të atyre që do të vijnë, në zbatimin e ligjeve, në zbatimin e shtetësisë në tërë territorin", u shpreh Beqiri.

Edhe deputetja Gjylnaze Syla, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, konsideron se institucionet e Kosovës është dashur të kenë një angazhim më të madh në mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së ligjeve, të cilat janë miratuar nga Kuvendi.

“Kuvendi i Kosovës ka qenë në presion kohor të kalimit të ligjeve dhe është dashur t’i kalojë ligjet më shpejt. Nga ana tjetër, Qeveria nuk ka arritur të bëjë mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre ligjeve dhe po ashtu Parlamenti, nga ana e tij, nuk ka arritur të bëjë mbikëqyrjen e Qeverisë në zbatimin e këtyre ligjeve",
tha Syla.

Sipas rregulloreve në fuqi, Qeveria e Kosovës, një herë në vit, duhet t'i raportojë Kuvendit për zbatueshmërinë e ligjeve. Nga ana tjetër, analistë të ndryshëm thonë se Qeveria e Kosovës duhet të ketë strategji të veçanta veprimi, në mënyrë që të gjitha ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, të zbatohen.
XS
SM
MD
LG