Ndërlidhjet

A është Kosova ambient i sigurt për investime?



Analistë të ekonomisë japin vlerësime të ndryshme sa i përket ambientit të sigurisë për investitorët e huaj. Muhamet Mustafa, udhëheqës i Institutit për Hulumtime Zhvillimore Riinvest, thotë se Kosova tashmë ka hequr pengesën kryesore që ka qenë për investitorët potencialë, atë të statusit të padefinuar, duke shtuar se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, investitorët e huaj e kanë shumë më lehtë dhe më sigurt që kapitalin e tyre ta shtrijnë edhe në Kosovë.

“Ne kemi një siguri të lartë, incidencat e krimit në Kosovë nuk dallojnë shumë nga ato të Evropës. Prandaj, sa i përket sigurisë fizike dhe të pasurisë, ambienti është mjaft i sigurt, sidomos tash pas zgjidhjes së statusit të Kosovës. Siguria juridike duhet të zhvillohet më shumë”, shprehet Mustafa.

Por, ndryshe mendon analisti tjetër, Ibrahim Rexhepi. Ai thotë se për shkak të problemeve politike, investitorët e huaj ende nuk e kanë krijuar bindjen se Kosova është vend i sigurt, siç thotë ai, as nga aspekti i kapitalit, por as nga problemet e sigurisë fizike të tyre. Rexhepi thotë kështu duke u nisur nga fakti se edhe tre muaj pas shpalljes së pavarësisë, shumë pak ka pasur investime në Kosovë.

“Në fakt, deri më tani, ka më shumë vizita, ka më shumë hulumtime, më shumë prekje të problemeve, me të cilat ballafaqohet Kosova, por ende nuk ka iniciativa apo ndërmarrje konkrete, çka tregon se investitorët ende nuk kanë siguri. Kjo mund të burojë edhe për shkak të problemeve politike, për shkak të problemeve në relacione ndëretnike në Kosovë”, thotë Rexhepi.

Ndërkaq, ai shton se investitorët e jashtëm ndoshta edhe po shikojnë se si funksionin Kosova si shtet.

“Kosova ka tre muaj që është shpallur shtet dhe sigurisht që investitorët e huaj do të shohin se si funksionin Kosova si shtet, sa ka seriozitet qeveria, sa ka kontinuitet, sa mund të ofrojë ambient të qëndrueshëm dhe provokativ për investitorët. Në këtë kuptim e shoh edhe problemin politik, e mos të flasim edhe për problemet që ndodhen në enklavat serbe, në veriun e Kosovës apo edhe në relacion me Serbinë“, thotë Rexhepi.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës pohojnë se Kosova është vend i sigurt sa i përket investitorëve të jashtëm. Ibrahim Krasniqi, sekretar i përhershëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, pohon se kjo ministri në vazhdimësi po punon në krijimin e një ambienti sa më të sigurt për të gjithë investitorët.

“Ne mund t’u garantojmë të gjithë investitorëve se qeveria dhe ministria jonë do të qëndrojnë prapa tyre. Do të krijojnë ambientin më të mirë të mundshëm për investime. Ndërsa, në anën tjetër, mund të thirret në shënimet e dhëna edhe në nivel rajonal, se sa i përket çështjes së sigurisë, jo vetëm të investimeve, por edhe të sigurisë fizike në përgjithësi, Kosova renditet në pjesën e epërme të vendeve të rajonit. Do të thotë, shkalla e kriminalitetit dhe gjërat tjera që kanë të bëjnë me të, janë shumë më mirë, sesa mesatarja e rajonit”, pohon Krasniqi.

Përveç këtyre, Ibrahim Krasniqi thotë se Kosova ofron një sistem të kënaqshëm fiskal me tatime të ulëta, krahasuar me vendet e tjera, qëndrueshmëri makroekonomike, procedura tepër të thjeshta administrative për regjistrim të biznesit.

Megjithatë, deri më tani, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, bizneset e tyre i kanë regjistruar mbi 2400 kompani të huaja.

XS
SM
MD
LG